Qëkur ishte njoftuar raja se perandori po vjen të vizitojë Pashallëkun, i pari i Pashallëkut ishte zhytur në mendime se si do ta përkthente emrin e tij në gjuhën e lartmadhërisë. Nuk i zihej vendi vend. Ndjente inat t’i tregonte dikujt për brengen e madhe qe po e mundonte. Pashallëku ka emër në gjuhën e perandorit, po i pari i Pashallëkut ka rastisur të këtë emër vendor. Aha, i tha vetit, njeriut bujar në gjuhën e perandorit i thonë “i xhymert”. Xhymertli i tha veti. Nisi të dashurohet në emrin e zbuluar tashmë dhe habitej sa e pasur është gjuha e lartmadhërisë e cila ka zgjidhje edhe për përkthimin e emrave. Jo fort moti kishte hequr mustakët qe i kishte bartur me vite dhe tash mendonte se do të ishte me i afërt me perandorin po t’i kishte ato. T’i lëshonte sërish ishte vonë. Të vendoste artificialë mund t’i binin rastësisht gjatë vizitës se perandorit dhe kjo e tmerronte. Me çka të nderonte perandorin sa më mire, kjo ishte dilema.
Pashallëku, tashmë kishte përgatitur për shitje gjithçka që i sjell kënaqësi perandorit. Lartmadhëria ka para, shumë para. Është çasti të dëshmojmë dashuri dhe mall për perandorin. Perandori nuk vjen çdo ditë, prandaj çdo minutë qëndrimi ai duhet të ndjehet i kënaqur me rajën.
Raja ka vetëm një problem: të zhduken dhe largohen figurat rebele kombëtare nga vendet, kudo që kalon perandori. Raja nuk e ka harruar kamxhikun e perandorit, e mban mend mirë egërsimin e lartmadhërisë. Prandaj, figurat rebele duhet të largohen.
Nga zyra e presidentit u hoq busti i rebelit kryesor. Xhymertliu ndjeu një lehtësim se perandori nuk do ta kritikojë, ose ruana Zot ta detyrojë ta largojë bustin para gazetarëve. Në anën tjetër i shkonte mendja se mos vallë perandori kërkon të vizitoje ndonjë muze dhe atëherë mund të bëhet edhe më keq. Kështu, Xhymertliu pa mustaqe po kalonte net të tëra pa gjumë se si do ta gostisë perandorin. Raja ka emra njerëzish, fshatrash, qytetesh e lumenjsh në gjuhën e perandorit. Kara Ali, Karadak, Karavasta e emra të tjerë kudo dëshmojnë se gjurmët e Perandorisë i kemi këtu. Përktheu edhe emrin e tij në gjuhen e perandorit. Xhymertli i tha veti.
Historia duhet të shkruhet siç mendon perandori. Nuk duhet të harroni se pushtuesi nuk e ka mësuar asnjëherë gjuhën e robit. Kush thotë se nuk kthehet pushtuesi (perandori), gabon. Sa herë e ka parë me sytë e vetë raja kthimin e pushtuesit (perandorit )në një formë a në një tjetër nuk ka limit.
Askush nuk e dinte dot ditën kur vjen perandori, por gjithçka po përgatitej enkas për të.
Ne rend të parë ai duhet të ndjehet i sigurt. Nuk mjafton vetëm kujdesi i rajës, por në kasabanë kryesore të pashallëkut kanë arritur pararojat e lartmadhërisë.
Tepihët e rinj renditen njëri pas tjetrit nëpër rrugët kudo që do të kalojë perandori. Tepihë me kilometra. Po, po, me kilometra! Nëse nuk ka mjaftë lule duhet blerë edhe jashtë vendit për këtë ditë të shenjtë. Raja nuk kursen asgjë për perandorin. Ai duhet të kënaqët me rajën e cila i ka shërbyer me besnikëri për pesëqind vjet. Po rajës i ka mbetur merak akoma.
Perandori nuk vjen sot me kalorës e këmbësori si dikur, por me makina moderne, me avionë e tragete. Perandori sjell dhurata për rajën. Sjellë seriale filmike plot aventura për t’ia freskuar kujtesën shërbëtorëve se sa bukur jetonim kur sundonte ai. Ai vjen me arka plotë para që i lakmon raja. Nuk fshihet dot nostalgjia për kohët kur perandorët kishin kalëruar këndej me ordhitë e tyre dhe fanfarat që dëgjoheshin nga larg. Të vrarët nga pushtuesi janë tretur moti. Shumë prej tyre nuk kanë as varr. Rajës nuk i shkon ndërmend se perandori ka shpatën dhe litarin e dikurshëm dhe mund të kërkojë edhe koka në tepsi si dhuratë.
Elaboratet e rajës se si do t’i shërbejë shkëlqesisë nuk kanë kufij. Raja ka paraparë çdo shërbim për sulltanin. Raja nuk i ka harruar dëshirat dhe apetitet e perandorit dhe vetëm pret urdhrin. Janë nxjerrë në sheshe orkestrat muzikore dhe këngëtaret më të mirë që do bëjnë muzikë, do të këndojnë e vallëzojnë për nder të lartmadhërisë. Aty në sheshin e kryekasabasë se Vilajetit qëndron lapidari i mbretit të vogël vendor, prezencën e të cilit nuk e vëren askush. Raja njeh çdo lëvizje dhe epsh të shkëlqesisë. Populli duhet të mbush sheshet për ta bindur sulltanin se ata e duan akoma dhe vetëm ai është zot i tyre. Perandorit nuk i bëjnë përshtypje shtyrjet e masës që duan ta nderojnë si është më mirë dhe si i pëlqen sulltanit. Po perandori ka ardhur me shumë dëshira dhe ide dhe ai e din se çka i duhet Vilajetit dhe rajës se dashur të tij.
As pallati i Xhymertliut servil vendor nuk ia mbush syrin, sepse sarajet e sulltanit janë dhjetë herë më të mëdha edhe se Shtëpia e bardhë në Uashington apo çdo pallat tjetër diku në botë.
Gazetat mbushin faqe të tëra për perandorin dhe pasurinë e tij; shkruajnë për apetitet e perandorit. ”Salep Sulltani” zbret nga makina si impozant, krenar, mbizotërues në token ku kishin sunduar me shekuj pararendësit e tij. Perandori ka lexuar për rebelet e këtij Pashallëku dhe figurat e tyre nuk i hiqen nga mendja. Ai nuk don të shohë as portrete, asnjë gjurmë të rebelëve. Raja e din këtë dhe i largon portretet e rebelëve kudo që mund t’i bien rastësisht në sy sundimtarit. Raja i di sokakët ku janë vendosur përmendoret dhe iu shmanget atyre kudo që është e mundur. Sulltani dëshiron të shoh çdo gjë, por jo figura rebele.
Secili nga raja përpiqet të mbajë mend mirë çdo lëvizje të perandorit. Me cilën këmbë po zbret nga makina, me të djathtën apo të majtën. A po lutet? Çka po lutet? Në cilën gjuhë po lutet? Askush nuk guxon të harrojë sjelljet e perandorit. Kujtohet gjuha me të cilën fliste perandori. Raja nervozohet me gjuhën e vet dhe ka inat ndaj veti se si nuk e mëson dot gjuhën e perandorit. Dihet mirë se kushdo nga raja qe nuk flet gjuhën e perandorit nuk është i civilizuar.
Po thonë e shkruajnë se perandori po hap shkolla, por dihet, në gjuhën e tij. Perandori ka para për të joshur “rajën” me pak lecka të reja. Po thonë se numri i nxënësve që do të shkollohen në gjuhën e perandorit po rritet përditë. Vjen perandori me investime të reja, vjen me dhurata, posaçërisht për ata që i ka marrë malli. Mbi të gjitha ai vjen sot me ide të reja sundimi e shfrytëzimi.
Xhymertliu me dekretin e tij të vogël i dhuron përfaqësuesit perandorak troje falas për ndërtim shkollash, ku fëmijët e rajës do të mësojnë në gjuhën e Perandorisë. Pas shumë vjetësh, perandorëve po u ngrihen përmendore, po emërtohen sheshe e shkolla me emrin e tij. Perandori po derdh para me thes për ndërtimin e objekteve të reja të kultit, megjithëse në Pashallëkun e Xhymertliut ka të tilla tepër për një vend si ky, i rajës. Perandori blen çdo gjë. Perandori ka para, ka aq shumë ari për të blerë gjithë tokën e pasuritë e Pashallëkut, ndërsa raja është e gatshme t’i shërbejë për pak lëmoshë të mjerë.
Lartmadhëria blen çdo gjë që shitet. Mjafton që perandori të shfaq dëshirë për ta blerë: rruge nacionale, aeroporte, male, livadhe, plantacione agrumesh, miniera, liqeje, lumenj, ura, centrale drite, uzina prodhimi apo edhe skele deti. Perandori blen edhe njerëz, robër që i shërbejnë me zell dhe këtë raja e di më së miri.
Askush nuk mendon se prej nga e ka gjithë atë pasuri perandori? Me arin e plaçkitur me shekuj nga tokat e pushtuara, perandori edhe sot mund të blejë çdo pasuri që i ofron raja pa asnjë kusht. Raja është aty dhe “hyzmeti” nuk do të mungojë për perandorin. Raja nuk pret urdhër për “hyzmet”. Në Ballkan askujt nuk i bëhet vonë asnjëherë për asgjë. Çdo pushtues gjen shërbëtorë sa të dojë. Mediat e shkruara dhe elektronike mbushin ekranet me pamje të fuqisë perandorake, me shënime, shkrime e opinione, plote mall për pushtuesin (perandorin). Perandori nuk kursen lavde për rajën. Urdhëron shërbëtorët të nxjerrin nga trasta paratë e ndara për rajën: Tridhjetë milionë për këtë objekt, tridhjetetre milionë për atë tjetrin objekt, ku lutej i ati i perandorit.
Viziton shkolla e fakultete perandori dhe evidencon me sy vasha të bukura e djem të dalluar si dikur pararendësit e tij. Më vonë dërgon” zaptin” për të mbledhur haraçin. Nuk ka nevoje të djersitet fare për këtë. Raja mbledh vashat në tubime rasti dhe organizojnë vizita nëpër vende atraktive të Perandorisë dhe atje ngadalë i sistemojnë neper hotele e shtëpi publike sipas nevojës dhe planit të perandorit. Nuk harron perandori të vizitojë çdo kazermë dhe atje të zgjedh nizamë që do të specializohen në oborrin perandorak.
Mediat e rajës nuk e lënë pa reklamuar edhe dhuratën me të vogël të perandorit, sepse ajo ka vlerë dhe është e shenjtë. Dhe raja mburret për çdo punë që punon për perandorin dhe zgjedh mjeshtër të dalluar për sulltanin. Dihet se në oborrin perandorak nuk mund të punojë gjithkush.
Gjithë shërbimi nuk dallon fare nga pushtimi i dikurshëm dhe asgjë nuk ka ndryshuar në mentalitetin e robit. Çdo shërbim që i bëhet perandorit tërheq me vete ndonjë dhuratë nga oborri mbretëror. Kudo valojnë dhjetëfish më shumë flamuj perandorakë se vendorë. Raja don t’ia mbush mendjen perandorit se këndej pari ai është mbret si dikur.
Na jemi të varfër. Na nuk kemi ku t’i rrisim e shkollojmë fëmijët. Shkollat tona janë si kasollja krahasuar me ato të perandorit. Edhe mësuesit i ka të zgjedhur lartmadhëria. Mësuesit tanë janë zaif për oborrin e sulltanit. Edhe vajzat e bukura nuk i martojmë dot me djemtë tanë të varfër. Raja mbush oborrin e sulltanit me vashat të zgjedhura. Lartmadhëria e tij ka zgjidhje për të gjitha vashat e bukura. Ai është i mençur, i pasur e i pa zëvendësueshëm. Perandori ka zgjidhje për çdo problem. Raja nuk ka nevojë të mendojë fare. Raja ka detyrë të punojë. Perandori mendon edhe për rajën!
Askujt nuk i shkon mendja për muzikë në gjuhën amtare. Kur sheh si është veshur raja, për të nderuar sulltanin, të duket sikur gjendesh mu në kryeqytetin perandorak.
Edhe këngëtarët sillen si dikur dhe kërkojnë këngë të posaçme për perandorin, me shpresë se ai do t’i merr me vete në oborrin e tij. I madh është pallati i perandorit dhe oborri i tij. Aty ka vend për të gjithë të përzgjedhurit e shkëlqesisë. Kameramanët filmojnë çdo imtësi të lëvizjes së lartmadhërisë se tij dhe shtyhen se cili do zë më shume detaje për media e gazeta të cilat mbushin faqe të tera shkrimesh e fotosh madhështore. Gara e rajës për të siguruar një vend në oborrin perandorak është e tmerrshme. Lufta mes rajës zhvillohet ballë për ballë e fyt për fyt për një vend shërbimi në oborrin perandorak.