Kampionia e Austrisë është njëra prej xhudisteve të huaja që po stërviten aktualisht në Pejë, nën urdhrat e trajnerit Driton Kuka. Nxënëse të Kukës janë Majlinda Kelmendi, kampione e dyfishtë e botës, Nora Gjakova, fituese e medaljes së bronztë evropiane, Distria Krasniqi, kampione e botës për juniore, shkruan sot Koha Ditore. Niveli që kanë arritur xhudistet kosovare, përkatësisht nxënëset e Driton Kukës, ka bërë që numri i xhudisteve të huaja që preferojnë të ushtrojnë në Pejë të rritet gjithnjë e më shumë.
"Po ndihem shumë mirë këtu. Më pëlqen qyteti, në fakt çdo gjë këtu më pëlqen shumë", ka thënë Nicole Herbst, të enjten në një bisedë për gazetën. Ajo ka treguar se pse ka zgjedhur të përgatitet në Pejë.
"Sepse unë dhe trajneri im mendojmë se këtu është grupi më i mirë në Evropë. Po ashtu këtu janë vajzat më të mira për mua për të ushtruar. Është një rast shumë i mirë për mua që të ushtroj me këto vajza, me një grup kaq të mirë".
Herbst në Austri vlerësohet me të ardhme në xhudo. Është kampione në fuqi e Austrisë në kategorinë deri 52 kilogramë.