Telegrafi

Për tre muaj u regjistruan 2284 ndërmarrje

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet në Kosovë për tremujorin e tretë të këtij viti, ku thuhet se janë regjistruar 2.284 ndërmarrje. Krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak ka pasur një rritje prej 19 për qind të ndërmarrjeve të reja të regjistruara por krahasuar me tremujorin paraprak të këtij viti vërehet një rënie për 8.2 për qind të ndërmarrjeve të reja.

Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori, sipas ASK-së ishin tregtia, me 622 ndërmarrje të reja (27.2 për qind); akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim, me 256 (11.2 për qind); prodhimi me 239 (10.5 për qind); bujqësia, pylltaria dhe peshkataria, me 208 (9.1 për qind); aktivitetet e shërbimeve të tjera, me 189 (8.3 për qind); ndërtimtaria, me 160 (7.0 për qind); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike, me 123 (5.4 për qind); transporti dhe ruajtja, me 108 (4.7 për qind); ndërsa, aktivitetet e tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Kategoria e numrit të të punësuarve nga 1-4 (të punësuar) përbën rreth 2 232 ndërmarrje, ose 97.7 për qind të ndërmarrjeve të reja; te kategoria me 5-9 të punësuar janë 31 (1.4 për qind) ndërmarrje; 10-19 të punësuar janë 16 (0.7 për qind) ndërmarrje; 20-249 të punësuar janë 5 ndërmarrje (0.2 për qind); ndërsa, në kategorinë tjetër (250+) nuk është asnjë ndërmarrje e regjistruar në këtë tremujor.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të reja, në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron Prishtina me 554 ndërmarrje të reja (shprehur në përqindje 24.3 për qind); Ferizaj me 176 (7.7 për qind); Prizreni me 169 (7.4 për qind); Gjilani me 136 (6.0 për qind); Peja me 123 (5.4 për qind); Mitrovica me 109 (4.8 për qind); Gjakova me 105 (4.6 për qind); ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë këtij tremujori. /Telegrafi/