Disa prej gabimeve kryesore të ë-së, sipas tij, kanë të bëjnë me 1038 ose 4.11 për qind gabime teknike, me 60 ose 0.24 për qind me lidhoren te të gjitha foljet, me 44 ose 0.17 për qind me ngatërrimin e njëjësit me shumësin, me 16 ose 0.06 për qind me dëftoren, me 14 ose 0.06 për qind me ë-në e patheksuar dhe 67 ose 0.27 për qind me gabime të tjera.
“Zanorja -ë në artikujt e portaleve në gjuhën shqipe u paraqit më tepër si shënjues fonetik sesa shënjues morfologjik-fonologjik: antar, logjik, të jap, do të udhëheq – anëtar, logjikë, të japë, do të udhëheqë etj. Ë-ja në artikujt e portaleve doli edhe si shënjues i elementeve mbisegmentare, duke sinjalizuar gjatësinë e rrokjes. P.sh.: mundësin-mundësinë. Shembujt dëshmojnë më mirë për ndikimin e rolit fonetik, morfologjik dhe fonologjik për zbatimin e ë-së”, thotë ai.
Hulumtimi përmbledh njëqind artikuj gazetarë të portaleve të ndryshme, si: nga Kosova (“Express”, “Bota sot”, Gazeta “Lajm”), nga Shqipëria (“Albeu.com”, “ABC News”) dhe nga Maqedonia (“Yll Press”).
Hulumtimi për objekt studimi ka drejtshkrimin e ë-së në portalet në gjuhën shqipe. Synimi kryesor i realizimit të këtij hulumtimi është evidentimi dhe argumentimi i përvetësimit të ë-së.
Grumbullimi i artikujve është bërë në dhjetëditëshin e parë të muajit dhjetor, të vitit 2014. Artikujt i takojnë pjesës informative.
Hulumtimi është i rëndësishëm dhe me peshë, pasi tema që trajtohet është temë aktuale, temë e dobishme jo veç për gjuhëtarët e për gazetarët, por për shoqërinë përgjithësisht. Nga ana tjetër, është temë që vë në pah përdorimin e gabuar të zanores -ë dhe shmangien e saj në portalet në gjuhën shqipe.
Informacione shtesë keni më poshtë: nxjerra për secilin portal janë:
Mostra jonë e nxjerrë nga portali “Express” tregon se zanorja -ë nuk është përdorur 58 herë ose 0.95 për qind në 20 artikujt e portalit “Express", ndërsa 24 herë ose 0.39 për qind është përdorur gabimisht në këtë portal.
Në artikujt e portalit “Bota sot” është vërejtur se zanorja -ë nuk është përdorur 122 herë ose 2.37 për qind, atëherë kur duhej të përdorej, si dhe 9 herë ose 0.17 për qind kur është përdorur gabim, përderisa në artikujt e portalit Gazeta “Lajm”, ë-ja nuk është përdorur 58 herë ose 1.27 për qind. Ajo gabimisht është përdorur 16 herë ose 0.35 për qind në këtë portal.
Nga këndvështrimi tjetër, në portalin “Albeu.com”, ë-ja kur duhej të përdorej nuk është përdorur 100 herë ose 2.67 për qind, kurse 10 herë ose 27 për qind është përdorur gabimisht. Ndërkaq, në 15 artikujt e ndryshëm gazetarë të portalit “ABC News”, ë-ja nuk është përdorur 557 herë ose 20.34 për qind kur duhej të përdorej, pasi që në vend të saj është përdorur zanorja -e. Në këtë portal, ë-ja nuk është përdorur gabimisht asnjëherë.
Ndryshe, në portalin “Yll Press” nga Maqedonia gabimet më të mëdha paraqiten me përdorimin e -e-së në vend të zanores -ë. Duke u përdorur e-ja dhe jo ë-ja, kur kjo e fundit do të duhej të përdorej domosdo, zanorja -e është përdorur në vend të ë-së 260 herë ose 8.70 për qind. Zanorja -ë në këtë portal gabimisht është përdorur 12 herë ose 0.40 për qind.
Mostra jonë e nxjerrë në portalet nga Kosova përfshin 60 artikuj, me një sfond prej 15801 fjalëve. Prej këtyre fjalëve, ë-ja do të duhej të përdorej 238 herë ose 1.51 për qind. Ajo gabimisht është përdorur 49 herë ose 0.31 për qind.
“Në krahasim me portalet nga Kosova, mostra e nxjerrë në portalet nga Shqipëria përfshin 30 artikuj, me 6488 fjalë. Ë-ja në këto portale do të duhej të përdorej 657 herë ose 10.13 për qind. Ajo gabimisht është përdorur vetëm 10 herë ose 0.15 për qind. Përkundër portaleve nga Kosova dhe Shqipëria, mostra jonë e nxjerrë në portalin nga Maqedonia, siç thamë më herët, përfshin 10 artikuj, me 2987 fjalë. Ë-ja në këtë portal do të duhej të përdorej 260 herë ose 8.70 për qind. Ajo gabimisht është përdorur 12 herë ose 0.40 për qind”, tha Hajrizi. /Telegrafi/