Site icon Telegrafi

Për “Tyxharët” e territoreve shtetërore

Çekani i Daçiqit dhe ” tyxharët” kosovarë të territoreve

Jo fort moti, në Kosovë ka pasur bukur shumë individ që janë munduar jo të këmbejnë territore me Serbinë, por për të mbetur në pushtet kanë ofruar gjithë Kosovën vetëm për karrige. Millosheviqi, as të tillëve nuk iu dha rast.

Kushdo që në cilëndo mënyrë është marrë me çështje të kufijve, ka pasur mundësi të shoh se, se paku në Evropë nuk mund të vendosen lehtë kufij administrativ të një fshati e lë me të një shteti. Sot kur janë tejkaluar konflikte shumë të rënda mbi baza etnike, të flitet për çfarëdo ndryshimi kufijsh duket krejt në kundërshtim me gjithë faktorin ndërkombëtar e kosovar, dhe krejt në favor të politikës serbe

Në një situatë kur bashkësia ndërkombëtare ka sanksionuar edhe përmes vendimit tashme të njohur të GJND-se, shpalljen e ligjshme të pavarësisë së Kosovës, do farë deklaratash a intervistash mbi do farë ndryshimesh të kufijve tashmë të pranuar, duken sikur jo normale, nganjëherë komike, e herë-herë edhe me prapavijë të dyshimtë.

Goditjet e çekanit të Daçiqit mbi kufijtë e Kosovës tash sa muaj ishin bërë temë e medieve, por nga pala kosovare assesi nuk u duk ndonjë faktor me peshë, apo politikan me emër që do të mund të pranonte një “tyxharët” të tillë.

Mu sikur gënjeshtra serbe që përsëritet me dhjetëra e qindra herë, derisa ajo të vihet ne funksion, ashtu vazhduan edhe goditjet e Daçiqit dhe politikanëve tjerë serbë, mbi ndryshimin e kufijve.

Jo një vit, por as edhe një shekull bisedime, nuk do të sillnin kurrë asnjë rezultat në këtë plan. Andaj shtrimi i temave të tilla, shumë herë vret për së dyti të gjitha viktimat e luftërave të fund shekullit të kaluar, pa përjashtim etninë e tyre.

Dikush duket, jo që nuk lexon fare literaturë shkencore nga historia e tmerrshme e këtyre viseve, por sikur të zgjohej nga jermi del me ndonjë opinion a deklaratë se paska mundësi për këmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë.

Pas një deklarate për medie, një deputet i Kuvendit të Kosovës, doli edhe para ekranit me idenë e tij për “tyxharët” me territore të Kosovës. Këto ditë, për do farë mundësish për pazare të tilla foli edhe kryetari i fundit komunist i KSAK. Më se keqi tingëllon deklarata e këtij të fundit nëse analizohet mundësia e të gabuarit të tij pasi që ai ka provuar “aftësitë e veta” me pushtuesin bukur do vite më parë. Edhe këto edhe ide të tjera të ngjashme, për tema aq delikate e të rrezikshme siç janë kufijtë, vetëm sa kontaminojnë situatën në rajon dhe çojnë ujë në mullirin e bashkëpunëtorëve dhe ideatorëve të politikës së Millosheviqit.

Kufijtë e Kosovës nuk mund të vizatohen nëpër kafene

Çekani serb për ndarje te Kosovës veçanërisht gjate disa muajve te kaluar u be aq i theksuar sa, zëvendësi i Millosheviqit, Daçiq, me dhjetëra herë nxori, e vazhdon të nxjerr variante nga më të ndryshmet për mundësinë e ndarjes së Kosovës, gjithnjë duke kërkuar edhe “tyxhar” të mundshëm nga radhët e shqiptareve. Megjithatë është mirë që deri sot, askush nga faktori relevant, shqiptar apo ndërkombëtar, nuk pranoi as të diskutoi për deklarata të tilla.

Që nga pavarësimi I Kosovës, Serbia, me politikën e saj ia doli të mbaj peng jo vetëm Ballkanin, e në njëfarë mënyre edhe gjithë Evropën.

Formula për kufij etnik , edhe po të ishte e mundshme, nuk do të duhej të pranohej kurrë. Një politikë e tillë ç’fare e dëshiron vetëm Serbia, do të ishte e dëmshme për të gjithë popujt pa përjashtim.

Çka thonë të tjerët?

Akademikja dhe analistja ruse, Jelena Guskova, kohë më parë kishte deklaruar se Serbia po fundoset me politikën e saj. ”Ndarja e Kosovës do të ishte mirë për Serbinë, por Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe ajo kurrë nuk do të pranojë t’i jap Serbisë ndonjë pjesë të territorit të saj. Ky është realiteti”, përfundon ajo.

Ndërkaq ligjëruesi serb i shkencave politike Vladimir Kovaqeviq thekson se vendimi i GJND-se, mendimin e të cilit gjyq e ka kërkuar vetë Serbia, e ka vulosur fatin e politikës serbe kundruall Kosovës. “Libri i Kosovës për Serbinë është mbyllur shumë para se ta ketë në dorë Tadiqi” thotë Teofil Pançiq dhe shton se qeveria aktuale serbe ka vetëm obligim të lirohet nga floskulat bajate, si ajo “Kosovën se japim…”.

Kujt i është fshirë kujtesa të mos merret me politikë

Vetë ideatori i planit serb për shfarosjen e shqiptareve V.Qubrilloviq, në një intervistë të gjatë, pas ngjarjeve të vitit 1981 në Kosovë, gazetës “Borba” të Beogradit, i pat deklaruar se, shqiptarët një ditë do të bashkohen. Duke parë zhvillimet e reja në Ballkan dhe duke parë faktorizimin e tyre në botë, po vetë Qubrilloviq do të thoshte me vonë me bindje; “Arbanaši če se ipak ujediniti” (Shqiptarët megjithatë do të bashkohen).

Të gjitha dëshmitë flasin se “vozhdi” po shpresonte tek renegatët shqiptarë, por numri i tyre pas vitit 1981 ishte zvogëluar shumë. U transformua edhe Qubrilloviq, por jo edhe nxënësit e tij.

Të gjithë e dinë se;
Sllovenia, në hapin e parë, atëherë kur minatorët e Trepçës filluan grevën nën tokë, tha se nuk do të pajtohet kurrë të jetojë në një shtet kur diskriminimi etnik ndodhe përditë, ndërsa të gjitha subjektet tjera të federatës se atëhershme jugosllave ishin konfuze rreth çështjes së Kosovës duke shpresuar se ato vetë do të mbesin të paprekura nga falangat serbe të cilat kishin filluar masakrën e planifikuar. Kushdo që është i interesuar mund të gjej një mal dokumentesh për të vërtetuar konstatimin e përmendur.

Të gjithë e dinë kush kreu gjenocid e krime kundër njerëzimit. Të gjithë e dinë sa fëmijë, sa gra e pleq, sa te sëmurë në spitale vrau e masakroi soldateska serbe gjatë dhjetë vjetëve. Mirëpo, sot, makineria propaganduese serbe ka arritur ta mbulojë gjithë hapësirën informative me gënjeshtra të paskrupullta mbi gjoja krimet e popujve tjerë ndaj popullit serb.

Të gjithë e dinë mirë se si në B e H, Dodiku tallet përditë me fatkeqësinë e popullit boshnjak, ndërsa një grusht kriminelesh serb jo vetëm të pjesës veriore te Kosovës, por edhe shumë të ardhur nga Serbia e edhe Rusia, vazhdojnë të mbajnë peng ushtrinë më të fortë në botë dhe vetë diplomacinë evropiane.

Të gjithë e dinë se pesë vende të BE-së, me qëndrimin e tyre kundër pavarësisë se Kosovës bllokuan çdo ide për dalje nga kriza në Ballkan, dhe se paku tash për tash ia dolën të jenë më të forta se 17 shtetet tjera, njëqind herë me të fuqishme, të cilat tashmë kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kosova dhe gjithë ajo që po ngjanë rreth saj janë shembull tipik I mungesës se çfarëdo ideje evropiane për të dal nga qorrsokaku në të cilin i ka futur Serbia të gjithë pa përjashtim.

Mediet dhe propaganda serbe në vend të katarzit, po krijojnë mite të reja

Shtypi dhe propaganda serbe vazhdojnë të krijojnë mite të reja përmes të cilave satanizohet populli shqiptar. Në Beograd kohë më parë u botua një libër i tërë i një autoreje serbe e cila thotë se paska parë në Francë një qytetar të cilit shqiptarët ia paskan pas shitur një zemër të serbit për transplanto dhe i cili tash jeton me atë zemër. Autorja shkon aq larg sa thekson se ia ka njohur francezit në kraharor zemrën serbe e cila nuk po pajtohej të jetojë në trup të huaj.

Po edhe me rastin e kërkimit të eshtrave të ish kryeçetnikut Drazha Mihajlloviq, nga Amerika u paraqit një bashkëluftëtar i tij i cili kërkoi nga hulumtuesit që të mos përpiqen kot, se Tito e paska pas urdhëruar një shqiptar që ta copëtojë kufomën e Mihajlloviqit dhe ai atë, pastaj e ka hedhur në Danub. Të gjitha këto dëshmojnë se mbi këtë bazë janë krijuar edhe mitet e mëparshme serbe, si ai për Simonidën apo për Milloshin me kokë nën sqetull.

Exit mobile version