Federata Sindikale e Pavarur e PTK-së në një deklaratë për media njoftoi se kanë pasur takim me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, për të biseduar rreth gjendjes aktuale në Telekomin e Kosovës.
Në këtë takim, kryetari i FSP PTK, Lamih Balaj së bashku me anëtarin e kryesisë së sindikatës Shpëtim Zharku, theksuan faktin e mos vazhdimit të kontratës me Z-Mobile, e cila skadon më 30 korrik të këtij viti.
“Ministri u informua qartë se, FSP PTK së bashku me punëtorët tashmë ka marrë vendim, ashtu siç i ka njoftuar të gjitha institucionet përmes peticionit, se çdo formë e vazhdimit të kësaj kontrate nuk do të ekzekutohet në asnjë mënyrë nga ana e punëtorëve, duke e bërë kështu të pamundur realizimin e saj. Prandaj, nga ministri u kërkua që t’i shfrytëzojë kompetencat e tij institucionale për parandalimin e vazhdimit të kësaj kontrate”, thuhet në deklaratë.
Ata thanë se në rast të një vazhdimi të mundshëm të kontratës, çdo lloj dëmi eventual që mund të shkaktohet nga moskryerja e punëve që lidhen me Z-Mobile pasojat nuk barten nga FSP PTK dhe punëtorët.
Gjithashtu, në takim u diskutua dhe u kërkua që të shqyrtohen edhe të gjitha kontratat e tjera të dëmshme për Telekomin e Kosovës.
“Kërkesë tjetër drejtuar ministrit ishte edhe aprovimi sa më parë i garancionit për kredi nga qeveria e Republikës së Kosovës, në mënyrë që të mundësohet zhvillimi i mëtutjeshëm i Telekomit të Kosovës. Ministri Valdrin Lluka na informoi se, garancioni për kredi është proceduar. Po ashtu, Ministri u zotua se në takimin e radhës së qeverisë do të shqyrtohen të gjitha kërkesat dhe shqetësimet e FSP PTK lidhur me gjendjen e fundit në Telekomin e Kosovës”, përfundon deklarata e FSP PTK. /Telegrafi/