Site icon Telegrafi

Perëndimi vs Rusisë: Cilat janë sanksionet e fazës së tretë?

Sanksionet e fazës së tretë do të zgjerojnë masat ndëshkuese dhe do të kenë target sektorë të ndryshëm të ekonomisë ruse. Në një kohë që faza e parë dhe e dytë janë përqendruar tek individët dhe asetet e tyre, faza e tretë do të ketë si shënjestër korporatat ose produkte të sektorëve specifikë. Sipas urdhrit të tretë të Obamës, të prekura do të jenë shërbimet financiare, energjia, nxjerrja e metaleve, inxhinieria dhe mbrojtja.

“Këtu flitet për të bërë më të vështirë ose për të ndaluar kryerjen e transaksioneve tregtare mes Rusisë dhe BE-së ose Rusisë e SHBA-së”, thotë Maya Lester, avokate, e cila ka përfaqësuar disa persona të prekur nga sanksionet e Perëndimit.

Cila është vija e kuqe që do të çojë në hyrjen në fuqi të sanksioneve të fazës së tretë?

Në vendimet për sanksione më 20 mars dhe 28 prill, Këshilli i BE-së deklaroi se “hapat e mëtejshëm të Federatës Ruse për të destabilizuar situatën në Ukrainë do të çonin rritjen e pasojave negative në shumë fusha të ekonomisë”. Deri javës që shkoi, niveli i “destabilizimit” që Moska duhet të arrinte për të bërë që sanksionet të hynin në fuqi, ishte një ndërhyrje ushtarake në Ukrainë. Kjo mund të ndryshojë pas deklaratës së bërë nga Obama dhe Merkel, të cilët thanë se këto sanksione do të hyjnë në fuqi nëse Rusia injoron zgjedhjet në Ukrainë.

Pas tri urdhrave ekzekutive, SHBA-ja është gati t’i fusë në fuqi sapo të merret një vendim politik. Nuk nevojitet asnjë aksion legjislativ shtesë. Autoritetet që vendosin për zgjerimin e sanksioneve, janë Departamenti i Shtetit, Thesari dhe në veçanti Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC).

BE-ja ka një tjetër situatë.

“Me dijeninë time nuk ka asnjë ligj evropian që lejon sanksione sektorale, kështu që mund të bëhet një ndryshim ligjor e më pas të vendosen sanksionet ndaj Rusisë”, thotë Lester.

Sipas saj, është një vendim i të gjithë vendeve anëtare për ndryshimin e ligjit. Por fakti që Obama dhe Merkel folën për këtë çështje, tregon se Bashkimi Evropian ndoshta ka arritur një marrëveshje për sanksionet e fazës së tretë.

Është bërë një gjë e tillë më parë?

BE-ja dhe SHBA-ja kanë eksperiencë në vendosjen e sanksioneve të ndryshme. BE-ja ka vendosur sanksione ndaj më shumë se 30 vendeve, ndërsa SHBA-ja kundër më shumë se 10 vendeve. Pjesa më e madhe janë shtete aziatike ose afrikane. Por Rusia, për shkak të madhësisë dhe rëndësisë së saj, është në një tjetër kategori, thotë Thomas Biersteker, i cili drejton Konsorciumin e Sanksioneve të Synuara. Sipas tij, sanksionet do të shkaktonin automatikisht probleme edhe për ata që i vendosin.

Sa efektive mund të jenë sanksionet?

Varet. Sanksionet mund të shërbejnë për tri qëllime: shtrëngim, kufizim ose stigmatizim. Shtrëngim: ndryshimi i sjelljes së një aktori përmes sanksioneve. Sipas studimeve të OKB-së, kjo metodë funksionon 1 herë në 10 raste. Kufizim: rritja e kostove, në mënyrë që aktori të rimendohet për drejtimin e tij. Po sipas OKB-së, kjo metodë funksionon në 27 për qind të rasteve.

Përjashtimi i Rusisë nga G8-a ka stigmatizuar vendin. Por edhe sanksionet e lehta kanë dhënë impaktin e tyre dhe kanë bërë që Kremlini të rikonsiderojë mundësitë e tij. Ndërkohë është e pamundur të parashikohet një kundërpërgjigje e Rusisë, thotë Biersteker.

Nëse Perëndimi përgjigjet në këtë mënyrë, atëherë pse Moska mos të bëhet më shumë agresive në Lindje të Ukrainës?

(Marrë nga: Gazeta Shqip)

 

Exit mobile version