Në Klinikën për sëmundje infektive në Shkup, deri me 15 mars të këtij viti janë regjistruar 156 kontrolle të pacientëve, si pasojë e sulmeve dhe lëndimeve të marra nga kafshimet e qenve. 34 prej tyre, s’i pasoje e lëndimeve më serioze, kanë pranuar terapi kundër tërbimit, shkruan gazeta KOHA.
Ndërkohë, numri i qytetarëve të cilat gjatë vitit të kaluar janë sulmuar nga qentë, respektivisht rastet e tyre i kanë paraqitur në këtë Klinikë, ka shkuar deri në 926 pacientë, prej të cilëve 128 i janë nënshtruar një trajtimi të posaçëm mjekësor, duke pranuar injeksione të llojit tetanus serum. Rasti i fundit i sulmeve nga qentë është regjistruar në Negotinë.
Sipas raportit të Ministrisë për Punë të Brendshme, bëhet fjalë për sulm ndaj një vajze katër vjeçare, mirëpo dy qentë që i janë vërsul vogëlush kanë pasur pronar, gjegjësisht ato kanë arritur të ikën nga kafazi ku kanë qëndruar dhe janë drejtuar në oborrin e fqinjëve. Në Klinikën për sëmundje infektive Shkup, duke e sqaruar numrin e lartë të pacientëve që kërkojnë ndihmë, theksojnë se kjo shifër është disa herë më e lartë, për shkak se jo të gjithë sulmet nga qentë qytetarët i paraqesin tek ata, por kontrolle të tilla bëhet edhe në shtëpitë tjera të shëndetit.
“Mjeku është ai i cili në këto raste e cakton llojin e terapisë që e pranon një pacient, e cila në të shumtën e rasteve përbehet nga profilaksi antitetative, gjegjësisht mbrojtje nga tetanusi, gjegjësisht profilaksi antirabite apo ndryshe siç njihet mbrojtje nga tërbimi. Në rast se infektimi i plagës është sekondar, ndaj plagës veprohet me atibiontik. Trajtimi mjekësor po ashtu varet edhe nga të dhënat epidemiologjike të cilat pacientit do t’i parashtrojë, respektivisht qeni i cili e ka sulmuar, a ka qenë endacak apo qenë familjar, ose të shihet statusi i vaksinimit që e posedon pacient, në drejtim të asaj se a ka qenë i vaksinuar rregullisht me injeksione kundër tetanusit”, thonë nga Klinika në fjalë, ku mes tjerash theksojnë se disponojnë terapinë e duhur kundër tërbimit.
Në kuadër të aktiviteteve të rregullta, gjatim muajit të kaluar në Shkup, nga ana e organeve kompetente, janë mbledhur rreth 200 qenë endacak, prej të cilëve 30 janë futur në karantinë dhe 23 janë eutanizuar. Lidhur me këto aktivitete, të cilat i ka ndërmarrë Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale”, Shkup, thuhet se ky është numri mesatar i qenve endacak që përfaqësuesit e kësaj ndërmarrjeje e mbledhin për çdo muaj.
“Brenda vitit ne kujdesimi për 2 mijë qen, numrin më të madh të të cilëve e vaksinojmë kundër tërbimit dhe e sterilizojmë. Qentë e zënë nëpër lokacione të ndryshme, në qendrën tonë qëndrojnë rreth dy javë dhe kështu presim nëse dikush i kërkon për t’i marrë. Ndërsa, nëse nuk ndodhë një gjë e tillë, atëherë ne i kthejmë atje nga ku i kemi mbledhur. Eutanazimi i tyre ndodhë vetëm në rast kur janë agresive, posaçërisht nëse ka të dhëna se ai qenë e ka kafshuar ndonjë person, lëndimet e të cilëve janë dokumentar në spital”, thonë nga NP “Higjiena Komunale”.
Mes tjerash, nga kjo ndërmarrje edhe njëherë e bëjnë të ditur se ekipet e tyre të veterinarisë punojnë në dy ndërrime, ndërsa të njëjtit dalin në terren me kërkesa të qytetarëve të cilët rastet e ndryshme të qenve endacak mund t’i paraqesin në telefonin kujdestar 3216-644. Duke ju referuar normave ligjore që parashohin dënimet për shëtitje ne qenve pa maska, ato variojnë nga 100 deri në 400 euro për pronarët e kafshëve shtëpiake.
Në rast se një person kafshohet nga këta qenë, shuma maksimale e dëmshpërblimit që gjykatat ia cakton është rreth 90 mijë denarë, gjegjësisht 35 mijë denarë për vuajtje fizike, për frikë 30 mijë denarë dhe për dhimbje shpirtërore 20 mijë denarë.
Ndryshe, javë më parë në Qendrën urgjente në Shkup, ndërroi jetë fëmija katër vjeçar, Xh. U. nga fshati Baçishtë i Kërçovës, që nuk arrit t’i mbijetojë plagëve të marra nga sulmi i qenve endacak.