Telegrafi

Interneti po lë pasoja tek fëmijët, institucionet pa strategji për parandalimin e kësaj dukurie (Video)

Përdorimi i pakontrolluar i smartphoneve, video-lojërave, rrjeteve sociale në interneti, po sjell probleme të mëdha psikike si tek fëmijët po ashtu edhe tek adoleshentët.

Psikologia në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK, Adelina Ahmeti thotë për RTV Dukagjinin, se shumë prindër po i drejtohen kësaj klinike për të kërkuar ndihmë.

“Çdo rast që vjen në konsultë, si të vegjlit ashtu të mëdhenjtë, komponenta e rrjeteve sociale është dominante në rritjen e agresivitetit, problemeve emocionale e deri te mos dallimi i jo realitetit nga realiteti”, shprehet Ahmeti.

Rreziku më i madh, sipas psikologut nga Qendra Kosovare për Psikoterapi Pozitive, Arbër Zeka paraqitet tek video-lojërat me përmbajtje të dhunshme.

“Nëse në lojëra ti ke me luajt rolin e terroristit, ti po modelon atë dhe je kundër policit. Në lojën ku ti luan, ti duhet ta vrasësh policin dhe në mënyrë të pavetëdijshme i riu ka me modelua terroristin dhe do të jetë jo social”, është deklaruar Zeka, përcjell Telegrafi.

Ai shton se vendi ynë nuk ka asnjë strategji për parandalimin dhe trajtimin e këtij problemi.

Në Kosovë po ashtu mungojnë edhe hulumtimet rreth përdorimit të internetit, rrjeteve sociale si dhe video-lojrave  nga fëmijët dhe adoleshentët.

Hulumtimi  i fundit është bërë në vitin 2014 nga Qendra për Studime të Avancuara FIT në bashkëpunim me organizatën Save dhe Children

Nga ky hulumtim është thënë se 93% e fëmijëve në Kosovë përdorin internetin.  90% kanë luajtur video-lojra,  ku 29%  e tyre  janë deklaruar se kanë luajtur video-lojra te dhunshme. Ndërkaq sipas këtij hulumtimi, fëmijët kosovarë renditen të parët në Evropë për sa i përket përdorimit të rrjeteve sociale./Telegrafi/