Site icon Telegrafi

Për ta formësuar të ardhmen e AI-së, duhet të veprojmë shpejt

Presidenti Joe Biden me drejtuesit kryesor të teknologjisë, në Shtëpinë e Bardhë (foto: Yuri Gripas/Abaca/Bloomberg)

Nga: Antony Blinken dhe Gina Raimondo / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Abraham Lincoln një herë ka vërejtur: “Në historinë e botës, disa shpikje dhe zbulime ndodhën me vlerë të veçantë … në lehtësimin e të gjitha shpikjeve dhe zbulimeve të tjera”. Lincolni fliste për fjalën e shkruar dhe, më vonë, për shtypshkronjën. Por, sot ne po e përjetojmë një tjetër shpikje të tillë: inteligjencën artificiale [AI].

Sistemet e fuqishme gjeneruese të AI-së, si GPT-4, po e sjellin një epokë të re të kësaj teknologjie. Po e revolucionarizojnë krijimin e njohurive: duke rritur në masë të madhe kapacitetin e makinerive për të gjeneruar përmbajtje origjinale, për të kryer detyra komplekse dhe për të zgjidhur probleme të rëndësishme. Gjithashtu, në mënyrë dramatike po i ulin barrierat që njerëzit të kenë qasje në AI dhe në përfitimet e saj.

Kjo epokë e re sjell rreziqe të mundshme serioze. Këto e përfshijnë rrezikun e gjenerimit të informacionit të rremë nga AI-ja, përforcimin e paragjykimeve dhe diskriminimit, keqpërdorimin për qëllime represive ose destabilizuese, apo përhapjen e njohurive për të krijuar armë biologjike ose për të kryer sulm kibernetik.

Por, edhe me këto rreziqe – të cilat ne jemi të vendosur t’i minimizojmë – AI-ja ka potencial emocionues për të përmirësuar jetën e njerëzve dhe për të ndihmuar në zgjidhjen e disa prej sfidave më të mëdha në botë, që nga kurimi i kancerit, zbutja e efekteve të ndryshimeve klimatike, e deri te zgjidhja e pasigurisë ushqimore globale.

E ardhmja e AI – qoftë nëse i bën shoqëritë tona pak a shumë të paanshme, i zhbllokon përparimet apo bëhet mjet i autoritarëve – varet nga ne. Pyetja nuk është nëse duhet përdorur, por si.

Shtetet e Bashkuara – si shtëpia e shumë prej kompanive, teknologjive dhe mendjeve kryesore që drejtojnë revolucionin e AI-së – kanë aftësinë dhe përgjegjësinë për të udhëhequr në drejtimin e saj. Jemi të përkushtuar ta bëjmë këtë në partneritet me të tjerët në mbarë botën, për të siguruar që e ardhmja të pasqyrojë vlerat dhe vizionin tonë të përbashkët për këtë teknologji.

Tashmë kemi ndërmarrë veprimet për të udhëhequr në përdorimin e AI-së. E përcaktuam një plan për një ligj të të drejtave të AI-së, me parimet për mënyrën se si sistemet e automatizuara dizajnohen dhe përdoren, ndërsa zhvilluam një kornizë për menaxhim e riskut të AI-së për të ndihmuar në përmirësimin e mbrojtjes së përdoruesve.

Javën e kaluar, presidenti Joe Biden njoftoi hapin tjetër me një sërë angazhimesh nga kompanitë kryesore të krijuara për të rritur sigurinë, mbrojtjen dhe besimin. Këto angazhime do të zbusin rreziqet e AI-së, duke përfshirë keqpërdorimin, si dhe do të mbështesin teknologjitë dhe standardet e reja për të bërë dallimin midis përmbajtjes së krijuar nga njeriu dhe atyre të AI-së. Do të inkurajojnë kompanitë dhe individët që të raportojnë mbi aftësitë dhe kufizimet e sistemeve dhe të lehtësojnë shkëmbimin e informacionit. Dhe, do të promovojnë zhvillimin e sistemeve të AI-së të dizajnuara për të adresuar sfidat më të mëdha të shoqërisë.

Angazhimet ofrojnë pikënisje për veprim, për të kufizuar rreziqet e afërta duke nxitur inovacionin. Do të plotësohen nga linjat kyçe të përpjekjeve me partnerët në mbarë botën.

Gjatë javëve të ardhshme, do të vazhdojmë të punojmë me G7 përmes Procesit të Hiroshimës të udhëhequr nga Japonia, për të zgjeruar dhe ndërkombëtarizuar këto angazhime. Duam që drejtimi i AI-së të udhëhiqet nga vlerat demokratike dhe ata që i përqafojnë ato, ndërsa veprimi i udhëhequr nga G7 mund të informojë një kod ndërkombëtar të sjelljes për akterët privatë dhe qeveritë, si dhe parimet e përbashkëta rregullatore për shtetet. Teksa ka bashkërendim global, do të përafrojmë edhe qasjet tona të brendshme në forumet si Këshilli i Tregtisë dhe Teknologjisë ShBA-BE.

Do të punojmë intensivisht me qeveritë e tjera për të pasur njohje të përbashkët të rreziqeve afatgjata të AI-së dhe si t’i kufizojmë ato. ShBA-ja pret të marrë pjesë në Samitin Global të Mbretërisë së Bashkuar për Sigurinë e AI-së dhe në rastet e tjera që kërkojnë angazhim global për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt.

ShBA-ja është e përkushtuara për ta bërë AI-në funksionale dhe të hartojë drejtimin me vendet në zhvillim, zërat e të cilëve janë vendimtarë për diskutimin global. India do të luajë rol kritik, përfshirë Partneritetin Global për AI-në. Ne gjithashtu po punojmë për përfshirjen e AI-së përmes diskutimeve me OKB-në.

Do të bashkëpunojmë me vendet në mbarë botën, si dhe me sektorin privat dhe shoqërinë civile, për të çuar përpara një qëllim kyç të angazhimit: krijimin e sistemeve të AI-së që e bëjnë jetën e njerëzve më të mirë. Sot ne jemi në rrugën e duhur për të përmbushur vetëm 12 për qind të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së. AI-ja mund ta ndryshojë këtë trajektore duke i përshpejtuar përpjekjet për të ofruar ujë të pastër dhe kanalizime, eliminimin e varfërisë, avancimin e shëndetit publik dhe më tej qëllimet e tjera të zhvillimit.

Për ta skalitur të ardhmen e AI-së, duhet të veprojmë shpejt. Duhet të veprojmë edhe kolektivisht. Asnjë vend apo kompani nuk mund të formësojë të ardhmen e AI-së si i vetëm. ShBA-ja ka ndërmarrë hap të rëndësishëm – por, vetëm me fokusin e kombinuar, zgjuarsinë dhe bashkëpunimin e komunitetit ndërkombëtar, do të jemi në gjendje të shfrytëzojmë plotësisht dhe në mënyrë të sigurt potencialin e AI-së.

(Antony Blinken është sekretar amerikan i Shtetit; Gina Raimondo është sekretare amerikane e Tregtisë)

Exit mobile version