Në tremujorin e parë të vitit 2019, numri i vizitorëve në hotelet e Kosovës ishte 65,265, prej tyre 58.15 për qind ishin të huaj.
Kështu thuhet në raportin “Statistikat e hotelerisë, tremujori i parë 2019”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Sipas ASK-së, numri i netëqëndrimeve në këtë tremujor ishte 104,907 bujtje
“Në tremujorin e parë të vitit 2019, pjesë e anketës ishin 218 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës. Pjesa më e madhe e hoteleve gjenden në rajonin e Prishtinës, Pejës, e kështu me radhë. Në këtë tremujor, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) ishte 65,265, prej tyre 41.85 për qind janë vendorë dhe 58.15 për qind janë të huaj, ndërsa numri i netqëndrimeve ishte 104,907, prej tyre 39.70 për qind nga vendorët dhe 60.30 për qind nga të huajt”, thuhet në raportin e ASK-së, përcjell Telegrafi.
Për sa i përket numrit të vizitorëve, rajoni i Prishtinë është në vend të parë, pasuar nga ai i Prizrenit.
“Numrin më të madh të vizitorëve dhe netqëndrimeve të tyre e ka rajoni i Prishtinës me 28,876 vizitorë me 48,561 netqëndrime. Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren e kështu me radhë. Sa u përket vizitorëve të huaj, numri më i madh i tyre ishte nga Shqipëria, Turqia, Gjermania, etj.”, përfundon raporti. /Telegrafi/