Punonjësit e të gjitha Institucioneve arsimore në vend, kanë hyrë në grevë më afat të pacaktuar, deri në përmbushjen e kërkesave për ndryshim të koeficientit për pagat. Kjo është konfirmuar nga kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, i cili iu bëri thirrje MASHT-it dhe Qeverisë, t’i marrin seriozisht kërkesat e tyre.
Ashtu siç ishte paralajmëruar nga SBASHK-u, me fillimin e gjysmëvjetori i dytë, ka nisur greva me afat të pacaktuar, për rritjen e koeficientit të pagave për punonjësit e institucioneve arsimore.
Kësaj radhe për herë të parë, grevës iu bashkuan edhe punonjësit e çerdheve.
“Është hera e parë që kemi bllokuar çerdhen me mosardhje të fëmijëve. Herët tjera ne kemi përkrahur grevat e arsimtarëve me anë të shkrimeve, ndërsa kësaj here kemi ndërmarrë diçka edhe me vepra, për shkak të koeficientit të pagës”, deklaroi për RTV Dukagjinin Mihane Hasani – edukatore ne çerdhen “Fatosat”.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari, gjatë vizitës që bëri në çerdhen “Fatosat” në Prishtinë, tha se do të qëndrojnë në grevë deri në përmbushjen e kërkesave.
“SBASHK-u solli më 10 janar vendim që nga sot të futemi në grevë të përgjithshme në kohë të pacaktuar. Unë them greva nuk varet nga kohëzgjatja e saj. Ajo do të vazhdojë derisa institucionet nuk i plotësojnë kërkesat e tyre”, deklaroi Rrahman Jashari.
Grevës i janë bashkuar të gjitha shkollat e Prishtinës, ani pse pati zëra që mësimdhënësit e shkollës fillore “Elena Gjika” nuk do jenë pjesë e saj.
“Ne jemi bashkuar grevës dhe siç edhe shihet shkolla është pa nxënës, këtu janë vetëm mësimdhënësit duke mbajtur grevën”, deklaroi Kadire Preniqi, mësimdhënëse në shkollën “Elena Gjika”.
Kryetari i sindikatës së shkollës “Xhemail Mustafa”, Besnik Muqolli tha mësimdhënësit çdo ditë do të jenë pjesë e grevës nga ora 9 deri në 12, deri në përmbushje të kërkesave.
“Greva do të filloj nga ora 9 deri në orën 12. Pas kësaj ore mësimdhënësit do të shkojnë në shtëpi. Greva duhet të ndodh deri në realizimin e kërkesave tona”, shprehet kryetari i Sindikatës në shkollën “Xhemail Mustafa”, Besnik Muqolli.
Më anë të kësaj greve mësimdhënësit po kundërshtojnë projektligjin për pagat, duke kërkuar rritjen e koeficientit së paku 30 përqind./RTV Dukagjini/Telegrafi/