Telegrafi

Përbërja e re parlamentare pritet të bëhet më 30 korrik, fillojnë kombinatorikat për Qeverinë e re

Derisa në opinion tashmë kanë filluar kombinatorikat, për qeverinë e re, partia në pushtet LSDM ka dalë me mendimin se tani është koha që qytetarët të pushojnë nga politike dhe se Qeveria e re do të formohet pas festës së Ilindenit.

Nga LSDM thonë se kryetari i tyre Zoran Zaev ka shkuar në pushim vjetor, por thonë se ai do të jetë mandatari dhe kryeministri i ri i vendit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Pasi të jepet mandati për qeverinë e re nga presidenti, pritet që mbledhja konstituive të mbahet më 30 korrik.

Ndërsa sa i përket Qeverisë së re, një nga opsionet është që ajo të vazhdojë me partnerët e vjetër të koalicionit: LSDM, BDI dhe PDSH, të cilët së bashku kanë 62 deputetë.

Opsioni tjetër që e presin nga OBRM-PDUKM është që ata ta formojnë Qeverinë e re, por cili do të jetë partneri shqiptar nuk e zbulojnë.

Nga ana tjetër, nga BDI ju jep mundësi të barabarta edhe LSDM-së edhe OBRM-PDUKM-së, sipas një postimi të zëdhënësit të tyre Bujar Osmani në Facebook.

Kurse për një pjesë të analistëve politik, koalicioni më i mundshëm është ai në mes LSDM-së dhe BDI-së.

Megjithëse asnjëra nga palët nuk flasin zyrtarisht për negociatat dhe formimin e një shumicës parlamentare, Alsat ka mësuar se tashmë është rënë dakord që afatet për krijimin e Kuvendit dhe qeverisë së re do të shkurtohen dhe ato do të formohen gjatë verës.