Site icon Telegrafi

​Për tri javë të korrikut mbi 132 mijë persona erdhën në Kosovë përmes Aeroportit

Foto: Arkiv

Për tri javët e para të këtij muaji 132,295 persona kanë hyrë në Kosovë duke shfrytëzuar Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

Po ashtu, janë regjistruar 55,626 dalje duke bërë që në total për këtë periudhë të ketë 187,921 udhëtarë që kanë hyrë e kanë dalë nga vendi duke shfrytëzuar këtë pikë kufitare.

Ditët kur ka më së shumti fluturime janë dy ditët e fundjavës e që pasohet edhe nga e mërkura.

Zëdhënësja e ANP “Adem Jashari”, Valentina Gara, deklaroi për KosovaPress se këtë fluks udhëtarësh presin ta kenë edhe në javët në vazhdim.

Sipas Garës, rreth 80% e atyre që kanë ardhur këtë kohë në Aeroportin e Prishtinës janë emigrantë të cilët po kalojnë pushimet verore në Kosovë.

“Në presim një trend të njëjtë edhe gjatë ditëve në vijim, po ashtu edhe gjatë sezonit, sa i përket muajit korrik që nga data 1 deri më datën 20 korrik kemi pasur diku rreth 187 mijë udhëtarë (në total). […] Siç e dini pjesa më e madhe e udhëtarëve tanë apo 80% e udhëtarëve tanë janë udhëtarë nga diaspora të cilët vijnë për vizitë tek familjet e tyre” u shpreh Gara.

Ditët e fundjavës njihen si më të ngarkuarat në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës me më së shumti fluturime.

“Gjithmonë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (fluksin më të madh) e kemi pasur ditën e shtunë apo vikendin më të ngarkuar se sa ditët paraprake, kryesisht është dita e shtunë më pas pasohet nga dita e mërkurë, mesi i javës” deklarohet ajo.

Sipas vendimit të fundit qeveritar, qytetarët e huaj, të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë dhe të cilët vijnë nga vendet me rrezik të lartë, sipas listës zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në baze të parimit të reciprocitetit.

Përjashtim bëjnë vetëm personat që hyjnë transit në Kosovë, ata që kanë certifikatë të vaksinimit të plotë kundër COVID-19, ata me një rezultat pozitiv të testit të antitrupave serologjik -IgG, të lëshuar më së shumti 30 ditë para mbërritjes si dhe fëmijët nën moshën 11-vjeçare.

Mirëpo, Gara shprehet se për mbikëqyrjen e respektimit të masave anti-Covid kujdeset Policia e Kosovës.

“Sa i përket rregullave apo testeve të cilat kërkohen nga Qeveria e Kosovës, atëherë autoritetet përgjegjës për kontrollimin e këtyre dokumentacionit në ardhje është Policia e Kosovës,” u shpreh ajo”, deklaroi ajo.

 

Exit mobile version