Opozita është paraqitur të premten e ndarë në “Union”.
Në restorantin në qendër të Prishtinës, pak metra larg të cilit liderët opozitarë kishin paralajmëruar konferencë të përbashkët, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj kanë diskutuar gjatë para se të dilnin shkurtimisht para gazetarëve për të kumtuar shtyrjen e protestës për rrëzimin e Qeverisë, e thirrur për të shtunën.
Burime të “Kohës Ditore” kanë përmendur dy arsye që kanë çuar në këtë vendim:
E para, LVV-ja konsideron se protestat paqësore nuk kanë kurrfarë efekti më, e AAK-ja është pozicionuar kundër përdorimit të dhunës;
E dyta, LVV-ja insiston që para protestës të formohet një front i përbashkët i opozitës dhe i shoqërisë civile, porse AAK-ja e Nisma nuk janë pajtuar, pasi druajnë se, me këtë, LVV-ja do që të krijojë supremaci brenda bllokut, ngaqë pjesëtarët e shoqërisë civile që duan të bashkohen, identifikohen si mbështetës të saj, shkruan Koha Ditore.