Site icon Telegrafi

Për të parandaluar përhapjen e COVID-19, Kina nuk “kurseu” qytetarët as gjatë tërmetit – ata mbetën të bllokuar në ndërtesa

Zbatimi i rreptë i politikës së Kinës sa i përket COVID-19 la disa banorë të bllokuar në ndërtesat e tyre dhe komunitetet e tyre të mbyllur ndërsa kërkuan strehim gjatë një tërmeti të hënën.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ndërsa tërmeti goditi provincën jugperëndimore të Kinës, Sichuan, pak para orës 13:00 sipas kohës lokale, banorët e kryeqytetit të provincës, Chengdu, zbritën nga apartamentet e tyre të larta dhe u drejtuan për në terren të hapur.

Por shumë i gjetën daljet të mbyllura ose të bllokuara nga punonjësit e shëndetit në komunitet, të cilët kërkuan që të qëndronin brenda.

Vetëm disa orë më parë, qyteti kishte zgjatur masat e detyrueshme të karantinës për shumicën e 21 milionë banorëve të tij me tre ditë të tjera për të ndihmuar në frenimin e rritjes së rasteve të coronavirusit.

Anëtarët e publikut do t’i nënshtroheshin tre raundeve të tjera të testimit për COVID deri të mërkurën, 7 shtator, urdhëruan zyrtarët shëndetësorë.

Tërmeti, të cilin monitoruesit kinezë e kanë matur me magnitudë 6.8 ballë, goditi qarkun e Luding në Sichuan jugperëndimore.

Numri i të vdekurve ishte rritur në 66 deri rreth orës 14:00 të martën, raportoi shërbimi kinez i lajmeve Xinhua. Disa qindra të tjerë u lënduan. /Telegrafi/

Exit mobile version