Telegrafi

Për herë të parë pas 56-vjetëve, një pjesë e punëtorëve të ASHAM do të hyjnë në grevë për shkak të pagave të ulëta

Shkak i grevës, sipas njoftimit të Sindikatës së Maqedonisë (LSM), është se punëtorët në sekretariatin dhe njësitë profesionale të ASHAM-it marrin paga pak më të larta se paga minimale në vend.

Për herë të parë në ekzistencën 56-vjeçare të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM), disa nga punonjësit e Akademisë do të hyjnë në grevë për shkak të pagave të ulëta.

Sipas njoftimit të grevës të publikuar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, nga 9 shkurti (e enjte), organizata sindikale e Akademisë, në të cilën përfshihen punonjësit e sekretariatit dhe njësive profesionale të ASHAM-it, do të hyjnë në grevë.

“Arsyeja e grevës janë pagat e ulëta jo dinjitoze të punonjësve në sekretariatin dhe njësitë profesionale të ASHAM-it, të cilat janë shumë nën pagën mesatare në Maqedoninë e Veriut, pra pak mbi pagën minimale. Sipas Ligjit të ASHAM, ASHAM është institucioni më i lartë i pavarur shkencor dhe artistik në vend”, njoftojnë nga Sindikata e Maqedonisë.

Në grevë nuk do të marrin pjesë akademikët e ASHAM-it, bashkëpunëtorët shkencorë të punësuar në qendrat kërkimore të Akademisë./Telegrafi/