Telegrafi

Për të shmangur ndërprerjet mes njëri-tjetrit, Komisioni ka vendosur të fiken mikrofonat e dy kandidatëve në debatin e ardhshëm presidencial në SHBA

Ish-nënkryetari, Joe Biden, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, do të kenë mikrofonat e fikur në debatin e ardhshëm dhe të fundit presidencial, në mënyrë që të mos e ndërprenë njëri-tjetrin gjatë diskutimit, njoftoi të hënën Komisioni për Debatet Presidenciale.

Sipas CNN, përcjell Telegrafi, vendimi erdhi pasi komisioni diskutoi të hënën për ndryshimet e mundshme të rregullit në formatin e debatit.

Ata vendosen që ndryshimet ishin të nevojshme për shkak të debatit të parë midis Biden dhe Trump, kur ky i fundit e ndërpriste shpesh ish-nënkryetarin.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe presidenti Donald Trump, dhe njëherësh kandidati i ardhshëm për zgjedhjet presidenciale ku e cilësoi këtë rregull si të padrejtë.

“Unë do të marr pjesë. Mirëpo, mendoj se është shumë e padrejtë”, u shpreh ai kur u pyet nga gazetarët në lidhje me këtë ndryshim.

Një burim pranë komisionit i tha CNN se vendimi për fikjen e mikrofonave ishte unanim nga anëtarët dhe theksoi se ky nuk cilësohet si një ndryshim por më tepër një lëvizje për të promovuar respektimin e rregullave. /Telegrafi/