Martin Coli sërish ka dalë para Gjykatës për t’u gjykuar lidhur me akuzën për vrasje në tentativë. Kjo është hera e tretë që Coli deklarohet rreth fajësisë, pasi që rastin e tij Gjykata e Apelit e ka kthyer dy herë në rigjykim.
Coli dhe djali i tij Bekimi akuzohen se pas një mosmarrëveshjeje kanë tentuar t’i privojnë nga jeta Rrustem Isafin dhe djalin e tij Rilindin nga Beci i Gjakovës.
Para se Coli të deklaronte pafajësinë, prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Agron Matjani, e lexoi aktakuzën.
“I pandehuri së bashku me djalin e tij i cili gjendet në arrati, kanë përgatitur planin dhe kanë pritur të dëmtuarit në pusat e fshatit Bec. I pandehuri Martin ka goditur me kmesë në dorën e djathtë dhe në shpinë të dëmtuarin Rrustem dhe pastaj e godet në kokë duke i shkaktuar çarje të kafkës e të cilat dëmtime kanë qenë serioze dhe të rrezikshme për jetën e tij…”, tha mes tjerash prokurori Matjani.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e atëhershme e Qarkut në Pejë, rasti kishte ndodhur me 30 maj të vitit 2009. /kallxo/