Site icon Telegrafi

Për Universin, ekzistencën, fenë dhe qëllimin mbi këtë tokë

Nga: Albert Einstein

Shkolla më la në baltë, dhe unë e lashtë në baltë shkollën. Mësuesit silleshin si Fildvebel-a (rreshterë). Unë doja të mësoja ato që doja të dija, por ata donin që unë të mësoja për provimet. Ai që urreja më shumë ishte sistemi konkurrues atje, dhe sidomos sportet. Për shkak të kësaj, nuk vleja për asgjë, dhe disa herë më sugjeruan të largohesha.

Kjo ishte një shkollë katolike në Munih. Ndieja se etja ime për dije po mbytej prej mësuesve të mi; për ta, matësi i vetëm ishin notat. Si mundet një mësues të kuptojë të rinjtë, me një sistem si ky?

Që nga mosha 12-vjeçare nisa të vë në dyshim autoritetin dhe të mos kem besim tek mësuesit. Mësoja kryesisht në shtëpi, fillimisht nga xhaxhai im dhe më pas nga një student që vinte të hante me ne, një herë në javë. Ai më jepte libra për fizikën dhe astronominë.

Sa më shumë që lexoja, aq më i mëdyshur isha për rendin e Universit dhe rrëmujën e mendjes njerëzore, me shkencëtarët që nuk binin dakord se si, apo kur, apo pse, kish ndodhur krijimi. Më pas, një ditë, një student më solli “Kritikën e Arsyes” të Kantit. Duke lexuar Kantin, fillova të vë në dyshim gjithçka që më ishte mësuar. Nuk besoja më në Zotin e Biblës, por në Zotin misterioz të shprehur tek natyra.

Ligjet bazë të Universit janë të thjeshtë, por për shkak se shqisat tona janë të limituara, ne nuk mundemi t’i rrokim. Ka një model në të gjithë krijimin.

Nëse shohim pemën jashtë shtëpisë, rrënjët e të cilës kërkojnë nën dysheme për ujë, ose një lule e cila dërgon aromën e saj të ëmbël tek bletët që polenizojnë, apo nëse shohim edhe veten tonë dhe forcat e brendshme që na shtyjnë të veprojmë, do të vërejmë se të gjithë ne vallëzojmë me një melodi misterioze, dhe flautisti që i bie kësaj melodie nga një distancë e panjohshme – çfarëdolloj emri që ne t’i vëmë atij, Forca Krijuese, Zoti – i shpëton gjithë librave të dijes.

Shkenca nuk përfundon asnjëherë, sepse mendja njerëzore përdor vetëm një pjesë të vogël të kapacitetit të saj, dhe eksplorimi i kësaj bote nga njeriu është gjithashtu i kufizuar.

Krijimi mund të jetë spiritual në origjinë, por kjo nuk do të thotë se çdo gjë që është krijuar është spirituale. Si mund t’jua shpjegoj juve këto gjëra? Le të pranojmë që bota është një mister. Natyra nuk është as vetëm materiale dhe as tërësisht spirituale.

Edhe njeriu, është më shumë se sa mish dhe gjak dhe kocka; përndryshe asnjëra prej feve nuk do të ishte e mundur. Prapa çdo shkaku ka një tjetër shkak; fundi apo fillimi i të gjithë shkaqeve nuk është gjetur ende.

Megjithatë, një gjë duhet të mos e harrojmë: nuk ka pasojë pa shkak, dhe në krijimin nuk ka mungesë ligjësie.

Nëse nuk do të kisha një besim absolut në harmoninë e krijimit, nuk do të isha përpjekur për tridhjetë vite që ta shprehja në një formulë matematikore. Është vetëm ndërgjegjja e njeriut, për atë që bën me mendjen e tij, e cila e lartëson mbi të gjithë kafshët, dhe i mundëson të vetëdijesohet për vetveten dhe për marrëdhënien e tij me universin.

Unë besoj se kam ndjenja fetare kozmike. Nuk do ta rrokja dot asnjëherë se si mund të kënaq këto ndjenja, duke iu falur objekteve të limituar. Pema atje jashtë është jeta, një statujë është e vdekur. Tërësia e natyrës është jeta, dhe jeta ashtu si e shoh unë, e refuzon një Zot që i ngjan njeriut.

Njeriu ka dimensione të pafundme dhe e gjen Zotin në ndërgjegjen e tij. Një fe kozmike nuk ka dogmë, përveç asaj që t’i mësojë njeriut se universi është racional, dhe se fati i tij final është që ta studiojë dhe të bashkëkrijohet me ligjet e tij.

Mua më pëlqen ta eksploroj Universin si një të tërë në harmoni. Çdo qelizë ka jetë. Edhe Materia ka jetë; ajo është energjia në formë solide. Trupat tanë janë si burgje, dhe unë mezi pres të çlirohem, por nuk dua të spekuloj për atë që do të ndodhë me mua.

Unë jetoj këtu tani, dhe përgjegjësia ime është në këtë botë, tani. Unë merrem me ligjet e natyrës. Kjo është puna ime këtu në Tokë.

Bota ka nevojë për impulse të reja morale, që kam frikë se nuk do të vijnë nga kishat, aq rëndshëm të kompromentuara sa kanë qenë ato me kalimin e shekujve.

Ndoshta këto impulse duhet të vijnë nga shkencëtarë në traditën e Galileos, Keplerit dhe Njutonit. Pavarësisht dështimeve dhe persekutimeve, këta njerëz ia kushtuan jetën e tyre vërtetimit se universi është një entitet unik, ku, besoj unë, Zoti i humanizuar nuk ka vend.

Shkencëtari i mirë nuk preket prej fajësimit, ai as nuk predikon. Ai e zbulon universin dhe njerëzit vijnë me dëshirë, pa u shtyrë, për të rrokur një zbulim të ri: rendin, harmoninë, mrekullinë e krijimit!

Dhe, teksa njeriu bëhet i vetëdijshëm për ligjet e mrekullueshëm që qeverisin universin në harmoni të përsosur, ai fillon të kuptojë se sa i vogël është. Ai sheh vogëlsinë e ekzistencës njerëzore, me ambiciet dhe intrigat e saj, me kredon: “Unë jam më i mirë se sa ti”.

Ky është fillimi i fesë kozmike brenda tij; miqësia dhe shërbimi ndaj tjetrit bëhen kodi i tij moral. Pa themele të tilla morale, jemi të destinuar të marrim fund.

Nëse duam të përmirësojmë botën, nuk mundemi ta bëjmë me dije shkencore, por me ideale. Konfuci, Buda, Jezusi dhe Gandi kanë bërë më shumë për njerëzimin, se sa shkenca.

Duhet të fillojmë me zemrën e njeriut – me ndërgjegjen e tij – dhe vlerat e ndërgjegjes mund të manifestohen vetëm përmes shërbimit pa egoizëm ndaj njerëzimit.

Feja dhe shkenca shkojnë bashkë. Siç e kam thënë më parë, shkenca pa fenë është e çalë dhe feja pa shkencën është e verbër. Ato janë të ndërvarura dhe kanë një objektiv të përbashkët – kërkimin e të vërtetës.

Kështu që, është absurde për fenë që të ndalojë Galileon apo Darvinin, apo shkencëtarë të tjerë. Dhe është njësoj absurde që shkencëtarët të thonë se nuk ka Zot. Shkencëtari i vërtetë beson, gjë që nuk do të thotë se ai duhet t’i përkasë një kredoje.

Pa fenë nuk ka bamirësi. Shpirti që na është dhënë vihet në lëvizje po prej asaj fryme që lëviz universin.

Unë nuk jam një mistik. Përpjekja për të gjetur ligjet e natyrës nuk ka aspak të bëjë me misticizmin, ndonëse përballë krijimit ndihem shumë i përulur. Është sikur një shpirt të manifestohet shumë më superior se sa shpirti i njeriut. Përmes përpjekjeve të mia në shkencë, kam njohur ndjenjat e fesë kozmike. Por nuk më bëhet vonë nëse më quajnë mistik.

Unë besoj se ne nuk kemi nevojë të shqetësohemi për atë që ndodh pas kësaj jete, sa kohë që bëjmë detyrën tonë këtu – të duam dhe të shërbejmë.

Unë kam besim tek universi, sepse ai është racional. Ligjet qëndrojnë në themel të çdo ngjarjeje. Dhe unë kam besim tek qëllimi im këtu mbi Tokë. Kam besim tek intuita ime, gjuha e ndërgjegjes sime, por nuk kam besim tek spekulimet për Ferrin apo Parajsën. Dua të merrem me këtë kohë – këtu dhe tani. Shumëkush mendon se progresi i racës njerëzore bazohet në eksperiencat e një natyre empirike e kritike, por unë them se dija e vërtetë përftohet vetëm përmes një filozofi të deduktimit. Sepse është intuita që e përmirëson botën, jo thjeshtë ndjekja verbërisht e një shtegu të mendimit.

Intuita na bën të shohim në fakte pa lidhje mes tyre dhe më pas të mendojmë për ta, deri kur të gjithë të sillen nën një ligj. Të kërkosh fakte që lidhen mes tyre do të thotë të mbahesh pas asaj që ke, në vend që të kërkosh fakte të reja. Intuita është mëma e dijeve të reja, ndërkohë që empiricizmi nuk është asgjë tjetër, veçse akumulimi i dijeve të vjetra. Intuita, jo intelekti, është “porta magjike” e vetes tënde. Në të vërtetë, nuk është intelekti, por intuita që çon përpara njerëzimin. Intuita i thotë njeriut qëllimin e tij në jetë.

Unë nuk kam nevojë për ndonjë premtim për përjetësinë, që të jem i lumtur. Përjetësia ime është tani. Kam vetëm një interes: të përmbush qëllimin tim këtu ku jam.

Ky qëllim nuk më është dhënë nga prindërit apo rrethanat. Ai më është ngulitur nga disa faktorë të panjohur. Këta faktorë më bëjnë mua një pjesë të përjetësisë. /Në shqip nga: bota.al/

Exit mobile version