Klinika e Kirurgjisë Torkale, e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka njoftuar se aparatura e re Nuss- Procedurë, e cila realizohet me Vats (intervenim kirurgjik në gjoks), për herë të parë, është lëshuar në punë ditën e djeshme.
Sipas njoftimit, përmes aparaturës së re për herë të parë në Kosovë janë realizuar dy operacione, duke i kursyer buxhetit të shtetit qindra e mija euro.
“Me këtë rast, QKUK, e falënderon Dr. Xhevdet Ademaj, i cili punon dhe vepron jashtë vendit, e që ka ndihmuar të realizohen këto operacione”, thuhet në komunikatën për media.
Për procedurën Nuss, pacientët deri ditën e djeshme, thuhet se janë referuar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore.
“Aparatura e re moderne, e lëshuar në punë ditën e djeshme, i plotëson të gjitha kushtet për intervenime kirurgjike në gjoks”, bëhet e ditur më tej.
Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, një ditë më parë ka njoftuar se vlera e këtij investimi në aparaturë moderne është rreth 250 mijë euro.
Ai ka theksuar se shpenzimet vjetore më herët për trajtimin jashtë vendit të pacientëve kanë qenë 700 mijë euro./Telegrafi/