Telegrafi

Për tre muaj mbi 29 mijë vizitorë në hotelet e Kosovës

Në tremujorin e katërt të vitit 2017, numri i vizitorëve në hotelet e Kosovës ishte 29,736 vizitorë, ku 30.95 për qind ishin vizitorë vendorë dhe 69.05 për qind ishin vizitorë të huaj, kurse numri i bujtjeve në këtë tremujor ishte 51,614, ku 27.79 për qind e bujtjeve ishin nga vendorët dhe 72.21 për qind ishin nga të huajt.

Kështu thuhet në raportin ‘Statistikat e Hotelerisë në Kosovë, tremujori i katërt 2017’, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), shkruan Telegrafi.

“Në tremujorin e katërt të vitit 2017 kapaciteti i shfrytëzuar në nivel vendi ishte 11.54 për qind. Pjesë e anketës ishin 137 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës. Pjesa më e madhe e hoteleve janë në rajonin e Prishtinës, Pejës, Ferizajt, etj.”, thuhet në raport.

Numrin më të madh të vizitorëve dhe netëqëndrimet e tyre e ka Rajoni i Prishtinës me 17,253 vizitorë apo 29,838 netëqëndrime.

Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren e kështu me radhë dhe sa u përket vizitorëve të huaj numri më i madh është nga Shqipëria, Gjermania, Turqia, etj. /Telegrafi/