Site icon Telegrafi

Për herë të parë, nga një president francez: Hollande viziton Tiranën

Vetëm pak muaj përpara përfundimit të mandatit të tij si President i Francës, Francois Hollande, do të vizitojë Tiranën me ftesë të Presidentit Bujar Nishani, i cili po ashtu do të jetë në javët e fundit të tij në krye të Presidencës.

Burime zyrtare nga institucioni i Presidentit të Republikës thanë për Top Channel se Hollande pritet të vizitojë Tiranën në datë 3 Mars.

Po të njëjtat burime nuk kanë dhënë detaje te tjera, pasi axhenda është ende në diskutim mes dy kabineteve. Por e vetmja gjë që kanë konfirmuar është se veç vizitës me Nishani, Hollande do të takohet dhe me Kryeministrin Rama, Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, kreun e opozitës Lulzim Basha dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

Kjo është hera e parë që një Presidenti i Francës viziton Shqipërinë.

Edhe pse ende nuk ka një konfirmim zyrtar mbi temat e diskutimit, mësohet se ato do të jenë të fokusuar tek marrëdhëniet mes dy vendeve, por edhe te situata e sigurisë në botë.

Exit mobile version