Site icon Telegrafi

Perëndimi dënon grushtin e shtetit në Mianmar, përgjigja e Kinës është ‘më e heshtur’

Kombet e Bashkuara kanë dënuar grushtin e shtetit të ushtrisë së Mianmarit të hënën pasi ajo mori pushtetin, duke bërë thirrje për lirimin e udhëheqësve të zgjedhur, përfshirë laureaten e Nobelit, Aung San Suu Kyi.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se zhvillimet ishin një “goditje serioze për reformat demokratike” dhe u kërkoi të gjithë udhëheqësve të përmbahen nga dhuna dhe të respektojnë të drejtat e njeriut, tha një zëdhënës i KB.

Ndërkohë edhe Shtetet e Bashkuara, Britania, Australia dhe Bashkimi Evropian dënuan grushtin e shtetit dhe ndalimet e ushtrisë dhe shpalljen e një gjendje të jashtëzakonshme.

Ushtria tha se kishte ndërmarrë veprime në përgjigje të “mashtrimit të zgjedhjeve”.

Sidoqoftë, përgjigja e Kinës ishte më e heshtur, duke thënë se ajo kishte “vërejtur ngjarjet e ditës” dhe shpresonte që të gjitha palët të mund të menaxhonin mosmarrëveshjet e tyre.

“Ne kemi vërejtur atë që ka ndodhur në Mianmar dhe jemi në proces për të kuptuar më tej situatën”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Wang Wenbin, një konferencë shtypi të përditshme në Pekin.

“Kina është një fqinj mik i Mianmar. Shpresojmë që të gjitha palët në Mianmar të mund të trajtojnë në mënyrë të përshtatshme mosmarrëveshjet e tyre nën kushtetutën dhe kornizën ligjore dhe të ruajnë stabilitetin politik dhe shoqëror”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, sipas Reuters, presidenti i SHBA-së, Joe Biden ishte informuar për situatën, tha Shtëpia e Bardhë.

“Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë çdo përpjekje për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të fundit ose për të penguar tranzicionin demokratik të Mianmarit dhe do të marrin masa kundër atyre që janë përgjegjës”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki. /Telegrafi/

Exit mobile version