Site icon Telegrafi

Për herë të parë në katër vjet, kanë rënë shitjet e Tesla – kompanisë i kanë mbetur shumë automjete në magazinë

Shitjet e dobëta të Teslas në fillim të vitit e lanë atë me 46 mijë vetura të pashitura në inventar.

Çdo veturë e dhjetë që Tesla prodhoi gjatë tremujorit nuk u dorëzua. Pavarësisht rënies së shitjeve, Tesla ia kaloi sërish BYD-së për t’u bërë prodhuesi më i madh në botë i automobilave elektrike.

Tesla publikoi shifrat e shitjeve të tremujorit të parë të martën në mbrëmje. Shifrat janë një tregues i rëndësishëm se si po zhvillohet industria e automjeteve elektrike në botë. Për herë të parë në katër vjet, shitjet e Tesla ranë. Tesla humbi 8.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shitjet e 386,810 automobilave ishin shumë nën pritshmëritë dhe nënkuptojnë se Tesla është kthyer në nivelet e vitit 2022. Meqenëse Tesla prodhoi 433,371 automjete, por dorëzoi vetëm 386,010 gjatë tremujorit, kjo ndoshta do të thotë se ata kanë një inventar prej 46,000 automobilash të pashitura. Më parë, diferenca midis prodhimit dhe dërgesave për tremujor ishte vetëm midis 4,000 dhe 18,000 makina.

Tani pothuajse një në dhjetë makina elektrike të prodhuara gjatë tremujorit nuk është dorëzuar dhe ka të ngjarë të jetë e pashitur. Inventari në rritje tani duhet të shitet, pavarësisht se Tesla ka rritur çmimet në fund të marsit. Tesla tashmë ka filluar reduktimin e prodhimit në fabrikën e saj në Shangai.

Pavarësisht shitjeve të dobëta, Tesla arriti të kapërcejë BYD gjatë tremujorit dhe është përsëri prodhuesi më i madh në botë i makinave elektrike. BYD pati një tremujor edhe më të keq, duke rënë nga 526 mijë vetura elektrike në tremujorin e fundit të vitit të kaluar në vetëm 300,114 automjete elektrike në tremujorin e parë të këtij viti. /Telegrafi/

Exit mobile version