Site icon Telegrafi

Përballja Deda – Dacic

Nuk po përballet me zyrtarët e Serbisë vetëm Edita Tahiri dhe ekipi i saj. Para disa ditësh një përballje të tillë e kishte edhe Ilir Deda që është edhe këshilltari kryesor i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Përballja ishte në Radio Televizionin e Serbisë (RTS), në mediumin që kishte hedhur helm e vrer kundër të gjithëve dhe i cili kërkoi falje së fundmi për një qasje të tillë gjatë viteve 90. Natyrisht i “harroi” ata të cilët më së shumti i kishte fyer, kërcënuar e akuzuar – shqiptarët e Kosovës. Përballja e Dedës në këtë medium ishte me zëvendëskryeministrin dhe njëkohësisht ministrin e punëve të brendshme të Serbisë – Ivica Dacic. Qasja e Ilir Dedës në debat ishte në frymën e tolerancës dhe shikimit përpara duke diskutuar zgjidhjen e çështjeve praktike. Por me Ivica Dacicin nuk shkon ashtu.

Dacici ka qenë zëdhënës i partisë SPS që udhëhiqej nga kasapi i Ballkanit – Millosheviq, përgjegjës direkt për konfliktet dhe luftërat në ish Jugosllavi. Në debatin me Ilir Dedën, Dacici dëshmoi edhe njëherë se i mbetet besnik politikës së vjetër të nacionalizmit dhe shovinizmit ndaj shqiptarëve. Dacici si edhe herëve tjera tha një mori gënjeshtrash e shtrembërimesh të fakteve historike. Bashkëbiseduesi nga Kosova mundohej që t’i shmanget një debati të tillë gjë që keqpërdorej edhe më shumë nga Dacic.

Ishte tepër e dhimbshme të dëgjohej një reagim i Ilir Dedës se “po kjo ka ndodhur para 100 viteve” kur Dacic bëri pyetjen se “a e di ti që Serbia i ka çliruar shqiptarët prej turqve”. Jo ore Ilir, Serbia ka bërë masakrat më të tmerrshme në histori para 100 viteve. Kjo është e dokumentuar jo vetëm nga të dhëna të ndryshme dhe prej gjyshërve e stërgjyshërve tanë, por edhe nga gazetat kohës. Gazeta britanike Daily Telegraph, masakrat e Serbisë kundër shqiptarëve më 1912 i kishte quajtur “krime të papara në historinë e njerëzimit”. Gazeta New York Times e datës 31 Dhjetor 1912 shkruan poashtu për masakra të tmerrshme të ushtrisë serbe kundër shqiptarëve. Në artikullin me titull “Ekzekutimi si sport ditor” kjo gazetë theksonte masakrat e tmerrshme kundër të gjithë shqiptarëve pa dallim deri tek foshnjat në gjirin e nënës. “Mizori në formë bishash” u quajt kjo masakër nga New York Times i asaj kohe.

Prej shumë gënjeshtrave të thëna nga Dacic ishte edhe ajo për “500 mijë serb të përzënë nga Kosova”. Vetëm para 10 vitesh sipas Dacicit qenkan “përzënë 220 mijë serb nga Kosova”. Çudi e madhe pasi serbët qenkan përzënë tërë kohën dhe njëkohësisht janë shtuar në Kosovë! Në fakt sipas statistikave zyrtare të vet shtetit të Serbisë, më 1991 në Kosovë kishte 190 mijë serb. Meqë sipas Dacicit qenkan “përzënë 220 mijë serb” para 10 viteve dhe meqë në Kosovë pas asaj kohe mbetën rreth 130 mijë serb kjo i bie që në Kosovë më 1999 “para përzënies” paskan qenë 350 mijë serb! Pra pothuaj dyfishi i një populli që ka normë negative të shtimit dhe atë brenda 8 viteve! Nuk kishte ndonjë reagim nga Iliri ndaj një gënjeshtre të tillë të paparë. E jo vetëm nga Iliri në këtë rast, por asnjë nga përfaqësuesit tanë në Këshillin e Sigurimit në OKB nuk po reagon me fakte ndaj gënjeshtrës së njëjtë të përsëritur nga ministri i jashtëm serb Jeremiq sa herë që ky Këshill mban mbledhje për Kosovën.

Natyrisht që shembujt e cekur janë vetëm dy nga shumë gënjeshtra të thëna nga Dacic. Sigurisht që nuk ka patur nevojë që të reagohet ndaj çdo gënjeshtre të Dacicit (meqë debati do të ndërronte kahun) por së paku në këto dy është dashur të reagohet. Duke mos marrë përgjigjen e duhur, Dacici dhe shumë bashkëmendimtar të tij në Serbi vazhdojnë të jenë të zhytur në bindjen e tyre se kanë të drejtë dhe se “Kosova qenka grabitur prej tyre”.

Ky debat ku një bashkëbisedues nga Kosova shikon përpara dhe merret me çështjet që duhet zgjidhur tregoi se nuk është qasja e duhur. Natyrisht kur është fjala me llojin e Ivica Dacicit. Qasja e drejtë me një lloj të tillë është shikimi përpara dhe zgjidhja e çështjeve teknike, por edhe reagimi në raste të caktuara si më lart. Nëse dikush nuk pajtohet me këtë qasje do të ishte mirë që të vizitojë portalin B92 në internet dhe të shikojë në forumin politik të këtij portali diskutimet që janë bërë me vite të tëra në temat që kanë lidhje me Kosovën. Kjo “luftë virtuale” në atë forum është fituar nga shqiptarët por është interesant edhe nga serbët liberal kundër nacionalizmit dhe shovinizmit serb. Pikërisht qasja që të diskreditohen gënjeshtrat e nacionalistëve serb me fakte dhe njëkohësisht shikimi përpara ishte çelësi i suksesit në këtë “luftë virtuale” në forum.

Janë këto ide dhe gënjeshtra të Dacicit (dhe të tillëve si ai) të thëna në debat që janë demantuar dhe diskredituar në forumin politik më të madh në Serbi i cili ka rreth 100 mijë anëtarë. Dhe jo vetëm këto gënjeshtra, por edhe shumë të tjera. E kjo rezultoi që dikur kishim disa qindra reagime e kundërreagime të ashpra brenda ditës ndërsa tani ka javë të tëra që diskutimet janë ndalur. Forumi për Kosovën pothuaj është shuar me faktin që pothuaj të gjithë pjesëmarrësit janë pajtuar me krijimin e shtetit të Kosovës dhe faktit që ky shtet ishte krijuar me të drejtë.

Debati i Dedës me Dacicin tregoi edhe njëherë se në përballje me eksponentët e llojit të Dacicit duhet të jesh shumë i përgatitur. Dacici si edhe shumë të tjerë si ai mund të ndalen vetëm kur publikisht diskreditohen me fakte. Janë faktet ato që po bëjnë që opinioni në Serbi të ndryshojë mjaft shumë kohëve të fundit. Ikja nga debati me ta vetëm sa do t’i trimërojë që të vazhdojnë me gënjeshtrat dhe bindjet e tyre. Përballja me argumente ndërkaq po ndikon që lloji i Dacicit dhe bashkëmendimtarëve të tij të jenë gjithnjë e më të izoluar.

Exit mobile version