Dërgimi i letrës së deputetes Aida Dërguti, drejtuar Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), në të cilën është logoja e Kuvendit, nga njohësit e punës së Kuvendit, nuk po shihet si veprim i qëlluar.
Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për Telegrafin se në “komunikimin zyrtar – kur përdoret logoja e Kuvendit – duhet të aplikohet vetëm në rastet kur paraprakisht dakordohen grupet parlamentare në mes vete, dhe kur zyrtarisht i drejtohet dikujt me shkresë Kuvendi i Kosovës”.
“Aida Dërguti i është drejtuar ITU-së, në emër personal, mirëpo duke e përdorur logon e Kuvendit. Kjo nuk është e rekomandueshme”, ka shtuar ai.
Sipas tij, kjo praktikë, edhe pse me këtë veprim nuk bëhet ndonjë shkelje e rregullores së Kuvendit, mund të paraqesë shembull të keq, sepse njëjtë mund të veprojë edhe ndonjë deputet tjetër.
“Dikush mund të shkruaj ndonjë letër për interesa dhe pikëpamje personale, duke e përdorur njëjtë logon e legjislativit të vendit, e që deputetët e tjerë mund të mos pajtohen me një qëndrim të tillë”, ka shtuar Murati.
Ai ka theksuar se konsideron se është me rëndësi që kur të përdoret logoja e Kuvendit, me pas koncensus paraprak.
“Por tash edhe në anën tjetër, mungesa totale e transparencës rreth dialogut të Kosovës me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve, e ka sjellë një gjendje të tillë, ku një deputet detyrohet me kërku sqarime shtese prej ITU-së, sepse te njëjtat nuk mundet me i marrë prej Qeverisë”, ka shtuar Murati.
Ndryshe, deputetja e VV-së, njëherit nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, është akuzuar nga deputetët e pozitës se e ka përdorur logon e Kuvendit, duke dërguar një letër në emrin e saj personal.
Por, Dërguti ka thënë se ajo është nënkryetare e Kuvendit, dhe se letrën e ka dërguar në emër të deputetëve të opozitës. /Telegrafi/