Derisa fundi i vitit sjellë organizime të ndryshme, prishtinasi Jusuf Islami, ka menduar që fundin e vitit t’ua dedikojë njerëzve në nevojë.
Prishtinasi, ka vendosur që në një tendë të vendosur në sheshin e Prishtinës të shesë kostume të babadimrit, ku përmes parave që fitohen nga shitja e kostumeve të ndihmohen familjet në nevojë.
Por, për ta bërë më interesant, Islami ka “obliguar” që të gjithë ata që e blejnë kostumin e babadimrit të marrin pjesë në minimaratonën humanitare, e cila do të mbahet me 18 dhjetor në qendër të Prishtinës.
Ai ka sqaruar për Telegrafin se pret që pjesë e kësaj maratone të bëhen me qindra persona, të cilët do të jenë të veshur si babadimra.
https://www.facebook.com/projekti5cent/
“Do të ketë çmime për tri vendet e para, që do të fitojnë në maratonë. Afati i fundit i paraqitjes për ata që janë të interesuar të jenë pjesë e kësaj gare, përfundon me 17 dhjetor. Andaj i ftoj të gjithë vullnetmirët që të bëhen pjesë e këtij organizimi, sepse nuk ka mbetur edhe shumë kohë”, ka shtuar Islami.
Ai në kuadër të organizatës “Projekti 5 cent”, ka vendosur që përmes garës të ndihmohen familjet skamnore.
Sipas tij, maratona do të fillojë në sheshin “Zahir Pajaziti”, do të vrapohet deri tek rrethi i Spitalit, dhe do të përfundojë aty ku ka filluar.
“Një kostum kushton 10 euro, ku blerësi furnizohet me rroba dhe një numër me të cilin do të garojë në maratonën e madhe të 18 dhjetorit. Po e them edhe njëherë që e kam këtë punë me shumë kënaqësi, kur e di si këto të holla do t’ia kthejnë buzëqeshjen disa fëmijëve”, ka shtuar ai.
Aksionin në mënyrë simbolike e kanë mbështetur edhe shumë figura të artit dhe skenës muzikore në Kosovë.
Islami beson se ky organizim do të jetë tradicional dhe çdo vit e më shume të mbështetet nga qytetarë, organizata dhe kompani të ndryshme. /Telegrafi/