Një intervenim i rrallë në zemër është kryer për herë të parë me sukses në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës njoftoi të hënën se bëhet fjalë për ablacionin (djegia) radiofrekuent të takikardisë ventrikulare idiopatike të ventrikulit të majtë me qasje arteriale, intervenim ky që është kryer te një pacient i moshës 37 vjeçare.
“Në Klinikën e Kardiologjisë, Shërbimi i Elektrofiziologjisë dhe Elektrostimulimit, për herë të parë u realizua me sukses ablacioni (djegia) radiofrekuent i takikardisë ventrikulare idiopatike të ventrikulit të majtë me qasje arteriale, te një pacient i moshës 37-vjeçare”, thuhet në njoftimin për media.
Tutje, ShKUK-ja bëri të ditur se Klinika e Kardiologjisë po vazhdon të zgjerojë gamën e shërbimeve intervente në fushën e çrregullimeve të ritmit, me metodologji bashkëkohore dhe falë angazhimit e profesionalizmit të personelit të specializuar në këtë fushë.
“Këto procedura komplekse kryhen nën mbikëqyrje të ekspertëve të huaj dhe konform udhërrëfyesve e rekomandimeve të Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë (ESC)”, thuhet tutje në komunikatë. /Telegrafi/