Telegrafi

Për tre muaj Kosovën e vizituan rreth 50 mijë persona

Në tre muajt e fundit të vitit 2020, në Republikën e Kosovës kishin hyrë 51 mijë e 885 vizitorë, prej të cilëve 56.67 për qind ishin të jashtëm, ndërkaq 43.33 për qind ishin vendorë.

Këto të dhëna janë publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) e cila ka publikuar Statistikat e Hotelerisë në Kosovë për tremujorin e katërt (TM4) 2020.

Në tremujorin e katërt të vitit 2020  pjesë e anketës ishin 206 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës.

“Numri i net-qëndrimeve ishte 89 mijë e 116, prej tyre 41.35% nga vendorët dhe 58.65% nga të huajt”, thuhet në komunikatën e dërguar nga ASK.

Sipas këtij raporti, numrin më të madh të vizitorëve dhe të net-qëndrimeve të tyre e ka rajoni i Prishtinës me 20 689 vizitorë dhe 38 438 net-qëndrime.

Kurse, numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren, Pejë, e kështu me radhë.

Sa u përket vizitorëve të huaj, numri më i madh ishte nga Shqipëria, Zvicra, Gjermania. /Telegrafi/