Site icon Telegrafi

Përdorimi i vajit të palmës detyron fermerët të derdhin qumështin

Shumë fermerë të Kosovës tash e disa ditë janë duke e derdhur qumështin për shkak të mos mundësisë së dorëzimit të tij, si rezultat i përdorimit të madh të vajit të palmës në produktet e qumështit.

Kryetari i Shoqatës së Fermerëve të Kosovës, Ramadan Memaj ka thënë për Telegrafin se sektori i prodhimit të qumështit në kulminacionin e krizës, e krejt kjo si pasojë e prezencës së madhe të vajit të palmës.

Memaj ka thënë se kanë pasur takime me institucionet përgjegjëse, por pavarësisht kërkesës së tyre që të ndalohet përdorimi i vajit të palmës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Ne ka vite që jemi duke folur për këtë problem, jemi në kulminacionin e krizës së prodhimit të qumështit. Kemi pas takime me institucionet përgjegjëse dhe pavarësisht premtimeve që do të ndalet përdorimi i vajit të palmës kjo nuk ka ndodhur. Me mijëra litra qumësht në ditë janë duke u derdhur nga fermerët tanë për shkak të ngopjes së tregut me produkte me vajin kancoregjen të palmës”, ka thënë Memaj.

Memaj ka shtuar se kanë paralajmëruar një protestë për të hënën, mirëpo Policia e Kosovës nuk iu ka dhënë leje për mbajtjen e saj.

Ai ka theksuar se janë duke pritur nëse Ministria e Tregtisë do të marrë ndonjë vendim sot sa i përket këtij problemi.

Memaj ka shtuar se kërkesa e vetme e tyre është ndalimi i përdorimit të vajit të palmës në produktet e qumështit.

Shoqata e Fermerëve ka paralajmëruar për nesër një konferencë në sheshin Skënderbeu, ku edhe do të shpalosin detaje tjera lidhur me veprimet e tyre që do ti ndërmarrin. /Telegrafi/

Exit mobile version