Telegrafi

Perëndimi, presion mbi Maqedoninë për EVN

Qeveria e Shkupit ka refuzuar të rrisë çmimet e energjisë sipas kërkesave të EVN, si dhe ngarkoi një auditor të pavarur për të vlerësuar investimet reale të EVN-së në vend. Pak ditë më parë, një gjykatë dënoi EVN-në me 200 milionë euro gjobë, në një gjyq ku argumentet e austriakëve u hodhën poshtë pa dhënë shpjegime.

Ambasadorët e Austrisë, Gjermanisë, Holandës, Zvicrës, Francës dhe SHBA-ve paralajmëruan Shkupin se çështja rrezikon të vërë në dyshim pavarësinë e sistemit gjyqësor në vend.

"Jemi të shqetësuar se, pavarësisht progresit të vendit në fusha të tjera, sistemi gjyqësor rezulton i paaftë për të gjykuar çështje biznesi në mënyrë të pavarur dhe të ndershme", – thanë ambasadorët në një letër të përbashkët.

EVN ka njoftuar se do të apelojë vendimin për gjobë, ndërsa ka kërcënuar se do t‘i drejtohet arbitrazhit të pavarur në Uashington, në rast se nuk del i kënaqur nga gjykatat vendëse. Nëse e humbet gjyqin, Maqedonia rrezikon të paguajë gjoba me vlerë qindra milionë euro.