Përdorimi i pakontrolluar i smartphoneve, video-lojërave, rrjeteve sociale në interneti, po sjell probleme të mëdha psikike si tek fëmijët po ashtu edhe tek adoleshentët.
Psikologia në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK, Adelina Ahmeti thotë për RTV Dukagjinin, se shumë prindër po i drejtohen kësaj klinike për të kërkuar ndihmë.
“Çdo rast që vjen në konsultë, si të vegjlit ashtu të mëdhenjtë, komponenta e rrjeteve sociale është dominante në rritjen e agresivitetit, problemeve emocionale e deri te mos dallimi i jo realitetit nga realiteti”, shprehet Ahmeti.
Rreziku më i madh, sipas psikologut nga Qendra Kosovare për Psikoterapi Pozitive, Arbër Zeka paraqitet tek video-lojërat me përmbajtje të dhunshme.
“Nëse në lojëra ti ke me luajt rolin e terroristit, ti po modelon atë dhe je kundër policit. Në lojën ku ti luan, ti duhet ta vrasësh policin dhe në mënyrë të pavetëdijshme i riu ka me modelua terroristin dhe do të jetë jo social”, është deklaruar Zeka, përcjell Telegrafi.
Ai shton se vendi ynë nuk ka asnjë strategji për parandalimin dhe trajtimin e këtij problemi.
Në Kosovë po ashtu mungojnë edhe hulumtimet rreth përdorimit të internetit, rrjeteve sociale si dhe video-lojrave nga fëmijët dhe adoleshentët.
Hulumtimi i fundit është bërë në vitin 2014 nga Qendra për Studime të Avancuara FIT në bashkëpunim me organizatën Save dhe Children
Nga ky hulumtim është thënë se 93% e fëmijëve në Kosovë përdorin internetin. 90% kanë luajtur video-lojra, ku 29% e tyre janë deklaruar se kanë luajtur video-lojra te dhunshme. Ndërkaq sipas këtij hulumtimi, fëmijët kosovarë renditen të parët në Evropë për sa i përket përdorimit të rrjeteve sociale./Telegrafi/
https://youtu.be/0E7qe6wRpYU?t=415