Ish-presidenti Jimmy Carter, i cili vdiq të dielën në moshën 100-vjeçare, duket se ka lënë një “dhuratë” për Donald Trump, teksa presidenti i zgjedhur bën betimin muajin e ardhshëm.
Pas vdekjes së Carter, presidenti Joe Biden lëshoi një deklaratë që bënte thirrje që flamuri i SHBA-së të vendosej në gjysmë shtizë në Shtëpinë e Bardhë, në ndërtesat publike, në postet ushtarake, si dhe në stacionet detare dhe anijet “për një periudhë prej 30 ditë”.
Kjo është në përputhje me Departamentin e Çështjeve të Veteranëve të Shteteve të Bashkuara, i cili thotë se flamuri duhet të shfaqet për një periudhë të tillë pas vdekjes së një ish-presidenti në “të gjitha ndërtesat federale, bazat dhe anijet detare” në të gjithë vendin dhe territoret e tij, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se flamujt do të valojnë në gjysmë shtizë deri në perëndim të diellit më 28 janar – më shumë se një javë pas inaugurimit të Trumpit më 20 janar.
Skenari i rrallë, i mundshëm, u bë bisedë e përdoruesve të rrjeteve sociale, të cilët e quajtën atë “një dhuratë e fundit” e Carter për Trump.
Raportohet se Carter ishte veçanërisht një kritik i presidentit të zgjedhur dhe dikur e përshkroi atë si “një fatkeqësi”.
Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që një inaugurim presidencial ndodh ndërsa flamujt ulen në gjysmë shtizë për të nderuar një ish-president.
Presidenti i atëhershëm Richard Nixon – pas vdekjes së Harry S. Truman më 26 dhjetor 1972 – bëri betimin për një mandat të dytë më 20 janar 1973 ndërsa flamujt valonin në gjysmë shtizë. /Telegrafi/