Shkodran Metaj është zyrtarisht lojtar i Flamurtarit. 26 vjeçari ka firmosur kontratë 2-vjeçare me kuqezinjtë dhe do të vihet menjëherë nën urdhrat e trajnerit Ernest Gjoka. Pasi shtrëngoi duart me donatorin Sinan Idrizaj, futbollisti që është aktivizuar me FC Emen në Kategorinë e Dytë holandeze u shpreh se nuk mundi t’i rezistonte ofertës shumë të mirë të Flamurtarit, duke qenë i bindur se ka bërë zgjedhjen e duhur. Metaj siguroi se e njeh mirë historinë e klubit vlonjat dhe se nuk do ta ketë të vështirë përshtatjen në Vlorë. Ai shtoi më tej se ka patur oferta nga Rumania dhe Greqia, por ishte bindur nga projekti i administratorëve të rinj të Flamurtarit.
Shkodran Metaj është pjesë e Kombëtares së Kosovës. Ai është grumbulluar së fundmi në tri takime, ndërsa ka debutuar në miqësoren kundër Senegalit. Metaj luan si mbrojtës dhe mesfushor krahu, ndërsa përshtatet edhe në rolin e shkatërruesit. Lojtari ka lindur në Istog të Kosovës, ndërkohë që ka nënshtetësi holandeze. Ai e ka nisur karrierën në Holandë me klubin amator Frombosh, derisa ra në sytë e agjentëve të Groningenit. Me këtë të fundit debutoi në kampionatin holandez më 2 Shtator të vitit 2007 në një ndeshje kundër Ajaksit. Më pas ai u huazua te RKC Valvijk, ndërsa në vitin 2012 iu bashkua Emenit dhe luajti për dy sezone. Në kampionatin e fundit me këtë ekip shënoi 5 gola. /Tribuna/Telegrafi/