Site icon Telegrafi

AGK reagon ndaj gjuhës këcënuese të Sami Kurteshit drejt gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të papranueshme dhe fyese të anëtarit të LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, ndaj mediave.

Në një pyetje drejtuar Kurteshit nga gazetarja e Gazeta Nacionale, Besarta Hoti, ai është përgjigjur me fjalët: “Ju jeni media kriminale, të vrasësve me pagesë.”

AGK-ja e konsideron këtë deklaratë si të papërgjegjshme dhe të papranueshme, duke theksuar se akuza e tillë ndaj një media është e rrezikshme, pasi cenon lirinë e shtypit dhe mund të rrezikojë sigurinë e gazetarëve.

AGK-ja ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të sigurojë që përfaqësuesi i saj në KQZ të përmbahet nga gjuha fyese dhe kërcënuese ndaj mediave dhe të mos pengojë punën e gazetarëve.

“Sulmet verbale ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe cenojnë seriozisht lirinë e medias në Kosovë,” thuhet në deklaratën e AGK-së. /Telegrafi/

Exit mobile version