Flamuri kombëtar shqiptar në Maqedoni mund të përdoret zyrtarisht, por vetëm nëpër komunat ku mbi 50 për qind e banorëve i takojnë këtij komuniteti apo komuniteteve tjera.
Në ligjin e vitit 2011 nuk saktësohet nëse bëhet fjalë për flamur shqiptar, apo të një etniteti tjetër, por në nenet 2, 3, 4 dhe 5 të Ligjit për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive, thuhet se “pjesëtarët e bashkësisë që janë më tepër se 50 për qind e popullsisë në atë njësi të vetëqeverisjes lokale mund të përdorin simbolet të tyre kombëtare në pajtim me ligjin”.
Në bazë të këtij ligji, bashkësitë etnike mund ta përdorin flamurin e tyre, bashkë me atë shtetëror në objekte të karakterit lokal dhe publik. Në bazë të ligjit, pushteti lokal vendosë për datat ose ngjarjet kur do të përdoret flamuri i bashkësive etnike. Ligji gjithashtu obligon që flamujt e bashkësive etnike, të jenë për një të tretën më të vegjël se flamuri shtetëror. Flamuri pa pengesa mund të përdoret në manifestime private.
Një zgjidhje e këtillë e përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar në vazhdimësi është kritikuar edhe pse nga partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, që edhe e ka mbështetur miratimin, kanë thënë se për momentin kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme, madje përfaqësuesit e saj në manifestimet të ndryshme edhe janë lavdëruar se për herë të parë sipas saj në Maqedoni flamuri kombëtar ka marr formën e përdorimit zyrtar.
Kërkesat për përdorimin e flamurit shqiptar datojnë që nga pavarësia e Maqedonisë, e cila kishte miratuar ligje që pengonin përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar. Në vitin 1997, dy kryetarët e komunave të Tetovës dhe Gostivarit, Alajdin Demiri dhe Rufi Osmani ishin burgosur për shkak të vendosjes së flamurit shqiptar para ndërtesave të komunave.
Aljadin Demiri, i dënuar atë kohë me 2 vjet e gjysmë burg, thotë për Radion Evropa e Lirë se zgjidhja e tanishme nuk është ajo të cilën e duan shqiptarët, që flamuri kombëtar të ketë përdorim të gjerë në Maqedoni. Ai thekson nevojën e një ndërhyrje të re ligjore për mbylljen njëherë e përgjithmonë të këtij problemi.
“Ligji i cili është në fuqi ka shumë pengesa, pasi më tepër merret me atë se ku nuk mund të përdoret. Kjo nuk është logjikë e përdorimit të flamurit, kjo nuk është logjikë e lirisë. Andaj vlerësoj nevojën për miratimin e një ligji për përdorimin e lirshëm të flamurit, aty ku jetojnë shqiptarët pasi nuk mendoj që ai të përdoret në Vallandovë, Gjevgjeli (qytetet të banuara me maqedon) apo diku tjetër”, thotë Demiri, duke e quajtur si nënçmues edhe pjesën e ligjit që parasheh dimensionet e flamujve, përkatësisht atë që simbolet e bashkësive tjera të jenë më të vogla se flamuri shtetëror.
“Përmasat aktuale të flamurit janë përçmim dhe unë nuk di se pse partitë e kanë pranuar. Dimensionet e flamurit nuk i përkufizon ligji, nuk i përkufizon administrata pasi ato janë dimensione standarde, prandaj ky dimension është arrogant dhe degradues dhe fyes për shqiptarët”, thotë Demiri.
Edhe Shpëtim Pollozhani, ish i dënuar politik thotë për Radion Evropa e Lirë se ligji aktual nuk është përputhje me interesat dhe kërkesat e popullatës shqiptare.
“Ligji aktual është denigrues, ofendues, poshtërues. Flamuri shqiptar duhet të jetë për një të tretën më i vogël se flamuri maqedonas. Ai përdoret në vendbanimet ku shumicë janë shqiptarët, por jo edhe në vendbanimet ku shqiptarët nuk janë shumicë. Kjo gjendje është rezultat i një klase politike impotente e cila nuk poshtëron vetëm se flamurin, por edhe na poshtëron edhe neve si komb”, thotë Pollozhani i dëshpëruar, siç shprehet, nga qasja e partive politike shqiptare të cilat ende nuk kanë arritur të zgjidhin plotësisht asnjë çështje që ka të bëjë me shqiptarët.
“Prej kësaj klase politike nuk pres asgjë, mund të pres vetëm se degjenerime edhe më të mëdha në të gjitha aspektet. Rinia duhet të zgjohet pasi ajo është motori i ndryshimeve, prandaj ajo duhet të marrë ardhmërinë në duart e veta”, thotë Pollozhani./Rel/