Site icon Telegrafi

Për të rritur fëmijë të lumtur dhe të shëndetshëm

Dr. Enila Cenko
Psikologe këshillimi dhe zhvillimi

Situata mund të vështirësohet dhe më tepër kur dikush është prind i vetëm apo ka më shumë se një fëmijë. Por në fund të fundit, askush nuk mund të thotë me bindje të plotë se është një prind i përkryer, pasi të gjithëve na ndodh që të bëjmë gabime. E rëndësishme është që t’i duam fëmijët tanë dhe të punojmë për të qenë prindër sa më të mirë. Identifikimi i stilit tuaj të prindërimit dhe teknikat e mëposhtme mund t’ju ndihmojnë të arrini këtë qëllim.

Psikologët e zhvillimit kanë kohë që i janë përkushtuar pyetjes sesi mënyra sesi prindërit sillen me fëmijët e tyre ndikon në mirëqenien afatgjatë të të vegjëlve. Në pamje të parë mund të duket e vështirë të parashikosh me siguri se si një sjellje ose një sërë veprimesh të caktuara prindërore do të përcaktojnë mënyrën e zhvillimit të fëmijëve. Në të vërtetë, studime të shumta të filluara në vitet 1960 nga psikologia Diana Baumrind tregojnë lidhje të forta midis stileve të ndryshme të prindërimit dhe efekteve që ato kanë mbi sjelljen e fëmijëve. Në fakt, të gjitha mënyrat e mundshme të ndërveprimit prind-fëmijëve mund të përmblidhen në tre stile të ndryshme prindërimi.

Stili autoritar
Prindërit që praktikojnë këtë stil prindërimi përpiqen të jenë gjithmonë në kontroll dhe ta ushtrojnë këtë kontroll mbi fëmijët e tyre. Ata vendosin rregulla të shumta dhe të ngurta dhe presin që fëmijët t’i zbatojnë ato me përpikëri, përndryshe janë të gatshëm të përdorin ndëshkimin ose të jenë shumë kritikë ndaj fëmijëve të tyre. Për më tepër, prindërit autoritar nuk ju shpjegojnë fëmijëve se cilat janë arsyet pse duhen zbatuar rregullat dhe nuk ju japin mundësi zgjedhjeje apo vendimmarrje. Nëse një fëmijë kundërshton një rregull ose urdhër, këta prindër përgjigjen ftohtë “Kështu them unë dhe mos e zgjat.” Prindërit autoritar përqendrohen së tepërmi në sjelljen e gabuar të fëmijëve të tyre dhe kanë tendencë të ndëshkojnë verbalisht dhe fizikisht kur fëmijët nuk binden.

Stili liberal
Prindërit që praktikojnë këtë lloj stili janë e kundërta e prindërve autoritar. Prindërit liberalë vendosin shumë pak rregulla dhe zbatimin e tyre jua lënë në dorë fëmijëve. Ata duan që fëmijët e tyre të ndihen të lirë dhe të gjejnë vetë rrugën në jetë pa ndihmën e askujt. Si rrjedhojë ata nuk vendosin kufij dhe pritshmëri për sjelljen e fëmijëve të tyre, por përpiqen t’i duan e t’i pranojnë ashtu siç janë. Këta prindër e përdorin ndëshkimin shumë rrallë dhe në mënyrë të çrregullt. Ata u japin fëmijëve shumë mundësi zgjedhje dhe kur fëmija nuk është në gjendje të zgjedhë vetë në mënyrën e duhur. Shpesh herë këta prindër zgjedhin të mos ndikojnë në sjelljen e fëmijëve të tyre dhe kur kjo e fundit mund të jetë e dëmshme për zhvillimin e fëmijës ose marrëdhënien prind-fëmijë.

Stili demokratik
Prindërit demokratikë njësoj si prindërit autoritar dhe në ndryshim nga prindërit liberalë vendosin rregulla dhe kufij për sjelljen e fëmijëve të tyre. Por këta prindër, ndryshe nga autoritar marrin kohën e duhur për t’u shpjeguar fëmijëve të tyre se pse rregullat duhen zbatuar. Ata gjithashtu vendosin pritshmëri të qarta për mënyrën sesi fëmijët duhet të sillen dhe i ndihmojnë fëmijët që t’i arrijnë këto pritshmëri. Ato përqendrohen shpesh tek sjellja pozitive e fëmijëve dhe e përforcojnë atë me dashuri. Prindërit demokratikë ju japin fëmijëve mundësinë të zgjedhin por e bëjnë këtë duke pasur në mëndje nivelin zhvillimor të fëmijës. Për shembull, një fëmijë dy vjeçar nëna mund ta pyesë se me cilën lodër do të luajë, ndërsa një fëmije më të rritur mund t’i japë mundësinë të zgjedhë dhe çfarë ushqimi do të hajë.

Si ndikon stili i prindërimit te fëmijët?
Studime të shumta nxjerrin në pah se fëmijët që zhvillohen më mirë janë ata që kanë prindër demokratikë. Këta prindër arrijnë të balancojnë kërkesat ndaj fëmijëve duke dhënë ngrohtësi dhe duke respektuar pavarësinë e fëmijëve. Në këtë mënyrë, fëmijët e prindërve demokratikë arrijnë jo vetëm t’i zbatojnë rregullat por dhe ti brendësojnë ato. Në këtë pikë prindërit demokratikë ngjajnë me ata autoritar pasi të dyja palët vendosin pritshmëri të larta ndaj fëmijëve dhe kontrollojnë sjelljen e tyre. Prindërit autoritar ama presin që fëmijët të pranojnë autoritetin prindëror pa e diskutuar atë dhe ju japin fëmijëve shumë pak liri zgjedhje. Fëmijët e rritur me stilin autoritar kërkojnë gjithmonë aprovim nga dikush tjetër dhe nuk janë spontanë. Në kontrast, prindërit demokratikë ju japin fëmijëve një ndjesi të mjaftueshme lirie që i ndihmon fëmijët të zhvillojnë pavarësinë e tyre. Prindërit liberalë në anën tjetër vendosin shumë pak rregulla dhe pritshmëri ndaj fëmijëve të tyre të cilët shpeshherë kanë vështirësi të kontrollojnë impulset e tyre, janë të papjekur dhe të papërgjegjshëm.

Si mund të jemi prindër të mirë?
Për të rritur fëmijë të lumtur dhe të shëndetshëm përdorimi i stilit demokratik të prindërimit është mënyrë më e mirë. Për të arritur këtë praktikë, mund të provoni teknikat e mëposhtme:

• Shpreheni dashurinë për fëmijët tuaj. Përqafojini dhe puthini ata çdo ditë.

• Dëgjojini fëmijët kur flasin në mënyrë që ata të ndihen të rëndësishëm për ju dhe të zhvillojnë pavarësinë e tyre të të menduarit.

• Shpenzoni kohë duke ju shpjeguar fëmijëve arsyet për një rregull të caktuar dhe pasojat e moszbatimit të rregullit mbi mirëqenien e fëmijës ose të të tjerëve. Kur fëmija juaj bën një gabim, mos i thoni “Djalë i keq” por shpjegoni se çfarë ka bërë gabim. Për shembull, nëse fëmija juaj kalon rrugën pa marrë leje, mund t’i thoni “Po të kalosh rrugën pa kontrolluar a ka makina apo jo, mund të lëndohesh.” Më pas tregojini fëmijës se çfarë duhet të bëjë “ Rruga kalohet mbasi kemi parë nga të dyja drejtimet nëse ka makina".

• Lavdëroni sjelljen e mirë të fëmijëve tuaj dhe përforcojeni atë në mënyrë që fëmijët të duan ta përsërisin sa më shpesh.
• Vendosni rregull në jetën e fëmijëve tuaj, duke përcaktuar orare të qarta për të ngrënin, gjumin dhe aktivitete të tjera.

• Jini konsistent në zbatimin e rregullave të cilat duhen të jenë sa më të qarta për fëmijët. Këta rregulla duhen përforcuar në mënyrë të vazhdueshme nga të gjithë pjesëtarët e familjes, përfshirë nënën, babain, gjyshin, gjyshen, motrat e vëllezërit.

• Shpenzoni kohë më fëmijët tuaj dhe ndërmerrni aktivitete të ndryshme si të lexoni një libër, të luani apo të dilni shëtitje. Mos harroni se fëmijët shpesh sillen keq për të tërhequr vëmendjen tuaj.

• Kujdesuni për veten tuaj. Mos harroni se të jesh prind nuk është e lehtë dhe se juve ju duhet kohë e mundësi për të qenë mirë vetë. Një ditë në javë lërjani fëmijët dikujt të besuar dhe bëni një aktivitet që ju pëlqen dhe ju bën të ndiheni mirë. /Telegrafi/

Exit mobile version