Site icon Telegrafi

Perez: Ronaldo askujt nuk i ka thënë se do të largohet

Florentino Perez, president i Real Madridit, ka folur rreth çështjes së Cristiano Ronaldos.

Ky i fundit është raportuar se do të largohet prej Real Madridit, megjithëse, portugezi nuk e ka thënë asnjë fjalë deri më tani rreth shkrimeve të medieve.

Por, i pari i skuadrës së madrilenëve ka hedhur poshtë spekulimet e medieve se Ronaldo u ka thënë shokëve të skuadrës se do të largohet, transmeton Telegrafi.

“Ronaldo është lojtar i madh. Jorge Mendes më ka konfirmuar se lojtari është vetëm i hidhëruar me faktin se nuk e kemi mbrojtur në rastin e akuzave për evazion fiskal. Ai është një profesionist dhe besoj se nuk i është shmangur tatimeve”.

“Unë përpiqem që të zgjidh problemet që kanë lojtarët, duke përfshirë të Cristianos. Ai është lojtari më i mirë në botë. Cristiano nuk është biznes, është historia e Real Madridit”.

“Me bindjen e plotë ju them se futbollisti nuk ka folur me askënd. Ai askujt nuk i ka thënë se do të largohet”.

“Ne nuk kemi marr asnjë ofertë për Ronaldon, as për Morata dhe Jamesin. Këto janë vetëm shkrime të mediave”, tha Perez për El Transistor. /Telegrafi/

Exit mobile version