Carlo Ancelotti është i bindur se transferimi i ri, Jude Bellingham, do të jetë pjesë e skuadrës së Real Madridit gjatë përgatitjeve parasezonale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mesfushori iu bashkua gjigantit spanjoll për 103 milionë euro nga Borussia Dortmundi këtë verë, mirëpo ka pasur shqetësime për gjendjen e tij fizike, meqenëse e kishte përfunduar sezonin e kaluar me një lëndim.
Mirëpo, Ancelotti beson se tifozët do ta shohin lojtarin e ri shumë shpejt në aksion në përgatitjet për sezonin 2023/2024.
“Ai është shumë i ri dhe i ndryshëm nga mesfushorët tjerë që i kemi. Jemi shumë të gëzuar që është me ne dhe ai e ngrit nivelin e Real Madridit. Punon shumë, është duke vepruar mire dhe do të luajë në turne”, u ka thënë strategu italian gazetarëve.
Reali do t’i zhvillojë katër ndeshje gjatë turneut në Shtetet e Bashkuara duke filluar me takimin ndaj Milanit më 23 korrik, pastaj do të përballet me Manchester Unitedin, Barcelonën dhe Juventusin. /Telegrafi/