Një element shumë i rëndësishëm në hallkën e e zhvillimit të turizmit në rajonin e Pejës, ndër të tjera, është edhe shërbimi hotelerik, ai i bujtinave dhe ato që njihen si shtëpitë mikpritëse (guest house).
Në anën tjetër, zhvillimi me hapa të shpejtë i turizmit në rajonin e Pejës, ka ndikuar pozivisht edhe në zhvillimin e ekonomive familjare, duke bërë kështu që disa familje të ofrojnë shtëpitë e tyre për turistët, të njohur si shtëpi mikpritëse, biznes i cili ka impakt direkt në zhvillimin e tyre.
Zhvillimi i bizneseve ku fitojnë direkt familjet, lidhet me turizmin e qëndrueshëm, koncept ku turizmi merr parasysh plotësisht ndikimet aktuale dhe të ardhshme ekonomike, sociale dhe mjedisore, duke adresuar nevojat e vizitorëve, industrisë, mjedisit dhe komuniteteve pritëse.
Ilir Shala, është njëri nga ata që ka ofruar në shërbim të turistëve shtëpinë e tij, ku thekson se specifikë e asaj çka ofron bujtina e ndodhur në fshatin Drelaj të Rugovës, është qetësia, komoditeti dhe ushqimi tradicional.
Ai ka thënë për Telegrafin se angazhohen që kërkesat e tursitëve t’i plotësojnë përmes shërbimit që e ofrojnë.
“Mendoj se institucionet duhet të na përkrahin në projekt si ndërtimi i kanalizimit, ta zgjidhim problemin e mbeturinave dhe të kemi furnizim stabil me energji elektrike”, ka shtuar Shala.
Ai ka treguar se numri i turistëve arrin deri në 400 persona, por që sipas tij, ky numër ka rritje të vazhdueshme.
Eksperti i turizmit, Virtyt Gacaferri ka theksuar se në bujtina duhet të ketë më shumë qëndrueshmëri, duke iu ofruar institucionet infrastrukturën, zgjidhur problemin me ujërat e zeza dhe furnizimin me ujë të pijes.
Ai ka thënë për Telegrafin se nëse kjo nuk bëhet, atëherë rrezikohet natyra dhe me këtë edhe turizmi.
“Institucionet duhet sa më parë të sigurojnë qëndrueshmëri sa i përket trajtimit te ujërave te zeza dhe furnizimit me ujë të pijes, sepse kështu do të ndihmoheshin banorët në zhvillimin e kësaj veprimtarie”, ka shtuar Gacaferri.
Disa vizitorë preferojnë të kenë komoditet, ku kanë gatishmëri që të shpenzojnë më shumë para i drejtohen kryesisht hoteleve që kanë standard dhe nivel të lartë të shërbimit.
Hotel Dukagjini, hoteli i vetëm në Rrafshin e Dukagjinit i vlerësuar me pesë yjë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, është njëri nga ambientet që ka një lartësi të shërbimin, ku vetëm gjatë vitit 2019, deri në këtë periudha ka pasur 15 mijë fjetje, trend i cili vazhdimisht shkon duke u rritur.
Ky trend i rritjes së numrit të mysafirëve lëvizë në 10 deri në 15 për qind, çdo vit. Kjo për shkak se Hotel Dukagjini ka vazhdimisht shton listën e bashkëpunimeve dhe bashkëpunëtorëve me agjencitë turistike, organizata dhe kompani të ndryshme.
Sipas të dhënave të ofruar nga ky hotel për Telegrafin, harta e vizitorëve në Hotel Dukagjini është e gjerë dhe e larmishme, duke filluar nga vizitorët e brendshëm, për të vazhduar me ata të Ballkanit, të vendeve të Bashkimit Evropian, Lindjes së Mesme, Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), etj.
“Bashkëpunim kemi me operatorët turistikë të Pejës, të Kosovës, si dhe të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bullgarisë, etj, bashkëpunime këto që kanë rezultuar të frytshme si për Hotelin ashtu dhe për Agjencitë Turistike”, kanë sqaruar nga Hotel Dukagjini.
Në rajonin e Pejës, në tremujorin e dytë të vitit 2019, sipas Agjencionit të Statistikave të Kosovës (ASK), janë regjistruar 87 njësi akomoduese, me një mijë e 145 dhoma dhe 2 mijë e 154 shtretër, që tregon për ofertën e gjerë të këtij rajoni për turistët dhe trendin e rritjes së vizitorëve në këtë pjesë.
Ndryshe, trendi i rritjes të vizitorëve shkon deri 30 për qind nga viti në vit. Ky tekst është bërë në kuadër të projektit “Turizmi i qëndrueshëm në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm”, të cilin e zbaton INter së bashku me Marimangat me partnerët medial Telegrafi dhe Crno Beli Svet. Projekti është përkrahur nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur dhe zbatohet nga qershori deri ne dhjetor të vitot 2019. Qëndrimet ne këtë tekst janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë KFOS-in./Telegrafi/