Site icon Telegrafi

BE për situatën në Tiranë: Nuk duhet të ketë vend për dhunë në politikë

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dënoi aktet e dhunës që kanë ndodhur sot në selinë e PD-së dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë të ushtrojnë qetësi dhe përmbajtje.

Në një reagim, delegacioni i BE-së thekson se “nuk duhet të ketë vend për dhunë në politikë”.

“Të gjithë të përfshirët kanë përgjegjësinë të sigurojnë që demonstratat të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe paqësore dhe të garantojnë sigurinë e të gjithë njerëzve të pranishëm. Rruga e integrimit të Shqipërisë në BE ka nevojë për një opozitë solide që kontribuon në agjendën e reformave të vendit, duke iu përgjigjur aspiratës së popullit shqiptar, shumica dërrmuese e të cilit dëshiron ta shohë Shqipërinë në BE”, theksohet në reagimin e delegacionit të BE-së.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf mbështeti deklaratën e Delegacionit të BE-së lidhur me aktet e dhunës në selinë e PD-së, raporton KP. “Në politikën demokratike nuk ka vend për dhunë”, thekson Zingraf.

Protestues të Partisë Demokratike të mbledhur para selisë së kësaj force politike hapën sot me forcë derën e selisë. Mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha kanë rrëzuar dyert e mbyllura të godinës së Partisë Demokratike dhe kanë hyrë në ambientet e katit të parë të selisë duke thyer xhamat.

Exit mobile version