Pas kumtimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve në Serbi, në rrugën “Mbreti Petri” në veri të Mitrovicës, sonte rreth orës 22:30 janë dëgjuar të shtëna armësh nga persona që mendohet të jenë simpatizantë të Partisë Progresive Serbe (SNS), e udhëhequr nga kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq.
KosovaPress merr vesh se Policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes pas të shtënave. Në vendngjarje janë gjetur gëzhoja kallashnikovësh, derisa nuk është arrestuar asnjë person lidhur me rastin.
Partia e Vuçiqit raportohet të ketë fituar shumicën e votave në zgjedhjet e sotme parlamentare, ndërsa i është hapur dera e Parlamentit edhe Partisë Radikale të Serbisë, e prirë nga ultranacionalisti Vojsllav Sheshel.
Gjatë votimeve në Kosovë në komunat serbe nuk u raportua për incidente. Procesi në Kosovë u menaxhua nga misioni i OSBE-së në Kosovë.