Telegrafi

Për të dytën ditë maturantët e Shqipërisë në protestë: Testi i matematikës i vështirë, kërkojmë uljen e pragut

Qëndrimi i Ministrisë së Arsimit për rishikimin e shpërndarjes së pikëve në testin e matematikës dhe vlerësimin nuk i ka qetësuar maturantët.

Për të dytën ditë një grup të rinjsh kanë dalë sërish në protestë, fillimisht para dikasterit të Arsimit.

Më pas maturantët janë zhvendosur para Qendrës së Shërbimeve Arsimore, institucioni që harton tezat e provimeve. Të rinjtë këmbëngulin se testi i Matematikës ishte i vështirë dhe mbi nivelin mestar.

Një ditë më parë specialistët e hartimit të testeve në qendrën e shërbimeve arsimore deklaruan se asnjë pyetje në testin e matematikes nuk ishte jashtë programit mësimor. Ndërsa teza ishte e shkallëzuar sipas tre niveleve të vështirësisë. Megjithatë pas korrigjimeve ekspertët do të vlerësojnë nëse nevojitet rishikimi i pikëve dhe ulja e pragut.