Site icon Telegrafi

Përdorimi i kompromatit dhe përpjekjet për ta ndërtuar shtetin e shtantazhit mes shqiptarëve

Për sa i përket modelit të qeverisjes, brenda botës postkomuniste evropiane, dy shtetet shqiptare fatkeqësisht po ngjajnë gjithnjë e më shumë me ish-republikat sovjetike sesa me shtetet e Evropës Qendrore të cilat u evropianizuan me hapa të shpejtë. Veçoria karakterizuese e republikave ish-sovjetike është aplikimi gjithnjë e më shumë i të ashtuquajturit “shtet shantazhi”, një praktikë kjo që po konsolidohet edhe mes shqiptarëve. Sikurse në Rusi e republika të tjera ish-sovjetike, edhe Kosova e Shqipëria po merr profilin e modelit të qeverisjes bazuar tek një lider populist që ka maksimumin e pushtetit të përqendruar në dorën e tij dhe që përdor zbatimin selektiv të ligjit si instrument për të konsoliduar pushtetin e për të dobësuar kundërshtarët. Shembulli më klasik sot është ai i Putinit i cili për të marrë edhe vota goditi në mënyrë sensacionale në publik oligarkët kundërshtarë, si Berezovski e Khodorkovski, por nga ana tjetër e çimentoi sistemin oligarkik duke kultivuar favore me të tjerë oligarkë pro tij, si Abramoviqi, Abramovi, Deripaska, Prokhorovi, Usmanovi, Khani, Vekselbergu, Malofeevi etj.

Termi “shtet i shantazhit” e ka origjinën tek punimet e profesorit Keith Darden, të Universitetit Amerikan lidhur me Ukrainën e dy dekadave më parë të sunduar nga Leonid Kuçma. Shteti i shantazhit, sipas Dardenit, përbëhej nga tre elementë themelorë. Pikësëpari “veset, shkelja e rregullave dhe korrupsioni tolerohen nga autoritetet shtetërore, dhe madje inkurajohen nga qeveritarët”. Në këtë mënyrë qeveritarëve iu leverdis që të ketë sa më shumë të njollosur sepse si të tillë nuk kanë të drejtë morale që të ngrenë zërin. Madje edhe kur të guxojnë ta ngrenë, të jenë lehtësisht të shantazhueshëm e të kontrollueshëm. Së dyti, “korrupsioni tolerohet, por në të njëjtën kohë mbikëqyret shumë e rreptësisht”. Sistemi i ligjeve dhe rregulloreve të Ukrainës asokohe ishte jashtëzakonisht kompleks, duke e bërë praktikisht të sigurt se pothuajse të gjithë në një farë mënyre kanë shkelur ligjin e kanë bërë evazion.

Ky element vlen edhe për Shqipërinë e Kosovën, ku ka pafund mbivendosje e boshllëqe ligjore si dhe procedura të koklavitura. Institucionet e mbikëqyrjes shtetërore të Ukrainës së Kuçmas ishin të kujdesshme në zbulimin e shkeljeve të tilla të ligjit dhe regjistrimin e tyre, por nuk i përdornin “për sa kohë që subjekti ishte besnik”, pra i nënshtruar. Qytetarët e kanë të pamundur të shikojnë rrjetin e ndërthurur të shantazhit që ekziston nëntokë për të konsoliduar pushtetin e udhëheqësve të vendit.

Elementi i tretë i shtetit të shantazhit ishte “zbatimi selektiv i ligjit”. Kjo do të thotë që ligjet nuk zbatohen për besnikët e regjimit, ose për këta ndëshkimet ligjore zbatoheshin shumë butë. Nga ana tjetër, për ata që dalin nga rreshti, pra për kundërshtarët, ligjet zbatohen në mënyrën më të ashpër të mundshme. Ky sistem i shantazhit “targetonte” kryesisht njerëzit që ishin aktivë në politikë dhe biznes. Çdo biznesmen faktikisht mund të burgosej, kështu që asnjë nuk do të guxonte të mbështeste hapur një parti të opozitës. Me gjithë këtë sistem shantazhi lidhet një tjetër term shumë i famshëm i epokës sovjetike të trashëguar në tranzicion, kompromat, që nënkupton material komprometues. Kompromati shfaq një pjesë të potencialit të tij diskreditues kur botohet, por fuqia e madhe është kur mbahet I fshehtë dhe përdoret për negociata, për të detyruar viktimat që të bëjnë një sjellje apo veprim të caktuar.

Në praktikën sovjetike e postsovjetike, ka katër “lloje” të kompromatit që përdoren kundër rivalëve e kundërshtarëve. Lloji i parë i kompromatit përbëhet nga zbulimet e shkeljeve që lidhen me aktivitetet politike të një individi, duke përfshirë abuzimin e detyrës dhe pushtetit, marrëdhëniet me oligarkë, nxjerrje të sekreteve shtetërore, mashtrime, pabesi, komplote etj. Lloji i dytë i kompromatit ka të bëjë me aktivitetet ekonomike të pakëndshme, shpesh të paligjshme të një politikani, të cilat mund të përfshijnë njërën ose disa nga sa vijon: përvetësimi i fondeve publike, tenderë favorizues, marrëveshjet e dyshimta të bankave, abuzime në procesin e privatizimit, aktivitetet në parajsa fiskale, përfshirja në skema financiare ilegale, nepotizmi, financimi i dyshimtë i fushatës zgjedhore, trajtimi preferencial në marrëveshjet ose kontratat e biznesit dhe, më e pranishmja, dhënia apo pranimi i ryshfetit. Lloji i tretë i kompromatit përfshin aktivitete kriminale, lidhjet me krimin e organizuar, trafiqet e drogës apo armëve, lidhjet me vrasës, përfshirja në dhunë apo shantazh etj. Lloji i katërt i kompromatit përbëhet nga zbulimet për jetën private, duke përfshirë detaje mbi vese personale, sjellje të pahijshme, zakone e shpenzimeve ekstravagante, përdalje seksuale, tradhtitë bashkëshortore, orientimin seksual apo gjëra që kanë të bëjnë me të afërmit e tyre të ngushtë familjarë.

Si aplikohet kjo praktikë e shtetit të shantazhit në trojet shqiptare?

Rastet janë të shumta, por për secilin shtet mjaftohen të përmenden dy raste specifike ilustrative . Në Shqipëri bujë të madhe ka pas bërë përgjimi i drejtoritë ALUIZN-it që porosiste zyrtarët e tij që të mbaheshin peng për arsye elektorale të 100 mijë familjeve shqiptare të cilët ishin në procesin legalizimit të ndërtimeve që kanë ndërtuar pa leje. Pra, konkretisht, më shumë se një e teta e familjeve shqiptare mbahen peng dhe kërcënohen me shkatërrim selektiv të shtëpive të tyre informale, në rast se mbështesin kundërshtarët politikë. Rasti tjetër është lejimi apo tolerimi i mbjelljes masive të hashashit në këmbim të mbështetjes elektorale dhe arrestimi i atyre kultivuesve që mbështesin opozitën. Nuk është rastësi që para zgjedhjeve shpërthen hashashi anembanë vendit. Konkretisht u godit Lazarati që kishte tradicionalisht lidhje me të djathtën dhe mandej u toleruan kultivimet në zona të tjera në këmbim të votave.

Në Kosovë, Qeveria Kurti në vend që të merret me projekte, reforma e nisma legjislative, merret me masa represive duke u shndërruar e duke u reduktuar në një super-prokurori që fokusohet në hetime e ndëshkime. Një ndër nismat e para ishte projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme të cilën e konsideronte si një ndër shtyllat në luftimin e korrupsionit në Kosovë. Në vend që të zgjedhte që të ndërmerrte reforma për të parandaluar korrupsionin në të ardhmen, ndërmerr veprime që rreptësojnë ndëshkimet për të kaluarën. Në parim, kjo nismë përdoret me efikasitet në shumë vende për të luftuar korrupsionin, mirëpo në kontekstin e Kosovës ka shumë pak kuptim. Pjesa dërmuese e pasurisë dhe e pronave në Kosovë vijnë prej burimeve informale të diasporës masive e cila me remitencat e saj, si dhe me konsumin gjatë pushimeve, vazhdon të ketë rol dominues në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Vështirë se mund të gërmohet e hetohet – në shtetet si Gjermania e Zvicra – për burimet e të ardhurave të qindra mijëra emigrantëve kosovare, që i sjellin në atdhe, kryesisht informalisht, qindra milionë euro çdo vit.

Po ashtu, deri para dy dekadash Kosova ka funksionuar me një sistem paralel qeverisës së rezistencës pasive që ka çimentuar një informalitet që ka vijuar edhe gjatë protektoratit të UNMIK-ut e më tutje. Sistemi paralel ka vijuar mandej me komunitetin serb të kontrolluar nga Beogradi dhe, faktikisht, shtetasit kosovarë me kombësi serbe do të kishin të njëjtin problem me raportimin e të ardhurave apo të pasurisë së akumuluar. Efekti kryesor i kësaj nisme është thjesht trembja e kapitalit vendas, dekurajimi i sjelljes konsumatore dhe, për më tepër, nxitja që të shkojnë e të blejnë prona në bregdetin e Shqipërisë nga frika se blerja e pronave të patundshme në Kosovë mund të shkaktojë probleme me ligjet e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.

Rasti i dytë ilustrativ në Kosovë është bllokimi i projekteve infrastrukturore në vend, duke rishqyrtuar të gjitha kontratat e rrugëve, me sa duket, me shpresën që të gjenden parregullsi e shkelje për të ndëshkuar apo shantazhuar zyrtarët paraardhës. Pra, në vend që të propozojë projekte të reja infrastrukturore të rëndësishme, sikurse mund të ishin rruga Prizren-Tetovë, gazsjellësi me TAP-in, hekurudha me Shqipërinë etj., janë bllokuar totalisht projektet që po zvarriten pa nevojë prej vitesh, sikurse janë rruga e Mitrovicës dhe e Pejës. Ky veprim, të vetmin efekt ekonomik që ka është shkaktimi i një anemie në ekonomi duke ulur kërkesën agregate që vjen prej mos hedhjes në qarkullim të parave të mbledhura nga shteti, prej taksave të qytetarëve. Kjo papërgjegjshmëri dhe ky obsesionim me investigimin për të gjetur kompromat, ka për ta çuar ekonominë kosovare në kolaps, sepse modeli i saj i rritjes është nxitur prej investimeve masive kapitale qeveritare. Sektori i ndërtimit (i treti për nga rëndësia në Kosovë), ka për t’u dëmtuar jashtëzakonisht prej bllokimeve të investimeve publike, ndërkohë që tashmë është prekur rëndë nga pandemia dhe rënia e kërkesës tradicionale të diasporës e cila u varfërua ndjeshëm prej karantinës së tejzgjatur në vendet pritëse perëndimore.

Rreziku i kësaj qasje është që masat represive dhe teknikat e “shtetit të shantazhit” të përdoren edhe mes shqiptarëve, sikurse në botën ish-sovjetike, për të forcuar edhe më tej pushtetin politik të përqendruar në pak duar, duke iu dhënë qytetarëve “bukë dhe shfaqje”. Në shtetet perëndimore, liderët rizgjidhen bazuar tek rezultatet e suksesshme për sa i përket përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve, forcimit apo rritjes së prestigjit të shtetit të tyre apo përmbushjes së interesave kombëtare. Në shtetet lindore, sikurse ato të shqiptarëve, mungesën e arritjeve dhe performancës liderët e kompensojnë me masa represive apo duke ndërtuar atë sistem qeverisjeje që ka marrë emrin “shteti i shantazhit”. Njerëzve iu jepet “marketing politik” me gladiatorë, pra në rrethanat bashkëkohore me të korruptuar që bëhen koka turku para publikut. Pra, mungesa e zhvillimit e mirëqenies, e demokracisë, e lirisë apo e integrimit evropian kompensohet, në sytë e elektoratit, nëpërmjet përdorimit selektiv dhe sensacional të ligjit.

Në Shqipëri kjo praktikë ka vite që bëhet duke ndërmarrë “aksione” me mbulim mediatik, si me krijimin e OFL-së, apo duke bërë goditje shembullore publicitare sporadike për të krijuar iluzionin e “dorës së fortë” të ligjit. Gjasat janë të mëdha që e njëjta gjë të bëhet edhe në Kosovë, ku veprimet e deritanishme të qeverisë lënë të kuptohet se qëllim kryesor nuk është politikbërja dhe administrimi i mirë i buxhetit e pronës publike, por “gjuetia e shtrigave” (në stilin e Putinit, gjatë viteve 2000), për të bërë shembuj që ushqejnë retorikën populiste të përmbysjes politike për të luftuar korrupsionin.

 

Exit mobile version