Telegrafi

Përballje legjendarësh, Casillas – Buffon bëjnë historinë së bashku (Foto)

Nuk është thjeshtë një ndeshje për kualifikim tutje ajo mes Portos dhe Juventusit që do të zhvillohet pas pak çastesh në Do Dragao.

Ky duel është një ngjarje më vete që bashkon dy kolosët e portave të të dyja skuadrave.

Janë ikonat e futbollit botëror, portierët Iker Casillas dhe Ginaluigi Buffon ata që do të realizojnë një përballje historike ndërmjet tyre.

Që të dy portierët kanë nga 167 paraqitje në garat evropiane dhe sot realizojnë paraqitjet e 168-ta respektive përballë njeri tjetrit.

Iker Casillas është dukshëm më i trofeshëm se sa Buffon në këtë ditë, ani pse Buffon konsiderohet si portieri më i aftë në krahasimin mes të dyve.

Lexo po ashtu Lajmet e fundit nga Juventusi

Casillas tri herë e ka fituar Ligën e Kampionëve me Real Madridin, kurse Buffon ende po e kërkon këtë trofe të çmuar me skuadrën e Juventusit, shkruan Telegrafi.

Casillas dy herë është shpallur edhe kampion i Evropës, gjë që nuk ka ndodhur me Buffonin.

Por, Buffon ka numrin e njëjtë të trofeve të Kupës së Botës me Casillasin, statistikë ku ata janë barazuar dhe mund të thuhet se kanë pasur ndikimin e njëjtë në ekipet e tyre kombëtare.

Dhe, kategoria ku Buffon udhëheq ndjeshëm është pikërisht numri i titujve në nivelin e kampionateve vendore, aty ku Buffon ka plotë tetë tituj të Serie A, kurse Casillas ka pesë tituj të La Ligas me Real Madridin.

Statistikat dhe arritjet mes të dyve do të harrohen kur dy prej legjendarëve që janë në vitet e fundit të karrierës do të përballen me njëri tjetrin për të ndihmuar ekipet e tyre dhe për t’i dhuruar një tjetër spektakël gjithë atyre që ata i kanë inspiruar me vite dhe kanë qenë arsyet pse tifozët kanë dashur ekipet e tyre. /Telegrafi/