Deputeti Rafis Aliti, kërkon përgjegjësi nga Ali Ahmeti dhe Artan Grubi, pas votimit të mbrëmshëm të ndryshimeve të Kodit zgjedhor, ka bërë të ditur Telma, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Ai pohon se Grubi kokë më vete e ka nënshkruar ligjin, pa mos e informuar grupin parlamentar dhe organet partiake për këtë.
Ai kërkon që sa më shpejtë të mblidhet Kryesia qendrore e partisë, në të cilën do të kërkojë sqarim për veprimin e tillë. Aliti ka shprehur gatishmëri që edhe vetë para bashkë-partiakëve dhe elektoratit të sqarojë se pse ka votuar kundër.
Deputeti Artan Grubi, nuk ka dashur në mënyrë të drejtpërdrejtë të përgjigjet, sepse sipas tij, nuk i paska konsultuar kolegët nga partia. Ai ka thënë se personalisht nuk ka problem me asnjë nga partia dhe se për të është me rëndësi që tani më gjithçka ka përfunduar.
Analisti politik Mersel Bilalli nga ana tjetër ka thënë se sjellja e këtillë nuk i ngjan sjelljes së një partie serioze.
Vetëm tre deputetë votuan kundër shlyerjes së 40 mijë votuesve kontestues në listën zgjedhore, si dhe për vendosjen e 170 mijë votuesve nga diaspora në listë të veçantë./Telegrafi/