Site icon Telegrafi

Përballja e Kadaresë me Enver Hoxhën!

Albert P. Nikolla

Botimi i fundit i Ismail Kadaresë, “Kur sunduesit grinden”, është një sprovë tejet interesante mbi dinamikat antropologjike të marrëdhënieve diktator-artist nën diktaturën komuniste. Shpesh diktatorët kanë pasur një marrëdhënie xhelozie me artistët. Shumë prej tyre, para se të merreshin me politikë e të bënin karrierë, janë marrë në mënyrë periferike me art.

Stalini deri në moshën 17-vjeçare përpiqej të shkruante poezi, më vonë truri iu rreshk prej pasionit orëzi kriminal. Edhe diktatori Hoxha në veprat e tij dëshmon njëfarë pasioni për artin duke iu referuar shkrimtarëve dhe poetëve botërorë e duke ushtruar mediokritetin artizanal prej tregimtari në librin “Vitet e vegjëlisë”!

Është tashmë e qartë, pas botimeve të shumë arkivave se E. Hoxha ndaj Kadaresë ka pasur një ndjesi të dyfishtë: zili dhe një ndjesi tjetër të papërcaktuar arti e cila vërtitej diku midis urrejtjes dhe tërhuzjes. Po, edhe tërhuzje! E mendoj këtë sepse ashtu si dija, edhe arti i përsosur është pushtet dhe këtë pushtet të artit diktatura e kërkon medoemos në shërbim të saj, përndryshe i shkakton frikë për humbjen e pushtetit! Sidoqoftë, Hoxha e ka pasur një zharg të padepërtueshëm dhe vështirë të kuptohej lehtë se ç’mendonte! Botimi i ditarit sekret të E. Hoxhës me shënimet e tij për poezinë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” dëshmon edhe frikë ndaj Kadaresë.

“Ismail Kadaresë i është rritur mëndja që botuesit borgjezë i shtypin disa romane, ai do të vazhdojë dhe përpiqet të mbajë skemën e asaj bote, për sa i përket Shqipërisë socialiste. Ai dëshiron të bëhet shantri i saj”. (Ditari i E. Hoxhës. E hënë 20 tetor 1975).

Ky, besoj, është thelbi i dëshirës së një diktatori për të telefonuar një artist të madh: kam frikë prej teje, por jam më i fortë e mund të të bëj keq. Ashtu siç unë kam frikë prej teje, po ashtu ti duhet të kesh frikë prej meje! Por, ka një ndryshim të madh midis frikës së sunduesit politik dhe sunduesit artistik. Frika e diktatorit vjen nga brenda shpirtit të tij e për këtë arsye ai mund të jetë i rrezikshëm, pasi nuk e kontrollon dot frikën e tij. Ndërkohë frika e artistit është e jashtme dhe disi e menaxhueshme!

Në fakt Kadareja bën autokritikë pas sulmit që i bëhet prej partisë me rastin e shkrimit të poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”. Megjithëse sulmi ndaj tij ishte i frikshëm, sërish Kadareja nuk e percepton mirë rrezikun e madh dhe menjëherë pas kritikës fillon bocat e para të “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”! Me sa duket ai nuk mëson as nga dija osmane që i kishte treguar prof. Çabej:

“Kishte qenë profesor. Çabej që gjatë udhëtimit tonë në Stamboll, më kishte shpjeguar kuptimin e emërtimit të saj në osmanisht: ‘Ibret Tashé’. ‘Mëso nga pësimi’”. (Kur sunduesit grinden. Kadare f. 27)

Dhe, në fakt, bash kulmin e shprehjeve të disidencës së tij e shënon me këtë roman e sidomos me një pasazh që veç një Zot e di se si i ka shpëtuar syrit vigjilent të simahorëve redaktorë. Te ky pasazh del krejt ashiqare se autori i referohet diktatorit Hoxha dhe qeverisë komuniste. Ku e ka marrë këtë guxim Kadareja? Një ndër shpjegimet mund të jetë se ky guxim ka të bëjë me pasionin sublim, gati të pavetëdijshëm, të artistit të vërtetë. Arti e tërheq magjishëm drejt një “heroizmi artistik” dhe në atë pasion frymëzimi as vdekja nuk të shkakton më frikë.

“Ne Qyprillijntë jemi si ata njerëzit që kanë çelur toka e jetojnë në këmbët e vullkanit Vezuv”, thoshte gjysmë me të qeshur daja i vogël Kurt Qyprilliu. “Ashtu si Vezuvi që shpërthen herë-herë e djeg e shkrumbon ata që jetojnë në hijen e tij, ashtu na godet edhe ne herë pas here sovrani, nën hijen e të cilit rrojmë. Dhe ashtu si ata që jetojnë nën këmbët e Vezuvit, me gjithë fatkeqësitë e herëpashershme të tij, pas qetësimit të vullkanit, prapë aty, në tokat pjellore, te këmbët e tij ngrenë jetën, ashtu edhe ne, me gjithë rrebeshet që na dërgon sovrani, prapë nën hijen e tij qëndrojmë dhe i shërbejmë besnikërisht!” (Kadare. Nëpunësi i pallatit të ëndrrave.)

Kadareja jep një shpjegim në libër për lidhjen ndërmjet përsosjes në art dhe vdekjes. Aty shpreh gati-gati një dehje dhe një shprehi prej fatlumi sikur vdekja të vinte si pasojë e përsosjes. Paradoksalisht, sipas tij, pa vdekje nuk kishte as përsosje! Ja që arti nuk ishte i lehtë dhe diçka që mund ta bënin të gjithë! Në këtë vështrim kuptohet kapërthimi i artistit Kadare në realitetin shqiptar.

“E ndjeja atë lodhje morti që po më kaplonte prapë risjellja ndër mend e epilogut të librit, në vend që të më jepte një shkas më tepër për ta pezulluar, më bëri të mendoja se po të ishte puna për t’u përsosur, pra për ta pësuar, do të ishte me të vërtetë një fat që ta pësoja nga kjo mrekulli. … Ai epilog i kishte të dyja, përsosjen dhe vdekjen, ngaqë një fat i tillë e kushtëzonte herë pas here artin: s’mund të ishte i përsosur pa qenë i mbaruar.” (Kur sunduesit grinden, Kadare, f. 43)

Besoj se vepra e Kadaresë ka elemente mjaft interesante disidence “sui generis”! Nuk është një disidencë që shfaqet në formën e poezisë së Mandeshtamit, por e një lloji tjetër, me mjaft shpoti e metafora. Sa herë kam menduar për dallimin ndërmjet disidencës “sui genereis” të Kadaresë dhe disidencës së fortë të shkrimtarëve sovjetikë më ka ardhur në mendje një pasazh nga “Njeriu në revoltë” i A. Kamysë. Kur Kamy shkruan për romanin “Ditari i Siberisë” të shkrimtarit E. Dëinger, jep disa detaje interesante për një personazh të këtij libri: një nëntenent gjerman i cili ishte i burgosur në një gulag të tmerrshëm ku mbretëronte të ftohtit dhe uria. Ajo çka e bënte tejet të veçantë këtë personazh lidhej me faktin se, ngaqë ishte muzikant, kishte ndërtuar një tastierë pianoje të heshtur me ashkla druri. Me atë tastierë ai kompozonte muzikë që vetëm perceptohej nga autori e që natyrisht askush nuk arrinte ta dëgjonte, pasi ishte e patingull. Në të njëjtën mënyrë vepra e Kadaresë e ka një disidencë të heshtur, por të pranishme mes rreshtash.

Ndërkohë disidenca e poetëve sovjetikë është e fortë, e ashpër deri në sarkazëm të hapur ndaj dhunës së tmerrshme staliniste. Poezia e Madeshtamit “Stalinit” është shkaku themelor i telefonatës që Stalini i bëri Pastërnakut dhe përbën boshtin e librit “Kur sunduesit grinden”! Kishte rënë në duart e shërbimeve sekrete dhe kishte shkuar deri te Stalini. Pastërnaku i tronditur kishte kërkuar të ndërhynte kundër një dënimi të mundshëm të Mandelshatmit. Poezia është e nëntorit të vitit 1933.

“Stalinit!

Rrojmë pa nuhatur vendin poshtë këmbëve tona,

bisedat tona nuk dëgjohen as dhjetë hapa tutje,

e në ka vend për një gjysmë bisede

edhe aty ndërmendim malokun kaukazian.

Gishtat e tij shtypsa janë të majmur si krimba

dhe fjalët okë të rënda bartin të vërteta,

qeshin mustaqet prej brumbulli

dhe ndrisin kambalet e tij.

E përreth tij një zukanë shefash me qafë të hollë,

Përkënaqet me shërbime njerëzish gjysmakë,

Kush fërshëllen, kush mjaullin, kush hingëllin,

sapo ai hap gojën dhe ngre një gisht.

Si patkonj mbërthehen dekretet e tij,

Kujt në brinjë, kujt në ballë, kujt në vetull a sy,

Çdo vdekje për të është një trofe, dhe gjoksi i gjerë prej osetiani”.

Telefonata e Stalinit është e kobshme. Pastërnaku tronditet pasi diktatori e këput bisedën në mes pas tre minutash. Biseda vërtitet rreth Mandelshtamit. Pastërnaku e di mirë se Stalinit i ka rënë në dorë poezia e Mandelshtamit. Asokohe Pastërnaku jetonte në një apartament të përbashkët. Fenomen tipik në qytetet komuniste sovjetike, por edhe në Shqipëri. Edhe vetë kam jetuar dy vite, përgjatë komunizmit, në apartament të përbashkët dhe e përfytyroj shumë mirë sa të huaja janë ato banesa për delikatesën njerëzore, për privatësinë dhe tekefundit për vetë dinjitetin njerëzor. Përveç faktit se ajo telefonatë me siguri regjistrohej nga shërbimet sekrete, prapë sytë roja të banorëve të apartamentit do të vëzhgonin shprehjet e fytyrës së Pastërnakut gjatë bisedës. U zverdh, u skuq apo thjesht nuk i ndërroi ngjyra e fytyrës!

“Borisi, me sa duket, u tremb, dhe u përgjigj: ‘Unë pak e njoh atë. Ai është akmeist, kurse unë i përkas një rryme tjetër. Kështu që asgjë s’mund të them për Mandelshtamin.”

“Kurse unë mund të them se ju jeni një shok shumë i keq, shoku Pasternak”, tha Stalini dhe mbylli telefonin.” (Kur sunduesit grinden, Kadare, f. 61)

Një telefonatë do të ndodhte edhe mes diktatorit Hoxha dhe Kadaresë, por jo për të njëjtën arsye. Diktatorit tonë i ka pëlqyer një poemë e sapobotuar e Kadaresë. Një telefonatë e një niveli të tillë është njëlloj dhurate e çmuar. Të paktën kështu mund të perceptohej nga të gjithë shkrimtarët dhe intelektualët. Antropologu francez M. Mos (Mauss) në një ndër sprovat më të famshme antropologjike, “Sprovë mbi dhuratën”, ka provuar se në dinamikat kulturore njerëzore dhurata nuk është kurrë e painteres! Edhe telefonata e Enverit është e tillë, kemi një telefonatë që vë përballë në një përplasje të çuditshme, jo më me shpata apo pushkë, por me fjalë nëpërmjet telefonit. Kundërshtarët i flasin, por nuk e shikojnë shoqi-shoqin. Historia njihte mjaft raste duelesh shkrimtarësh për arsye nga më të ndryshmet. Pushkini kishte vdekur pas plagosjes në një duel me një francez të fisëm, Lermontovi ishte përballur në duel me Martinovin! Por, në këtë rast artisti Kadare ka përballë një artizanal dhe diktator. Këtë herë përballja nuk bëhet me plagosje, por me lavdërime dhe falënderime! Sunduesi politik, diktatori, e josh shkrimtarin nëpërmjet lavdeve, i transmeton mesazhin se të tilla poema si kjo e fundit duhet të shkruajë. Nëse poemat nuk janë të tilla, nuk ka më telefonata. Por nëse nuk ka më telefonata, pasi ka mbërritur e para, mund të presësh çdo lajm të kobshëm. Ndërkohë që sunduesi letrar përdor vetëm armën e vetëmbrojtjes: “falemnderit”!

“Jam Haxhi Kroi”, tha zëri. “Me ju do të flasë shoku Enver. Nuk arrita të them asgjë përveç fjalës ‘falemnderit’ më përgëzoi për një poemë që sapo ishte botuar në gazetë. Unë i thashë prapë ‘falemnderit’”! (Kur sunduesit grinden, Kadare, f. 11)

Ashtu si Mandelshatimit, të cilit iu ndalua për një periudhë kohe banimi në Moskë, edhe Kadareja u dërgua të provojë një internim “sui genersi” nën pretekstin e “punës prodhuese të intelektualëve” sipas modelit kinez! Edhe Kadareja u detyrua për disa kohë të qëndronte larg Tiranës. Shkrimtarja Helena Kadare e ka përshkruar me mjaft emocion këtë periudhë në librin e saj “Kohë e pamjaftueshme”! Asokohe Kadareja pati shkruar një poezi për babanë e tij dhe mërzinë e tij mbi kritikat për poezitë e të birit! Mandeshtamit, kur iu ndalua e drejta e banimit në Moskë, pat shkruar vargun e famshëm: “No ljublju etu kurvu Moskvù” (Ja që e dua këtë kurvën Moskë)

Debatet mbi politizimin e artit dhe marrëdhënien e shkrimtarit me pushtetin janë të pafundme. Shpesh në këto debate ka dalë në pah kundërthënia nëse është i mundur arti i vërtetë nën një diktaturë pa qenë mirëfilli disident. Sipas një pjese të studiuesve, një art i vërtetë është i pamundur në diktaturë përvese në rastet kur është qartazi disident. Ndërkohë që studiuesi B. Groys pohon se arti i vërtetë është i mundur edhe nën diktaturë, e madje edhe kur nuk është qartësisht disident me regjimin.

Në këtë plan arsyetimi, autori B. Groys në librin e tij “The total art of Stalinism” shtron një pyetje mjaft të rëndësishme mbi ekzistencën ose jo të artit të mirëfilltë në komunizëm. Ai pohon se megjithëse është e vështirë të krijohet art i vërtetë nën diktaturë, pasi arti në vetvete parakupton të qenët i lirë e të krijuarit në liri, përsëri arti shpërthen edhe nën trysni. Më tej autori nxjerr një përfundim mjaft interesant: as diktatura nuk mundet ta përdorë artin si të tillë, kur ky është i vërtetë, por vetëm disa aspekte të veprimtarisë artistike. Kjo është arsyeja se pse kishim art të vërtetë në komunizëm. Keqpërdorimi i artit në socializëm zë fill, sipas këtij autori, nga “dëshira e artit” për t’u keqpërdorur dhe modeli frymëzues është ai i “Pararojës artistike” krijuar në Bashkimin Sovjetik pas Revolucionit të vitit 1917. Ky model, me përfaqësues kryesor A. M. Rodçenko, shpallte vdekjen e artit “të muzeve” dhe lindjen e “artit të vërtetë” që ndërton botën e re. Është ky model arti që flirton me pushtetin dhe që bëhet i padëshiruar kur pushteti bie. Në Shqipëri ka pasur një model të tillë, por në këtë model nuk përfshihet arti i Kadaresë.

Groys pohon se arti e ka në natyrën e vet politizimin. Gjithë arti i mesjetës ka qenë i lidhur me një mijë fije me pushtetin. Por konflikti i njerëzve me artin – sipas tij – është i dyfishtë, sepse arti jo vetëm i shërben pushtetit e diktaturës, por edhe për vetë natyrën e tij arti krijon një lloj diktature estetike që disa njerëz nuk e pëlqejnë. Një krahasim interesant në këtë kontekst mund të ishte edhe pohimi i Kadaresë në parathënien e botimit të veprës së plotë të Martin Camajt në të cilin thotë se arti është një ndërtesë hijerëndë ku nuk mund të hyjë kushdo! Përgjatë analizës së artit të asaj kohe, më shumë sesa politizimi, që ishte si “paketim i domosdoshëm” i artit nën diktaturë, mund të shihet paraqitja artistike e artistëve të talentuar shqiptarë që dhuruan kënaqësi estetike edhe atëherë kur dhuna ishte mbytëse në çdo skutë të jetës. Në mos për artin, për sakrificat e panumërta njerëzore duhet të kemi respekt.

Art të vërtetë ka pasur në kompozim dhe interpretim të këngëve, në pikturë e në letërsi. Po ashtu ka pasur edhe keqpërdorim të artit të vërtetë dhe të pseudoartit. Diferenca midis artit të vërtetë dhe pseudoartit, në kuptimin e përdorimit politik, qëndron në faktin se arti i vërtetë mund të keqpërdoret nga politikanët, ndërkohë që pseudoarti ofrohet vetë për keqpërdorim. Është si të thuash “art prostitucioni”. Ndër gjithë gjykimet që kam lexuar mbi misionin e shkrimtarit në një shoqëri, ai i A. Kamysë më është dukur mjaft i ashpër.

“Misioni i shkrimtarit lidhet me detyra tepër të vështira; për vetë natyrën e tij arti nuk mund të vihet në shërbim të atyre që bëjnë historinë. Arti është në shërbim të atyre që e pësojnë historinë. Përndryshe shkrimtari mbetet pa artin e tij”. (Fjalimet e Suedisë. A. Kamy. 1957)

Analiza e rezultatit të këtij pohimi të Kamysë na bën të besojmë, pa cimatje, se Kadarenë nuk e zuri demokracia pa artin e tij. A kishte prodhuar Kadareja një art të vërtetë në komunizëm dhe a e gjeti rënia e komunizmit me artin e tij? Nuk kam asnjë dyshim se Kadareja prodhoi një art të jashtëzakonshëm në komunizëm dhe ai art mbetet i madh edhe pas rënies së komunizmit. Më kujtohet biseda më një piktor shqiptar i cili më pohonte se në vigjilje të një botimi me poezi të Kadaresë, diku rreth viteve ’60, ishte zgjuar në orën pesë të mëngjesit për t’u vënë në radhë për ta blerë librin. Te libraria kishte vënë re se kishte mjekë, oficerë, punëtorë, inxhinierë! “Poezia e tij na jepte një sens lirie nën atë rrasë të madhe guri që ishte diktatura” – më tha me emocion të madh piktori! Po ashtu shkrimtarja V. Bekteshi ka pohuar se kur ka qenë në internim ka shitur sende të saj vetjake për të blerë librat e Kadaresë, pasi ata e mbanin gjallë.

Çdo artist, përveç marrëdhënies me të bukurën, ka edhe një marrëdhënie me ndërgjegjen e vet, dhe kësaj nuk i shpëton dot e në të nuk mund të hyjë askush veç moralit. Në librin e fundit Kadareja prek dhe këtë argument mjaft delikat dhe bën një vëzhgim antropologjik që rrallë e kam hasur për sa i përket fenomenit të “vrasjes së ndërgjegjes” dhe lidhjes së tij me ideologjinë marksiste. Fragmenti ku shkruan për këtë argument përbën një ndër kulmet e këtij libri.

“Komunistët i trembte arti … Nga një shfletim i Karl Marksit nuk ishte vështirë të kuptohej që njeriu që ia kishte kushtuar jetën e vet përmbysjes me dhunë të rendit botëror, në dhjetëra librat e tij nuk kishte asnjë gjysmë faqe për tronditjen dhe pendimin që shkakton derdhja e gjakut njerëzor. …. Mund të thuhej se Karl Marksi i propozoi njerëzimit kasaphanën e madhe, por pa e shoqëruar, së paku, me porosinë e thjeshtë njerëzore: megjithatë, kujdes nga vrasja e ndërgjegjes.” (Kur sunduesit grinden, Kadare, f. 61)

Fenomeni i pendesës është thellësisht i krishterë dhe si i tillë ishte i përjashtuar nga një ideologji e cila armikun më të madh kishte shpallur Kishën Katolike! Zgjon kureshtje fakti që Papa përmendet si armiku i parë i “fantazmës komuniste” në Manifestin e Partisë Komuniste dhe bash në fjalinë e dytë të këtij dokumenti: “Një fantazmë sillet nëpër Evropë – fantazma e komunizmit. Të gjitha forcat e Evropës plakë, Papa dhe Cari, Meternihu dhe Gizoi, radikalët francezë dhe policët gjermanë janë bashkuar për t’i bërë luftën e shenjtë kësaj fantazme.” Pendesa përveçse ishte e papërputhshme me marksizmin në pikëvështrimin ideologjik, ajo ishte po aq e dëmshme në ndërtimin e socializmit. Ky i fundit kishte nevojë për njerëz të vendosur për çdo krim që mund t’i thërriste komunizmi. Një i penduar ishte e padenjë për komunizmin. Edhe Pastërnaku, personazhi kryesor i librit, sipas mjaft studiuesve ka pasur një konvertim nga hebraizmi në krishterim. Studiuesja Olga Frejdenberg ka pohuar se atmosfera e romanit “Doktor Zhivago” është thellësisht e krishterë!

Fakti që Kadareja i mëshon pa pre konceptit të pendesës qoftë në këtë libër, qoftë në esenë “Ndërgjegja e gjymtuar e shqiptarëve” ku shpjegimi është më organik, dëshmon se në ndryshim nga mjaft artistë të tjerë të gjamës së komunizmit, ai ka një largësi të mjaftueshme mosndotjeje nga krimet dhe kriminelët e komunizmit. Ky fakt dëshmon veç të tjerash se Kadareja nuk ishte i preferuari i regjimit, siç mundohen ta paraqesin disa rimohues. Në analizën që u kam bërë veprave të E. Hoxhës mbi hapësirën që i kushton diktatori Kadaresë, kam vënë re se ai nuk dëshmon një vlerësim të madh për Kadarenë. Ai është përherë në plan të dytë pas Agollit, Spases, Gjatës dhe Xoxes. Për Hoxhën, Kadareja nuk ishte një Shollohov i denjë për Shqipërinë. Një Shollohov dinjitoz duhej të ishte një shkrimtar që vishej si fshatar dhe që fotografohej përherë mes tyre. Përkundrazi, Kadareja kishte pamje prej borgjezi me syze të errëta dhe askund nuk e gjeje duke bërë foto me mjelëse të dalluara, siç mund të gjeje mjaft shkrimtarë të tjerë.

“Shollohovi, pavarësisht se ç’tip ishte dhe ç’jetë bënte, nisi të paraqitej gjithkund si modeli i ‘shkrimtarit sovjetik’, larg çdo trazimi të dyshimtë, të vetmisë, pijes, grave, gjithmonë buzagaz, fotografuar hareshëm midis fshatarëve të tij të Donit, shpesh me këmishe kolkoziane”. (Kur sunduesit grinden, Kadare, f. 76)

Jo vetëm paraqitja dhe mungesa e fotove me kooperativistë, por edhe romanet e Kadaresë nuk kishin personazhe të stilit të Shollohovit, të cilët dashuronin më shumë partinë se gruan, personazhe që jepnin jetën për socializmin apo vrisnin njerëz që ishin kundër socializmit. Përkundrazi, personazhet e tij shpeshherë tradhtonin bashkëshortët e tyre, dëgjonin radio të huaj, pinin alkool, urinonin pemën e miqësisë shqiptaro-sovjetike të mbjellë nga Hrushovi, shihnin filxhanin, dëgjonin radiot e huaja! Të gjitha këto bënin që Kadareja të ishte një tip shkrimtari që nuk mund të ishte model frymëzues për rrethin e letrarëve të rinj apo për “njerëzit e rinj”, por paradoksalisht për kritikët e artit socialist kishte mjaft talent. Ashtu siç kishte një kundërthënie themelore midis predikimit dhe praktikës komuniste, që studiuesja Evgenija Ginsburg e kishte quajtur “udhëtim në marramendje”, po ashtu kishte një kundërthënie mes talentit të Kadaresë dhe produktit të tij letrar jo shumë “socialist”! Ky fakt krijonte hutim jo të vogël te kritikët dhe pushtetarët e regjimit.

Një tjetër element antropologjik i rëndësishëm që del nga libri i fundit i Kadaresë ka të bëjë me përdorimin e fjalës “zonjushë” gjatë komunizmit! Fjalët “zotëri”, “zonjë”, “zonjushë” ishin të papërputhshme me ideologjinë komuniste dhe ishin zëvendësuar dhunshëm më fjalët “shok” dhe “shoqe”! Por, çuditërisht, siç vëren Kadareja, fjala “zonjushë” i kishte rezistuar sidomos te nxënësit e shkollave tetëvjeçare dhe të mesme!

“Kurse befasimin më të bukur do ta shkaktonte fjala e tretë “zonjushë”. Zëvendësimi i saj ishte kërkuar me këmbëngulje, ngaqë ishte më e afërta me morfemën “nënë”, sidomos në shkollat fillore. Me gjithë nervozizmin që shkaktonte, ngaqë përdorej nga dhjetëra mijëra fëmijë të mitur, në vend të fjalës “mësuese”. Përpjekjet për ta zëvendësuar kishin dështuar njëra pas tjetrës. Fëmijët e vegjël me kokëfortësi vazhdonin t’i quanin mësueset e tyre “zonjushë”. Dhe ishte pikërisht kjo armatë e pafundme e kalamajve që u tregua e pathyeshme gjersa fjala me hijeshi tronditëse “zonjushë”, zuri vend përfundimisht në gjuhën shqipe.” (Kur sunduesit grinden, Kadare, f. 82)

Kujtoj kohën e gjimnazit kur përdorimi i fjalës “zyshë”, shkurtim i fjalës “zonjushë”, ishte tashmë i pranuar nga të gjithë profesorët, madje edhe nga ata që ishin anëtarë partie. Ishte si ngjashmëria me “muzikën pa tingull” që përmenda më lart ose si disidenca e Kadaresë, e cila ishte aty mes librave dhe ndërgjegjja jonë kolektive e kishte pranuar si të mirëqenë dhe të parrezikshme! Njëlloj bashkëjetese me armikun, por që nuk e trazonte shumë sundimtarin! Kështu që sundimtari politik ia linte edhe sundimtarit artist pushtetin e tij, por me kushtin që të mos e tejkalonte kufirin e bibliotekave. E beftë ishte kjo dukuri po të përpiqemi t’i shohim shfaqjet e asaj kohe me syrin e një personi që e ka jetuar atë periudhë. Por befasia, sipas Kadaresë ka qenë një ndër veçoritë e regjimit komunist: tipari kryesor i enigmave të komunizmit ishte pikërisht shfaqja e tyre aty ku s’priteshin. (f. 145). Siç ishte i paparashikueshëm shpërthimi i Vezuvit, po aq vrik dhe i paparashikueshëm vinte edhe reagimi i sundimtarit politik! Ndodhte atëherë kur nuk ta priste mendja. Sunduesit artist dhe popullit nuk i mbetej gjë tjetër veçse të priste shpërthimin e llavës së nxehtë të sunduesit politik, pa kërkuar arsyen “pse”! Në lidhje me kërkimin e arsyes dhe bërjen e pyetjes “pse” përballë absurdit të regjimit komunist, bashkëshortja e Mandelshtamit, Nadjezhda, në librin e saj “Epoka dhe ujqërit” shkruan: “E kanë arrestuar? Pse e kanë arrestuar? Kjo pyetje ishte bërë për ne e palejueshme. Si pse? Është momenti të kuptojmë se nuk ka një pse!” Edhe disidenca e Kadaresë është e veçantë dhe çdo pyetje rreth saj nuk mund ta rishfaqë të plotë misterin e artit të tij, sepse siç thoshte Balzaku “Gjeniu u ngjan të gjithëve, por askush nuk është i ngjashëm me të”! /Milosao/

 

 

Exit mobile version