Nga: Ragip Gjoshi
Hyrje
Gjuha shqipe, për formësimin e saj të tashëm, është kushtëzuar nga faktorët historikë, shoqërorë, ekonomikë, politikë, po dhe nga faktorë të brendshëm. Pa dyshim se zhvillimi i gjuhës varet nga prania e huazimeve të cilat e pasurojnë gjuhën, njëkohësisht edhe e “dëmtojnë” të tashmen dhe të kaluarën e saj, kur fjalët shqipe ekzistojnë në vend të asaj të huaj që e përdorim pa pasur nevojë. Në këtë raport, të pranisë dhe të mungesës së fjalës, marrëdhënia e shqipes me gjuhët fqinje dhe jo vetëm me to është shtuar në vitet e fundit, duke i dhënë mundësinë e pranisë dhe të ndikimit në gjuhën shqipe, asaj angleze.
Duke kërkuar përdorimin e fjalëve të huaja në gjuhën shqipe, kemi shënuar rreth 151 fjalë dhe terma të tillë, duke vëzhguar se si janë reflektuar në fjalorët arsimorë të ditëve të sotme karshi fjalorëve të shprehjeve dhe të fjalëve të huaja të botuara më 1954, 1980, 2000 dhe 2006. Këtë hulumtim e kemi bërë duke krahasuar hulumtimin e studimeve të mëparshme për huazimet, duke bërë anketime, vëzhgime dhe interpretime për gjuhën dhe për përdorimin dhe shkrimin e saj të sotëm.
Procesin e vjeljes së huazimeve e kemi mbështetur: Në gjuhën e shkruar në dokumentet kryesore arsimore të Kosovës; në gjuhën e përdorur në gazeta dhe fjalorthë; gjuhën e folur, si bisedat e përditshme, kryesisht mes të rinjve; në gjuhën e moderatorëve të lajmeve, prezantuesve të emisioneve, debutuesve televizivë dhe radiofonikë, edhe emërtimet e dukurive që hasim në përditshmërinë arsimore etj. Ndërkaq, studimi për huazimet në shqipe është bërë duke iu referuar librave studimorë për këtë fushë të Gjovalin Shkurtajt, Emil Lafes, Vesel Nuhiut, Jani Thomait, Shezai Rrokajt, Hajri Shehut, Aleksandër Xhuvanit, Shaban Demirajt e të ndonjë tjetri. Duke parë venerimet dhe konstatimet për dukurinë e huazimeve në gjuhën shqipe në librat e këtyre autorëve, mund të themi se faktorët që ndikojnë në përdorimin e tyre varen nga: emigrimi, arsimimi jashtë vendit i të rinjve, politika që po ndjek shteti për shkollimin e punësimit jashtë Kosovës, folësi dygjuhësh, globalizmi, martesat e përziera dhe pasojat që shkaktojnë këto huazime në komunikim (Dordo, 2006:25). Së këndejmi, huazimet në dokumentet kryesore pedagogjike shtetërore dhe përgjithësisht në fushën e edukimit i kemi vështruar duke gjetur shpjegimet për to në Fjalorin e termave në edukim (Gjokutaj, 2016).
Pak fjalë për mbrojtjen dhe pasurimin e gjuhës sonë
Gjuha shqipe, në bazë të shumë studimeve gjuhësore, del se i ka rezistuar asimilimit nga gjuhët e huaja. Por, ende rrezikohet nga po ato gjuhë. Për këtë gjendje profesor Shkurtaj shprehet: Shqipja nuk ngjan më si gjuha jonë, por si një përzierje a ‘hibride’ e tipit të ‘franglais’ (frëngjishtes), kundër së cilës me aq zell e atdhetari luftojnë prej vitesh francezët. Edhe ne na kërcënon sot rreziku i një ‘shqipanglitalishteje’, prandaj në qoftë se nuk duam që një shqipe e përçudnuar të përçudnojë edhe mendjen e shqiptarëve, duhet që shteti dhe krejt shoqëria e qytetëruar shqiptare të shkunden nga letargjia dhe të dalin nga mjegullnaja e kësaj shqipanglitalishteje që rrezikon të na kaplojë (Shkurtaj, 2003:78).
Në rastin dhe temën tonë, diskutohet për dokumentet më të rëndësishme shtetërore të arsimimit parauniversitar – për Kornizën e Kurrikulës së Kosovës të vitit 2011 dhe për Kurrikulën bërthamë për arsimin parauniversitar të Republikës së Kosovës të vitit 2016, po edhe për disa raste të tjera për të cilat edhe mund të bëhet përjashtim për përdorim të fjalës së huaj, për të cilat, Hugo Schuchardt, thoshte se nuk ka gjuhë që është plotësisht e papërzier (Schuchardt, 1884:15). Edhe Antoine Meillet huazimin e quan dukuri të natyrshme (Meillet, 1936:17) që, sipas tij, kryesisht huazohen elemente leksikore dhe thuajse nuk ka gjuhë pa huazime. Po kështu, pak a shumë, thoshte edhe Shönfelder, se përzierja e gjuhëve bëhej me ndikim të njëanshëm ose bilateral të dy apo më shumë gjuhëve (Shönfelder, 1956:17). Ndërkaq, Bloomfieldi huazimin gjuhësor e përcaktonte si marrje të elementeve gjuhësore dhe dallonte dy tipa huazimesh: atë kulturor (kur elementet e huazuara vinin nga një gjuhë tjetër e largët) dhe dialektor (kalimi i fjalëve nga një dialekt në tjetrin) (Nuhiu, 2013:18). Dhe, kujdesi për përdorimin e fjalëve të huaja duhet nisur në dy prej dokumenteve kryesore të arsimit parauniversitar, në ato që i përmendëm pak më lart, të cilat janë hartuar dhe lejuar nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë e Republikës së Kosovës, e cila tregohet shumë “zemërgjerë” me përdorimin e fjalëve të panevojshme të huaja në vend të përdorimit të atyre shqipe.
Në dy dokumentet e mësipërme prurjet e huaja në shqipe janë kryesisht nga gjuha angleze dhe gjermane. Po, për ne ato nuk janë fjalë të reja, pasi që në dokumentet kurrikulare në gjuhën shqipe ato ka pasur mundësi të zëvendësohen me fjalët e përfshira në fjalorët e botuar më 1954, 1980, 2000, 2006 dhe në fjalorët e tjerë të edukimit dhe shprehjeve të rralla të gjuhës shqipe. Po të vështrohet më në lashtësi, listojmë në dokumentet e mësipërme edhe huazime nga greqishtja e vjetër, latinishtja, sllavishtja, turqishtja, italishtja, frëngjishtja. Prandaj duhet që institucionet përgjegjëse të hartimit të këtyre dokumenteve të kenë parasysh disa prej këtyre çështjeve, si: rëndësinë e pastërtisë së gjuhës shqipe, të marrë mendime të gjuhëtarëve, të shkrimtarëve, të përkthyesve për shqipërimin e huazimeve, të cilët do të ndihmonin të ndalohet futja e huazimeve të panevojshme në dokumente zyrtare dhe në gjuhën shqipe.
Huazimi
Huazimi si dukuri gjuhësore në rrethin e gjuhëtarëve është i njohur qëmoti si fakt. Gjuha shqipe është prej gjuhëve të pakta të cilat terminologjinë gjuhësore e kanë nga vetë brumi i tyre falë punës madhore të S. Frashërit, K. Kristoforidhit, A. Xhuvanit, L. Gurakuqit, A. Xanonit, J. Rrotës, M. Domit, Sh. Demirajt etj. Kështu që, në zanafillën e vet terminologjia jonë gjuhësore është thjesht shqipe. Por, me shtimin dhe zgjerimin e studimeve gjuhësore kanë depërtuar edhe fjalë e terma të huaj në shqipe. Vetëm pas viteve 2000 dolën në pah studime me tema nga sektorë dhe fusha të ndryshme të zhvillimit të arsimit. Përveç fjalorëve të mëparshëm të psikologjisë dhe pedagogjisë të autorëve shqiptarë, si: A. Xhuvani, B. Dedja, P. Nushi, Sh. Osmani, në vitin 2004 kishte dalë në treg edhe Fjalor i termave për psikologji, i ndjekur nga një fjalor i termave për edukim i M. Gjokutajt, I. Hotit dhe D. Kadriut botuar në vitin 2016. Pastaj nisi hartimi dhe përdorimi i fjalorëve online, të cilët po e pasurojnë shqipen shpejt me shpjegime të reja.
Huazimet në Fjalorin e termave në edukim, shembujt e huazimeve
Terminologjia e edukimit tiparin e vet e paraqet në periudhën e Rilindjes Kombëtare, me krijimin e mësonjëtores së parë shqipe të Korçës (1887), sidomos pas hapjes së Shkollës Normale të Elbasanit (1909). Huazimet në shqipe nisin në kohën e veprimtarëve të Rilindjes, të cilët fusin në përdorim fjalë të huaja nga terminologjia administrative, juridike, gjuhësore, e edukimit, e teknologjisë së komunikimit, e arsimit etj. Duke pasur qëllim shënimin e këtyre ndikimeve, vëmë re: depërtime të trajtës së huaj në rrafshin morfologjik, sintaksor, leksikor, të prapashtesave të huaja në fjalëformim. Dhe, ajo që e karakterizon terminologjinë e para vitit ’99 është fakti se fjalori edukativ i gjysmë shekulli të mëparshëm ishte nën ndikimin e pikësynimeve komuniste, në praktikën arsimore-edukative revolucionare dhe në ndërtimin socialist të vendit, të cilët fjalë janë shënuar në disa fjalorë, nisur me botimin e tyre që nga viti 1972 e deri në vitin 2015. Por, elemente pozitive të trashëgimisë leksikore të edukimit hasen edhe nga trashëgimia leksikore. Sapo t’u hedhim një vështrim krahasues termave në fushën e edukimit, dëshmohet depërtimi i fjalëve të huaja, sidomos nga fusha e psikologjisë, e pedagogjisë, e kurrikulës. Ja një fjalorth i terminologjisë kurrkulare nga Korniza kurrikulare e Kosovës: adoleshenc/ë, agorafobi, akreditim, altruizëm, deduktiv, induktiv, autizëm, autonomi, bihejviorizëm, denigroj, adrenalinë, akreditim, altruizëm, cerebral, kriter, kurrikulë e hapur, logopedi, CV, demencë, deviancë, difuzion, diskriminim, efekti Halo, egocentrizëm, evolucion, e-mail, evropianizim, fildish, fortifikim, fobi, futurizëm, gladiator, glikogjen, globalizëm, herbicid, heuristikë, hipotezë, insomni, kamping, karrierë, ksenocentrizëm etj. Po këto fjalë i kemi hasur gjatë vëzhgimit të zbatimit të Kurrikulës, gjatë përdorimit dhe shkrimit nga “ekspertë të arsimit”, nga zyrtarë arsimorë, gazetarë dhe mësimdhënës. Për ta pasur më të qartë ndikimin e këtyre fjalëve në shqipe, kemi bërë një hulumtim dhe kemi bërë një krahasim nëse këto fjalë po shtohen apo po pakësohen me kalimin e viteve. Kemi marrë shembull tri gazeta që botohen në Kosovë: Kohën ditore, Epokë e re dhe Zërin. Gjatë hulumtimit të tyre nxjerrim rezultatin se numri i përdorimit të termave të huaja nga to është në rritje. Ndër fjalët dhe togfjalëshat më të shpeshtë të hasur në to janë: arsim formal, arsim joformal, autonomi e shkollës, ciklet/nivelet/shkallët e kurrikulës, integrim kurrikular, kompetenca, kompetenca kyçe, kornizë kurrikulare, kurrikulë, kurrikula bërthamë, kurrikula e përvetësuar, kurrikulë formale/e planifikuar, kurrikulë në bazë shkolle, kurrikulë me zgjedhje, konstruktivizmi, mësimdhënie e diferencuar, politikë kurrikulare, shkathtësi, tema ndërkurrikulare, vlerësim diagnostikues. Këto grupe të fjalëve janë përdoruar edhe në ligjëratën e drejtë, edhe në të zhdrejtën. Edhe fjalët dhe shprehjet e tjera, këto të mëposhtmet, janë marrë nga gazeta Epoka e re, Koha ditore dhe Zëri: Korniza Kurrikulare e Kosovës, kurrikulë spirale, mësimdhënie e integruar dhe të mësuarit, mjedisi për mësimin holistik, progresioni i mësimit të qëndrueshëm, sistemi i kurrikulës, vlerësim selektiv, zhvillim holistik, kurrikula e zbatuar, kurrikulë e fshehtë, kurrikulë me bazë kompetencat, koherencë e kurrikulës, orientim për karrierë, stile të nxënit interaktiv, vlerësim i portofolit të nxënësit, zbatim i kurrikulës formale, zhvillim i kurrikulës. Këto dhe të tjera fjalë, të futura në përdorim pas viteve ’90, janë nga anglishtja, gjermanishtja, italishtja, greqishtja, frëngjishtja etj.
Çdo folës ka lirinë për të përzgjedhur fjalë që nuk janë pjesë përbërëse e gjuhës së tij dhe t’i përdorë gjatë komunikimit për t’i përmbushur nevojat që nuk ia jep gjuha shqipe por, po të vendosen fjalët dhe shprehjet paralele për të njëjtët që i listuam më lart, del se përdoruesit nuk janë lodhur të mendojnë se për të njëjtat fjalë të huaja mund t’i zëvendësojnë me të shqipes, të cilat kanë bukurtingëllim më të mirë. Do të thotë, fjalët e mësipërme janë marrë pa i përshtatur në kontekstin që duam t’i përdorim (Jorgaqi, 1998:86).
Futja e pakontrolluar e fjalëve të huaja në dokumentet kurrikulare është bërë edhe për faktin se hartuesit shumë pak kanë bërë përpjekje të krijojnë një fjalë nga vetë burimi i shqipes, dmth. dialektet, të folmet krahinore etj. Duke pasur dijeni për shtrirjen e dokumenteve korrikulare në gjithë territorin e Kosovës, të cilat do t’i kenë në dorë së paku gjysmë milioni lexues në vit, pastaj duke ditur raportin e mediave për to dhe ndikimin e opinionit publik nga gjuha e mediave, përdorimi i fjalëve të huaja në kornizat kurrikulare do të duhej të ishte shumë i vogël.
Fjalori i edukimit në gjuhën shqipe përballë gjuhëve në kontakt të përditshëm
Duke hetuar sasinë e fjalëve të huazuara në dokumentet zyrtare pedagogjike, mund të konstatojmë se gjuha shqipe në njëzetvjetëshin e fundit ka marrë shumë fjalë nga gjuha angleze, të cilat, meqë kanë bërë vend të mirë, është vështirë të hiqen pa pasur një konsultë gjuhësore për gjuhën shqipe. Prania e UNMIK-ut, e KFOR-it, e EULEX-it, e stafit të tyre në Kosovë, së këndejmi ndikimi politik, ekonomik dhe kulturor (duke qenë të fuqishëm politikisht dhe ekonomikisht dhe pasur kulturë të madhe dhe me ndikim), ka ndikuar në depërtimin e fuqishëm të shumë fjalëve edhe në fjalorin edukativ të shqipes e që, në këtë fazë, folësit e gjuhës, të përballur me realitete të papritura, që lëkundin status quo-në e tyre në kufijtë e mbijetesës, nuk mund të kenë vetëdije të qetë gjuhësore në mbrojtje të gjuhës amtare. Pragmatizmi për mbijetesë rrit nevojën për një komunikim global utilitar që shtrihet përtej caqeve të idiomës kombëtare (Memushaj, 2002:19).
Faktorët që ndikuan në futjen e fjalëve të huaja në gjuhën shqipe
Në dy dhjetëvjeçarët e fundit gjuha shqipe po përballet me huazime të shumta shkaku i ndikimit të rrethanave historike, globalizmit, emigrimit, arsimimit jashtë vendit, politikave të shkollimit dhe të punësimit, folësit dygjuhësh dhe martesave të përziera. Në rastin e parë duhet të përmendim se në gjuhën e një vendi lënë gjurmët e veta ngjarjet historike, gjuha e popullit pushtues, sikurse ka ndodhur me gjuhën shqipe, e cila, e ballafaquar me pushtues të ndryshëm, ka bërë njëfarë “lufte” dhe njëfarë “miqësie” me gjuhën turke dhe serbe, më pak me malazeze, italiane, gjermane. Pastaj, pas çlirimit dhe vendosjes së sistemit qeverisës demokratik në gjuhën shqipe, u futën fjalë e terma të panjohur, të cilët depërtuan e u vendosën si sinonime me fjalë të shqipes, duke bërë konkurrencë me njëra-tjetrën.
Faktor tjetër që ka ndikuar në huazimin e fjalëve të huaja është edhe globalizmi. Rritja e lëvizjes së njerëzve nga njëri vend në tjetrin, rritja e komunikimit me anë të teknologjive të fjalës së fundit, rrjeteve sociale, bashkëpunimet ekonomike, shoqërore, kulturore etj. mes shteteve të ndryshme kanë çuar që edhe huazimet t’i shohim si rrjedhojë e këtij globalizmi. Kontaktet e njerëzve me gjuhë të ndryshme ndikojnë në rritjen e fjalëve të huaja në gjuhët respektive. Por, përveç shkëmbimit të fjalëve mes gjuhëve, në disa vende dhe gjuhë, për arsye të ndryshme dhe në një periudhë të caktuar kohe, ka ndodhur formimi i një gjuhe tjetër (Rrokaj, 2014:18). Kjo gjuhë ka lindur si nevojë komunikimi midis folësve prej vendesh me gjuhë të ndryshme. Kjo lloj gjuhe quhet lingua franka. Lingua franka historikisht bëhet ose njëra nga gjuhët që kanë më shumë prestigj në rajon, ose njëra nga gjuhët që krijohen në mënyrë të pavetëdijshme për ta mundësuar komunikimin. Në trojet tona si lingua franka kanë shërbyer turqishtja dhe sllavishtja si gjuhë e kulturës, e administratës dhe e tregtisë. Në ditët e sotme te ne si gjuhë lingua franka shërben anglishtja për të gjithë globin (Thomai, 2006:271).
Një nga faktorët e përdorimit të huazimeve në shqipe është edhe një pjesë e shoqërisë shqiptare që shkollohet jashtë atdheut, e cila, pasi përfundon studimet dhe kthehet në vendin e vet sjell, përpos njohurive nga fusha e diplomimit, edhe fjalë të huaja të cilat i përzien me të shqipes, të cilat, dashur pa dashur, bëhen pjesë e leksikut të tyre.
Një faktor ndikues në fjalorin e edukimit është edhe politika e shkollimit dhe punësimit. Një ndër kriteret për t’u punësuar sot është edhe zotërimi i një apo disa gjuhëve të huaja. Prandaj, për t’u ndier i plotësuar në tregun e punës, duhet të zotërosh mirë në të folur e në të shkruar të paktën një gjuhë të huaj. Po ashtu, edhe numri i folësve dygjuhësh apo edhe shumëgjuhësh ka shtuar mundësinë që secili folës të përdorë fjalë të gjuhëve paralelisht me fjalët e shqipes apo ta heqin fjalën e shqipes duke parapëlqyer fjalën e huaj.
Gjuha shqipe klasifikohet ndër ato gjuhë që marrin fjalë nga gjuhët e tjera për disa arsye, si: për faktin se ajo është gjuhë e një vendi të vogël për nga numri i popullsisë që është i varur ekonomikisht dhe politikisht nga shtete më të fuqishme; se hapësira gjeografike ku jetojnë shqiptarët është mes vendeve me kulturë të madhe, si: Italia dhe Greqia, Serbia, edhe për shkak të pranisë së shtetasve të huaj të cilët janë të punësuar në Kosovë që nga përfundimi i luftës së fundit. Pra, rrugët e futjes së huazimeve në shqipe janë të shumta dhe secila prej tyre ka rëndësinë dhe specifikën e vet.
Ndikim tjetër i fuqishëm për futjen e fjalëve të huaja në gjuhë kanë bisedat dhe debatet e realizuara në radio dhe TV nga persona të cilët nuk kanë zotërim të mjaftueshëm të leksikut të shqipes. Rrugë tjetër e depërtimit të huazimeve janë edhe përkthimet e librave nga përkthyes të cilët janë të paformuar plotësisht nga ana gjuhësore.
Huazimi në këndvështrimin sociolinguistik dhe arsyet e përdorimit të huazimeve në fushën e edukimit në gjuhën shqipe
Shqipfolësit i përdorin fjalët e huaja në shoqërinë e tyre, pastaj i përdorin në media, të cilat i vëzhgojnë shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe atëherë kur janë të interesuar t’i kuptojnë vetëm një elitë njerëzish dhe pjesa tjetër ta shohin si “të paarritshëm” nga zgjuarsia që tregon apo të tregojë se është me një “nivel të lartë” kulturor. Pas vitit ’99 në Kosovë emigrantët ishin ata që filluan të parët t’i futnin fjalët e huaja në komunikim me familjarët e të afërmit kur flisnin për vendet ku kanë qenë, kanë vizituar e kanë punuar. Personat që emigronin, kryesisht për arsye ekonomike, nuk kishin edhe njohuri të qëndrueshme e të plota të shqipes pasi për arsye, përgjithësisht ekonomike, nuk e kishin përfunduar shkollën, prandaj dhe i fusnin fjalët e huaja pa vetëdije në leksikun e tyre. Aty, në media, vërehen në masë më të madhe huazimet. Dhe, po ta pyesësh ndonjërin që i përdor ato, mbase dhe nuk heziton ndonjëri të të përgjigjet se i përdor: Për t’u dukur më i kohës apo modern; se dëshiron të tregojë se di disa gjuhë të huaja; të bëjë që ndaj të tjerëve të duket më superior; që mos t’i kuptojnë të tjerët.
Përdorimi i fjalëve të huaja në KKK për arsimin parashkollor të Republikës së Kosovës
Si një ndihmesë shumë e dobishme për shpjegimin e termave të kësaj fushe të pasuruara dorë pas dore e kohë pas kohe, në këtë rrafsh erdhi në kohën e duhur Fjalor termash në edukim (Prishtinë, 2016), hartuar nga M. Gjokutaj, I. Hoti dhe D. Kadriu. Ai ka shtrirje të gjerë teorike dhe praktike, duke reflektuar ndryshimet në përmbajtjen e arsimit shqiptar në të gjithë trevat shqiptare. Ky fjalor ka arritur ta plotësojë sadopak boshllëkun e qartësimit të aspekteve konceptuale dhe zbatuese të të interesuarve në fushën e edukimit.
Termat e shpjeguara në këtë fjalor janë vjelë nga rreth 200 burime: 65 fjalorë dhe enciklopedi, 60 libra në fushën e edukimit, nga të cilat 23 janë fjalorë, mbi 60 burime janë nga interneti. Nga këta fjalorë hetohet se janë vjelë vetëm fjalët që kanë lidhje me fushën e edukimit. Qartësimin e koncepteve të edukimit duket se autorët e kanë mbështetur te dokumentet kryesore të arsimit (kurrikulë).
Mirëpo, “ekspertët” e arsimit, gazetarët, moderatorët, prezantuesit e emisioneve, politikanët janë ndër personat që përdorin më shumë fjalë të huaja dhe jo rrallëherë i thonë kur edhe vetë nuk ua dinë mirë kuptimin.
Prania e fjalëve të huaja në Kurrikulën për arsimin parauniversitar të Republikës së Kosovës
Përdorimi i tyre në Kurrikulën për arsimin parashkollor të Republikës së Kosovës dhe në debatet për këtë dokument në medie kam hetuar se janë fjalë e shprehje të cilat kanë mundur të zëvendësohen me fjalë të gjuhës shqipe, si: agjenci-degë lokale e një ndërmarrje, e një enti: akomodim – përshtatje dhe sistemim; akreditim – njohje zyrtare që një individ ose institucion has/ndesh standardet e kërkuara; atribute – veti thelbësore e domosdoshme dhe e përhershme e një sendi a dukurie; diversitet – ndryshueshmëri; eksplorojnë – kërkojnë; ekuivalente – që ka të njëjtën vlerë me një send tjetër; fleksibilitet – aftësia për të prodhuar larmi idesh; lëvizshmëri dhe lehtësi përdorimi e ideve dhe qëndrimeve në lidhje me çështje të caktuara; fushë kurrikulare – një kategori e gjerë mësimore që grupon lëndët që kanë qëllime dhe detyra të përbashkëta për mësimin e dijes; hierarkia – rendi i titujve, i gradave ose i përgjegjësive në ahministratën civile; holistik – që ka të bëjë me të tërën e diçkaje, si rezultat i pjesëve të veçanta të saj; tipar i përgjithshëm i një dukurie, i cili është krijuar si rezultat i bashkimit të tipareve kryesore të tij; inkurajoj – i jap zemër e guxim dikujt, e nxis që të zhvillohet; inovacion – një gjë e re, një shpikje e re, rregull i ri, sistem i ri; integrimi – bashkim, përfshirje. Proces i kombinimit të dukurive, fenomeneve me gjërat e tjera në një sistem të vetëm; kompetencë – aftësia për ta gjykuar një çështje; korniza kurrikulare – dokumenti i plotë i të gjitha veprimtarive përmbajtjesore dhe kurrikula – program i studiuar dhe dokument përkatës për të ndjekur një shkollë kualifikimi.
Në Kurrikulën për arsimin parauniversitar të Republikës së Kosovës janë të pranishme edhe këto fjalë të huaja: menaxhoj – të pasurit kontroll mbi diçka; modul – përbërës i mëvetësishëm i një të tërë; optimal – më i mirë, më i përshtatshëm, më i madh etj.; portofoli – një koleksion i punës së mësuesit që pajis informacionin; progres – lëvizje përpara, zhvillim drejt së mirës; rutinë – ndjekje e vazhdueshme e po asaj rruge pa asnjë ndryshim, punë e përditshme; sfidat – qëndrim i guximshëm e mospërfillës ndaj një kundërshtari; stereotip – janë vlerësimet negative që emërtojnë paragjykimin; stimulim – nxit për të gjallëruar një veprimtari duke adresuar pyetje; subjekt – lënda, argumenti rreth të cilit flitet a shkruhet; tolerancë – vetia e atij që pajtohet me ekzistencën e një gjëje që lejon dhe shumë të tjera si këto. Andaj, nuk ka si mos të rikujtohet akademik Gjovalin Shkurtaj i cili porosit në qoftë se nuk duam që një shqipe e përçudnuar të përçudnojë edhe mendjen e shqiptarëve, duhet që shteti dhe krejt shoqëria e qytetëruar shqiptare të shkunden nga letargjia dhe të dalin nga mjegullnaja e kësaj shqipanglitalishteje…!” (Shkurtaj, 2003:78).
Ky përdorim i gjerë i fjalëve të huaja ka sjellë problem në komunikimin e përditshëm, pasi mesazhi që përcjell folësi nuk shkon plotësisht i qartë tek të gjithë dëgjuesit, kur folësi ndërthur gjuhën shqipe me fjalë të huaja nga disa gjuhë të tjera të cilat ai i njeh. Ky disnivel është i tillë sa mjaft njerëz shprehin shqetësimin se nuk arrijnë t’i kuptojnë disa të tjerë, të cilët flasin një lloj gjuhe shqipe të pakuptueshme për ta.
Përfundim
Ruajtja e pastërtisë së gjuhës amtare është detyrë e çdonjërit që është pjesë e një shoqërie, qoftë e madhe në numër apo e vogël, me të cilën e ka të domosdoshme të komunikojë në çdo hap të jetës së tij për t’i përmbushur nevojat jetike të përditshme. Për të komunikuar e ka të nevojshme të përdorë një gjuhë të njëjtë me shoqërinë ku ai bën pjesë, në të kundërt nuk mund të realizohet komunikimi. Në qoftë se folësi gjatë komunikimit përdor fjalë të huaja, të cilave dëgjuesit nuk ua dinë kuptimin apo e marrin kuptimin e këtyre fjalëve të shtrembëruar sipas njohurive që kanë, mund të themi me siguri se nuk është arritur komunikimi, sepse mesazhi nuk është marrë i plotë dhe i saktë. Kjo është një arsye e cila na vë përballë përgjegjësisë për të mos përdorur fjalë të huaja sepse mund të lindin keqkuptime. Andaj detyrë mbi detyra e akademikëve, e studiuesve të gjuhës, metodikëve, gazetarëve, lektorëve, është detyra e mësimdhënësve të të gjitha niveleve, por edhe e të gjitha lëndëve mësimore që t’i kushtojnë rëndësi kultivimit dhe ruajtjes së pastërtisë së gjuhës shqipe. /Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”/