Nga: Kenan Malik / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
“A është ky pesimizëm?” – pyet TJ Clark në esenë e tij të vitit 2012, Për një të majtë pa të ardhme. “Epo, po.” Përndryshe, pyet ai, si “mund të kuptojmë ardhjen e shkatërrimit të vërtetë në rendin e financave globale… dhe dështimin pothuajse të plotë të përgjigjeve të së majtës për të rezonuar përtej radhëve të besimtarëve të saj?”
Fillimisht e botuar në revistën New Left Review, kjo ese është pjesë e Ato pasione [Those Passions], e një përmbledhjeje të re të punimeve të Clarkut. Ai nuk është një teoricien politik, por një historian arti. Si marksist, shumë nga veprat e tij eksplorojnë ndërthurjen e artit dhe politikës me një ndjeshmëri dhe thellësi të konsiderueshme, duke analizuar veprat e artistëve nga Bosch te Pollock, nga Rembrandt te Lowry.
Pjesa e fundit e përmbledhjes përfshin shkrime më të drejtpërdrejta politike. Për një të majtë pa të ardhme është ndoshta më i dobëti nga esetë, si në aspektin artistik ashtu edhe në atë politik. Megjithatë, është gjithashtu një nga më domethënësit, sepse jo vetëm që ofron një perspektivë të re mbi shumë nga veprat e tjera të Clarkut, por trajton edhe një çështje veçanërisht të rëndësishme për kohën tonë – si duhet të përballet e majta me dështimin e vet? Në pesimizmin dhe lodhjen e saj nga bota, duket sikur flet për shumë njerëz sot.
Titulli, Ato pasione, është marrë nga soneti Ozimandia [Ozymandias] i Shelley-t, një reflektim mbi pashmangshmërinë e harresës – përshkrimi i një statuje gjysmë të varrosur të një faraoni dikur të madh të një perandorie dikur madhështore: Asgjë tjetër s’mbeti / Rreth rrënojës / së asaj përmbytjeje vigane, të pafund dhe të zbrazët, / shtrihen tejpërtej nivelet e rërave të vetmuara. Ai peizazh i shkretë, për Clarkun është një metaforë për qytetërimin modern, i bërë shterp nga konsumizmi dhe reduktimi i gjithçkaje në një “spektakël”. Më tej është edhe një përshkrim poetik i terrenit në të cilin gjendet sot e majta. “Nëse dekada e kaluar nuk është dëshmi se nuk ka rrethana që mund të ringjallin të majtën në formën e saj të shekullit XX,” pyet ai, “atëherë si do të dukej një dëshmi e tillë?”
Ky pesimizëm është njëkohësisht i ekzagjeruar dhe i nënvlerësuar. Është i ekzagjeruar sepse Clarku gjen rrënjët e disfatës të së majtës te vetë natyra njerëzore, te “prirja njerëzore për dhunë” dhe te një “dëshirë e pashmangshme për të keqen” që është e endur në qenien tonë. Ai e sheh gjithashtu te moderniteti, i cili ka krijuar individë kaq të atomizuar, të pandërgjegjshëm dhe të bindur, saqë nuk janë më “material për një shoqëri” – një shprehje e huazuar nga Nietzsche. Këto nuk janë ide të reja; por ta rrënjosësh rënien e së majtës në natyrën njerëzore dhe në thelbin e modernitetit do të thotë të mohosh mundësinë e çdo rilindjeje.
Në fakt, Clarku i bën thirrje së majtës që të braktisë idetë utopike dhe, në vend të tyre, të përqafojë një “ndjenjë tragjike të jetës”. Vizioni tragjik, i cili zakonisht mbështet një perspektivë konservatore për botën, sheh te natyra e kufizuar dhe e papërsosur e njeriut një paralajmërim kundër ndryshimeve të mëdha shoqërore, duke këmbëngulur se feja, tradita dhe hierarkia janë barriera të domosdoshme kundër barbarizmit – një mënyrë për të pranuar, siç thotë filozofi polak marksist i kthyer në të krishterë, Leszek Kołakowski, “jetën si një disfatë të pashmangshme”.
Megjithatë, pavarësisht kësaj, dëshpërimi i Clarkut është gjithashtu i nënvlerësuar, sepse kriza e sotme politike është më e thellë sesa ai e përfytyron – apo sesa zakonisht pranohet. Nuk është vetëm e majta që është shembur. Edhe traditat liberale dhe konservatore janë varfëruar nga shumë prej forcave që dikur i bënin ato të fuqishme.
Tri ideologjitë kryesore të modernitetit kanë qenë qartësisht antagoniste ndaj njëra-tjetrës. Megjithatë, ato kanë pasur edhe një marrëdhënie simbiotike, e cila duket më qartë në lidhjen mes liberalizmit dhe radikalizmit.
Ajo që ne e quajmë norma liberale – demokracia, barazia, liria e shprehjes dhe e asociimit, e drejta e kombeve për vetëvendosje e të tjera – u shndërruan në realitete shoqërore kryesisht falë përpjekjeve të lëvizjeve radikale dhe organizatave të klasës punëtore. Këto norma shpesh u imponuan përballë një opozite të egër nga elitat liberale, të cilat synonin t’i kufizonin ato, duke ua mohuar shumicës së shoqërisë dhe madje shumicës së botës të drejtat themelore demokratike.
Ndodhi që, përmes luftës së të përjashtuarve – nga skllevërit që luftuan për emancipimin, nga subjektet koloniale që u përballën me sundimin perandorak, nga klasa punëtore që u organizua për të përmirësuar jetën e vet, nga gratë që kërkuan të drejtën e votës – normat liberale u bënë universale dhe nuk mbetën thjesht një pronë ekskluzive e një pakice të privilegjuar
Zbehja e kësaj tradite radikale universaliste ka hutuar të majtën, duke e shkëputur atë nga traditat liberale dhe nga politika e klasës, dhe duke lënë pas vetëm mbetjet më autoritare dhe identitare. Kjo ka ngatërruar edhe vetë liberalizmin.
Pa shtyllën mbështetëse të radikalizmit, vetë liberalët janë bërë më jotolerantë, qoftë në çështjen e lirisë së shprehjes apo të demokracisë, dhe më pak të gatshëm për të adresuar pabarazitë shoqërore apo nevojat e klasës punëtore.
Konservatorizmi fillimisht lindi si një zë kundër modernitetit, por u adaptua aq mirë ndaj botës së re, saqë u bë një forcë dominuese qeverisëse në një realitet të ndërtuar kryesisht mbi parimet liberale. Me kalimin e kohës, jo liberalizmi, por lëvizjet e klasës punëtore dhe ato socialiste u shndërruan në armikun kryesor të konservatorizmit, një antagonizëm që ndihmoi të përcaktohej ajo çka konservatorët dëshironin të ruanin.
Megjithatë, zbehja e traditës radikale ka sjellë konfuzion edhe për konservatorizmin. Sot, konservatorët duket se e kuptojnë se si mund të shembin rendin ekzistues, por kanë pak ose aspak ide mbi atë që duhet ta zëvendësojë atë, ose çfarë dëshirojnë të ruajnë. Kështu, arrijmë në një epokë ku nuk është vetëm e majta ajo që ka humbur, por ku të gjitha traditat kryesore politike të modernitetit kanë mbetur të rraskapitura.
Libri që na nevojitet për të kuptuar këto kohë të errëta, sugjeron Clark, është Përvoja e mposhtjes [The Experience of Defeat] i Christopher Hillit. I botuar për herë të parë në vitin 1984, ky është një studim nga historiani më i shquar i radikalizmit të shekullit XVII mbi shkrimet e radikalëve anglezë pas humbjes së tyre shkatërruese me restaurimin e monarkisë në vitin 1660, vetëm një dekadë pasi mbreti Charles I u ekzekutua.
Por historia që rrëfen Hilli shkon kundër rrjedhës së anti-utopizmit të Clarkut. Hill përshkruan një brez radikalësh të mundur dhe të shtypur, por që gjithashtu ruajti individë që kurrë nuk hoqën dorë nga aspiratat për të rigjallëruar atë traditë radikale. John Milton ishte “poeti-profet” i tyre, i cili, në dy poemat e tij të fundit epike, Parajsa e rikthyer [Paradise Regained] dhe Luftëtari Samson [Samson Agonistes], shprehu në mënyrë elokuente mundësitë e shpresës dhe shëlbimit.
Përveç kuakerëve, asnjë nga grupet radikale që përfshinë Revolucionin Anglez – levelerët, digerët, ranterët, magëltonianët dhe të tjerë – nuk mbijetoi. Por, idetë e tyre mbijetuan. Besimi në barazi, demokraci dhe votë universale, sfida ndaj varfërisë dhe ndarjeve klasore – të gjitha këto u përfshinë në lëvizjet e reja radikale të shekullit XVIII.
Dhe, më pas, thekson Hill, poetët e radikalizmit të ri, nga Blake te Shelley, “u kthyen sërish te Miltoni … dhe vizioni i poetit-profet.” /Telegrafi/